E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxënësja 13-vjeçare plagos dy shokët



FIER/MAJLINDA RAMA

 Nxënësja e klasës së shtatë plagos me pistoletë dy shokët e bankës. Ngjarja e paprecedent ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare të fshatit Zhupan të rrethit të Fierit, disa ditë pasi E.Hoxha 13 vjeçe mbante në çantën e shkollës pistoletën TT. Një pakujdesi gjatë nxjerrjes së librave ka shkaktuar shkrehjen e armës me fishek në gojë, duke lënduar dy moshatarët e vajzës, A.Brakën dhe E.Lisin. Ndonëse është larguar me shpejtësi drejt shtëpisë, e mitura është gjetur aty bashkë me armën, duke u shoqëruar në polici me të atin që mbante pistoletën. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur gjatë kohës së pushimit të shkurtër, ndërmjet orës së parë dhe të dytë, kur nxënësit kanë qenë duke bërë gati librat për orën që do të fillonte. Në këto momente një lëvizje e pamenduar ka shkrehur armën që 13-vjeçarja Hoxha mbante në çantë. Plumbi i dalë nga pistoleta ka prekur në krah shokun e bankës, Lisin, si edhe ka përshkuar në këmbë shoqen tjetër. “Ishim ulur afër njëri–tjetrit në bankë dhe plumbi më kapi në krah. Ajo e shkrepi pa dashje. Ne mendonim se pistoleta ishte çakmak, por kur plasi u trembëm të gjithë. Krahu m’u mbush me gjak dhe me vrap dola jashtë se mendova mos më kishte zënë plumbi. Shoqja jonë është e pafajshme. Ajo nuk donte të dëmtonte njëri”, ka thënë për gazetën djali i plagosur. Ai ka marrë mjekim në shkollë, ndërsa shoqja tjetër është dërguar në spital, ku ndodhet nën terapi intensive. Ndërkohë që një tjetër nxënës i klasës së 13-vjeçares ka pohuar se ishte gjithçka e papritur. Sipas tij, Hoxha nuk e mbante me vete armën për t’i bërë keq njeriu, madje ishte një nxënëse shembullore. Bëhet e ditur se pas ngjarjes e mitura është larguar me shpejtësi drejt shtëpisë së saj, ndërsa krisma ka alarmuar nxënësit dhe mësuesit e shkollës. Menjëherë mësuesit kanë shkuar në klasën e shtatë ku kanë gjetur nxënësit të trembur, si edhe dy prej tyre të gjakosur. E lajmëruar nga drejtoria e shkollës në vendngjarje kanë mbërritur forca të policisë të Fierit. Pas kërkimeve në ambientet e shkollës, uniformat blu kanë shkuar në shtëpinë e 13-vjeçares dhe pas kontrollit kanë gjetur armën të fshehur në një kasolle në oborrin e familjes Hoxha. Mësohet se policia ka shoqëruar në komisariat të miturën, si edhe ka arrestuar babanë e saj, Hamza Hoxha, i cili mbante armën pa leje në shtëpi. Burime policore bënë të ditur se, në deklaratat në polici vajza e ka argumentuar mbajtjen e armës me vete me një konflikt mes nënës dhe babait të saj. “Mamaja dhe babai im kishin kohë që nuk shkonin mirë me njëri-tjetrin dhe kishin pasur disa herë debate shumë të ashpra. Kjo kishte rritur frikën e nënës se mund t’i ndodhte ndonjë gjë e keqe. Ajo më tha ta merrja me vete pistoletën, se mos e vriste babai dhe unë nuk e dija çfarë do të ndodhte. Jam shumë e trembur për të gjitha këto që ndodhën. Unë nuk e bëra me dashje. Nuk kam pasur probleme me asnjë në shkollë. S’e di pse e mora armën me vete”, mësohet të ketë thënë 13-vjeçarja në polici. Sipas policisë, nga hetimet paraprake ka rezultuar se brenda familjes Hoxha ka pasur trauma. Pas marrjes në pyetje minorenia është lënë e lirë për shkak të moshës së vogël, ndërsa është mbajtur në paraburgim i ati i saj. Gjithashtu procedim penal ka nisur edhe ndaj mësueses kujdestare të klasës së shtatë, Drinalda Thanasi nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Babai: Vajza mund ta ketë marrë si lodër

Pas pyetjeve të njëpasnjëshme në komisariatin e Fierit, i ati i 13-vjeçares, Hamza Hoxha ka deklaruar se, është e vërtetë që ai e mbante një armë pa leje, por që asnjëherë nuk kishte lejuar që atë ta mbanin fëmijët. “Kam fëmijë të rregullt dhe nuk kam pasur asnjëherë probleme me ta. I kam pasur të mirë në mësime dhe korrektë me shokët. Ndoshta vajza e ka quajtur thjesht një pistoletë lodër. Unë e di që nuk është bërë asgjë me dijeni dhe di gjithashtu që në rast se vajza do ta dinte rrezikun nuk do ta prekte me dorë”, ka pohuar ai përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore. Bëhet e ditur se mbi Hoxhën rëndon akuza e “armëmbajtjes pa leje”, ndërsa
është arrestuar deri në fund të hetimeve.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›