E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpejtësia u merr jetën tre personave, plagosen futbollistët

LUSHNJE/KRUJE/ELBASAN-Tre viktima dhe 5 persona të plagosur shënohen në rrugët tona në pak orë.

Shpejtësia dhe pakujdesia në drejtimin e mjeteve kanë qenë dhe shkaqet e ngjarjeve të rënda, ku mes të plagosurve janë dhe 4 futbollistë të ekipit të “Kastriotit” në Krujë. Aksidenti më tragjik ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në superstradën Rrogozhinë-Lushnjë. Dy udhëtarët e një fuoristrade me targë të Tiranës, Kristian Mici, 41 vjeç dhe Emir Sulejmani, 22 vjeç humbën jetën pas përplasjes së makinës së tyre me blloqet e betonit në anë të rrugës e më pas me një shtyllë të tensionit të lartë. Si pasojë e goditjes së fuqishme Emir Sulejmani ka dalë nga makina dhe është hedhur 20 metra larg vendngjarjes, duke u përplasur në asfalt. Dyshohet se shpejtësia tej normave të lejuara, pagjumësia e shoferit Mici apo dhe konsumi i alkoolit mund të kenë qenë shkaqet e aksidentit. Viktima e tretë është regjistruar në Elbasan. Marjol Rrasa, 20 vjeç po udhëtonte me një motoçikletë, kur është përplasur nga një maune. Si pasojë e plagëve të shumta, i riu është transportuar drejt Spitalit Ushtarak, por aty ka ndërruar jetë. Policia ka ndaluar drejtuesin e maunes deri në zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Ndërsa aksidenti ku u përfshi ekipi i Krujës ka ndodhur rreth orës 10:30, në superstradën Fushë–Krujë-Lezhë. Ndërsa udhëtonin drejt Krujës për stërvitje, në afërsi të fshatit Nikël, sipas dëshmive të futbollistëve një makinë tip “Benz” me ngjyrë të verdhë u ka prerë rrugën. Në tentativë për të shmangur përplasjen ata kanë devijuar duke shkaktuar daljen e mjetit jashtë rruge. Si pasojë, një 60-vjeçare që ndodhej në anë të rrugës është plagosur. Futbollistët e përfshirë në aksidenti janë: mbrojtësit Erald Turdiu e Elton Grami, mesfushori Xhejms Osusi dhe sulmuesi Rizvanolli. Futbollistët nuk kanë pësuar dëmtime ndërkohë që janë marrë në pyetje nga ana e policisë për të sqaruar edhe rrethanat e aksidentit.              m.r/a.k/r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›