Nxitim serb drejt një humbjeje tjetër
Dihej, që në krye të herës, që, nëse vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, nuk do të ishte në anën e Kosovës, pavarësia nuk mund të zhbëhej, siç edhe dihej që, nëse kërkesa e Serbisë paditëse, do të humbte në Gjykatën e Hagës (siç humbi), ajo nuk do ta njihte pavarësinë (siç nuk e njeh). Por, edhe pse kemi të bëjmë me një vendim këshillues, Serbisë i ndodhi diçka dërrmuese, sa që nuk u gjetë qetësia e domosdoshme dhe nuk u krijua koha e mjaftueshme, për të arsyetuar, analizuar e gjykuar ftohtësisht për më tej. Përkundrazi, u ndërmorr një nxitim gjakoshar, nën psikikën siç, më troç, e tha kreu i grupit opozitar në Partinë Progresive Serbe, Tomislav Nikoliç që, “Ne, të gjithë, ndjehemi të turpëruar, të poshtëruar, të mundur, vetëm qeveria vazhdon aty ku është”.
Ashtu pati ndodhur edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008. Beogradi, pas tetë vitesh përpjekjesh të gjithëfarsojshme, që nga humbja e luftës më 1999, krijoi bindjen se, kishte arritur baraspeshën viktimë - vrasës, mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa, në rrafshin ndërkombëtar, përballë shtetesh të fuqishme mbështetëse të Kosovës, ndjente se në krah të Beogradit rreshtohen shtete të tjera po aq të fuqishme që i jepnin shpresë. Me t’u shpallur pavarësia, qeveria e sotme e Beogradit, nuk vonoi kurrnjëgrimë, dhe ndërmorri dërgimin e Kosovës, në Gjyqin Ndërkombtar të Drejtësisë. Serbia donte të arrinte disa qëllime:
Asisoj, qeveria u tha serbëve se nuk do të pushonte se luftuari “në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial” të Serbisë, madje, më i besuari i presidentit Boris Tadiç, ministri i jashtëm Vuk Jeremiç, qartësoi se, “administrata aktuale në Serbi do të humbasë mandatin e saj nëse Kosova fiton pavarësinë”. Beogradi u kumtoi shqiptarëve se, “konflikti i ngrirë” do të merrte përmasa të tjera. Prishtina duhet të mendonte për zmbrapsje deri në parapavarësi, e të fillonin bisedime të reja për përcaktimin e statusit.
Serbia ndërtoi politikën inatçore të sfidës kundër Perëndimit, ashtu siç Millosheviç ishte pararendësi i së njëjtës politikë, veç me mjete të nxehta. Pasi Serbia humbi me luftë, në Kosovë, humbja e radhës, ajo më 22 korrik, ishte me drejtësinë, në Hagë. Kundër Serbisë nuk ishte drejtësia, e drejta nuk qe në anën e saj. Beogradi, përveç vonimit të njohjeve të pavarësisë, së brendshmi mbante usdajë se, një mosmbështetje e qartë e pavarësisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, do të ishte fitues ndaj Perëndimit, për t’u thënë pastaj serbëve se, atë që nuk bëri Millosheviç me armë e kreu Tadiç me rezolutë. Prandaj, humbja me drejtësinë dhëmbi po aq shumë sa humbja me luftë. Politika serbe nuk mendoi asfare të priste sadopak, të meditonte mbi të dy humbjet e njëpasnjëshme Luftë - Drejtësi, për të hapur një rrugë të frytshme për vendin. U shkua në gabimin e tretë, për arritur në humbjen e tretë, kësaj herë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në vjeshtën që vjen. Vetëm katër ditë, pas 22 korrikut 2010, saktësisht më 26 korrik, me kërkesën e qeverisë, parlamenti serb u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme të gjatë plot 12 orë, dhe miratoi propozim-rezolutën, që iu dorëzua mënjëherë OKB-së, e cila ka gjetur kundërshtime të atypëratyshme nga shtete të fuqishme demokratike të botës si SHBA, Britania Madhe, Gjermania, Franca. Agjencia franceze e lajmeve AFP, theksonte se në propozim-rezolutën serbe, nuk përmendej termi bisedime për përcaktimin e satusit. Beogradi dinak e fsheh synimin nëpër tekst, duke thënë që, kërkojnë “dialog për të gjitha çështjet e hapura”. Por, statusi i Kosovës është çështje e mbyllur. Nëse ka gjëra të hapura, nga Kosova e shtete të tjera është përsëritur gatishmëria dhe domosdoshmëria e nisjes vetëm të bisedimeve për “çështje teknike”. Që nga Uashingtoni, nënpresidenti amerikan Jo Bajden, menjëherë i tha në telefon presidentit Boris Tadiç që, Beogradi të punojë “ në frymë konstruktive për të zgjidhur çështjet praktike me Kosovën dhe të avancojë jetën e popullit në Kosovë, Serbi dhe rajon”. Kurse, sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton pasoi duke thënë që, “ Kosova është shtet i pavarur, ndërsa territori i saj i paprekshëm. Ftojmë të gjitha vendet të lëvizin përtej çështjes së statusit të Kosovës dhe të angazhohen në forma konstruktive në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Ne ftojmë të gjitha vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë”.
Përse ndodh nxitimi serb i përsëritur: Për politikë të brendshme, në luftën për pushtet? Për përfitime të parashikuara gjatë procesit të integrimit, siç kryeministri Cvetkoviç, disa kohë më parë, pati thënë që, Serbia do të anëtarësohet në Bashkimin Europian, më 2011 (?!) Për sfidë ndaj Perëndimit? Apo me besimin se me propozim-rezolutën e paraqitur në OKB, do të përmbysë sa është arritur në Kosovë dhe do të mund të bëjë që të fillojnë bisedime të tjera për satusin?
Edhe serbi i fundit, edhe serbi i parë si president, e dinë që, çështja e pavarësimit të Kosovës është e mbyllur. Por, një qeveri që ka pamjen dhe përmbajtjen, sikur ministrinë e jashtme dhe ministrin Jeremiç i ka vetëm për punë kundër Kosovës, dhe kanë dështuar, do të paraqitet në zgjedhjet e ardhshme me pikëpamjen se, luftuam e nuk u dorëzuam. Por, edhe pse kryeministri Cvetkoviç ka shqiptuar vitin 2011, kjo nuk mund të ndodh, përveçse, vajtimi serb synon të mbajë ngritur dhëmbshurinë europiane, për t’ia përshpejtuar Serbisë disa procese të integrimit. Kjo ka ndodhur, edhe mund të përsëritet, por deri atëherë sa të vijë kushti, “s’ka BE pa njohje te Kosovës”. Bashkimi Europian nuk mund të bjerë në një gabim të thjeshtë të tashëm, ngatërresash të ndërlikuara të mëpasme. Sfidën ndaj Perëndimit, Serbia e ka “luftë të shenjtë” të pashpallur: nga fushëhumbja në Kosovës, e dërgoi në Hagë, e po këmbëngul ta fitojë në Pallatin e Qelqtë në Nju Jork, përpara 192 shteteve. Ajo përfiton që, nga 22 korriku e deri në shtatorin e afërt, shtetet nuk kanë kohën e mjaftueshme për të shpallur njohje të reja dhe, si, në lojën e shahut, Beogradi mendon që,“caitnoti” i tyre favorizon Serbinë për lëvizjen e re. Por kryeneçësia e Beogradit nuk mund të mos përplaset me drejtësinë që ka Kosova rreth çështjes dhe mbështetësit e mëdhenj perëndimorë, të cilëve, në këtë sfidë, u takon të kërkojnë që Asambleja e Përgjithshme e OKB të pajtohet me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo do të shëntonte humbjen tjetër të Serbisë. Qeveria e sotme e Beogradit, me dy dështime e pas deklarimesh absolute me “kurrë”, ndoshta e ka humbur tagrin të shkojë drejt bisedimesh për çështjet teknike. Për pasojë, duket sikur gjithçka rrokulliset mbrapaktheu në Beograd, për t’u gjetur njerëzit e duhur, për formulën politike të mundshme, “pavarësinë nuk e njohim, por do të bashkëpunohet me Kosovën”. Këto zëra, tanimë, nuk mungojnë në Serbi.