E Diel, 1 Nëntor 2026

“Koncesionimi i Aeroportit, sipas standardeve më të larta”

Kryeministri Hashim Thaçi tha sot se koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës është kryer nëpërmes një procesi shumë transparent dhe sipas standardeve më të larta të BE-së.

Duke folur para kabinetit të tij, në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, Thaçi theksoi se ky koncesionim i suksesshëm ishte një lajm shumë i mirë për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. “Kjo tregon se Republika e Kosovës dërgoi mesazhin më të mirë të mundshëm për një ambient të sigurt, të përshtatshëm dhe të favorshëm për biznesin vendor dhe atë ndërkombëtar”, ka thënë Thaçi.

Në kuadër të vendimeve “të mëdha”, sikur i quajti ai, kryeministri paralajmëroi privatizimin e shpejtë të distribucionit të KEK-ut, si dhe të PTK-së. Ai tha se ditëve të ardhshme, komiteti ndërministror do të vendosë për privatizimin e PTK-së, ndërsa nga muaji nëntor do të përmbyllet procesi.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar gjithashtu Projektligjin për Prokurorinë e Shtetit dhe Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ministri i Drejtësisë, Haki Demolli, ka thënë se me Projektligjin për Prokurorinë e Shtetit synohet që të bëhet organizimi i ri i sistemit prokurorial të Kosovës.

“Rëndësia e projektligjit shprehet në faktin se sistemi prokurorial duhet të reformohet dhe të jetë në harmoni me standardet ndërkombëtare. Projektligji për Prokurorinë e Shtetit paraqet një domosdoshmëri të kohës, si për faktin që është ligj i ri dhe modern, por edhe për faktin se ky ligj është ndërhyrje komplementare në sistemin prokurorial, i cili aktualisht aktualisht është i rregulluar me ligj, por i takon një sistemi dhe organizimi tashmë të kaluar”, ka thënë Demolli.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe propozim-vendimin për shpërndarjen e mjeteve të planifikuara për programin “Universiteti i Prizrenit”, me ç’rast është thënë se plani i shpenzimeve të mjeteve që i referohet numrit të punësuarve, pagat dhe mëditjet është buxhet prej dy milionë eurosh, ndërkaq deri në vitin 2013 do të ndahen çdo vit nga dy milionë euro.

Në këtë mbledhje, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka njoftuar se Kosova është shumë afër anëtarësimit të saj në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ngase edhe Qeveria e Izraelit tashmë ka paralajmëruar se do ta japë votën për Kosovën.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për themelimin e sistemit për sigurimin e depozitave për institucionet financiare në Kosovë, propozim-vendimin për themelimin e Komisionit Kombëtar për Refugjatë, ndërkaq ka propozuar për anëtarë të Bordit të Këshillit Rregullativ të Prokurimit Publik, Safet Hoxhën si kryesues dhe Ilaz Dulin dhe Silvana Nikoliqin, si anëtarë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›