E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thyejnë katër postblloqe të policisë, tre të rinj nën hetim

GJIROKASTËR- Nuk ndalojnë në postblloqet e policisë, madje e thyejnë njërin prej tyre. Aventura e tre të rinjve motociklistë në aksin kombëtar Kakavijë- Memaliaj ka përfunduar me dy të arrestuar e një që ndiqet në gjendje të lirë, për konsumim të tre veprave penale.


Të rinjtë, përkatësisht Klemend Killo, 21 vjeç, Indrit Belegu, 21 vjeç, dhe Kreshnik Kuci, 20 vjeç, të tre nga Durrësi, kanë qenë duke udhëtuar me motoçikleta nga Saranda në drejtim të qytetit të tyre.


Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se shpejtësia e madhe ka qenë shkaku që në aksin kombëtar Gjirokastër- Kakavijë, në vendin e quajtur Dervician, patrulla e qarkullimit rrugor të Komisariatit të Policisë Gjirokastër u ka bërë shenjë për të ndaluar.


Tre të rinjtë nuk kanë ndaluar dhe kanë vijuar rrugën me shpejtësi. "Patrulla e qarkullimit rrugor ka lajmëruar Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër për ndihmë dhe menjëherë në vendin e quajtur "Ura e Lumit" në qytetin e Gjirokastrës ka dalë në postbllok Patrulla e Përgjithshme e Policisë së Rendit të Komisariatit të Policisë Gjirokastër.


Kur tre motoçikletat janë afruar në postbllok, Patrulla e Përgjithshme u ka bërë shenjë të ndalojnë dhe ka bllokuar rrugën, por të tre shtetasit përsëri nuk i janë bindur urdhrit të policisë dhe janë larguar, duke shpërthyer postobllokun",- thuhet në komunikatën zyrtare për shtyp në lidhje me këtë ngjarje.


Ndërkaq, në vendin e quajtur Subash, në aksin kombëtar Gjirokastër- Tepelenë, postblloku tjetër ka mundur të ndalojë njërën nga motoçikletat, që drejtohej nga shtetasi Klemend Killo, i cili ka kundërshtuar forcat e policisë gjatë ndalimit të tij, ndërsa dy motoçikletat e tjera janë larguar me shpejtësi të madhe.


"Postblloku i policisë i ngritur në vendin e quajtur "Uji i Ftohtë Tepelenë" nga ana e forcave të policisë së Komisariatit të Policisë Tepelenë, kishte bllokuar rrugën me mjete të policisë dhe ka bërë të mundur ndalimin e motoçikletës së dytë, që drejtohej nga shtetasi Indrit Belegu, ndërsa motoçikleta e tretë ka shpërthyer postbllokun e policisë dhe është larguar në drejtim të Tepelenës me shpejtësi të madhe.


Në vendin e quajtur Memaliaj është ngritur edhe një postbllok tjetër me forcat e policisë së Postës së Policisë Memaliaj, ku shtetasi Kreshnik Kuci që drejtonte motoçikletën e tretë ka ndaluar dhe është vetëdorëzuar",- thuhet më tej në komunikatën e policisë.


Mësohet se mungesa e dokumentacionit të rregullt për motoçikletat ka sjellë një reagim të tillë prej të rinjve, dy prej të cilëve Klemend Killo dhe Indrit Belegu janë arrestuar, ndërsa Kreshnik Kuci ndiqet në gjendje të lirë për veprat penale "Fyerje për shkak të detyrës", "Kundërshtim i punonjësve të Rendit Publik", "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›