E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama fshihet pas pushimeve

Konferencat për shtyp të djemve me pajë financiare që ka thirrur Edi Rama s’e mbrojnë atë nga tërheqja politike që pritet të kryejë. Për një muaj rresht, ai do kryejë një opozitë virtuale, në pritje që si dikur Mao Ce Duni, të ritkthejë në skenë “opozitën e fletërrufeve”. Mungesa e opozitës s’fshihet dot as nga fabrikimi i incidenteve tek ura e Pezës e as nga porositë me celular apo audio në mediat e sponsorizuara prej tij


Pritet një muaj virtual në godinën e PS-së, meqenëse Edi Rama ka vendosur të nisë pushimet, dhe në vend të pranisë së tij, do të shfaqen herë incidente në rrugën ku mendohej të kalonte kryetari, herë ndonjë mesazh në celular apo audio i kryetarit në ndonjërin nga televizionet e kontrolluara prej tij, apo edhe herë të tjerë përcjellja e mesazheve të kryetarit nga zëdhënësa a djem me pajë financiare, meqenëse për momentin, ai s’ndodhet i disponueshëm. Kjo situatë ka ditë që ka nisur në godinën e PS, edhe pse virtualiteti s’e ndal dot furtunën që po afron në ngrehinën ylberiste. Simptomat e kësaj vere të gjatë dhe të nxehtë përshkallëzojnë problematikën eventuale të liderit të Partisë Socialiste dhe nisur nga lufta e brendshme në ngrehinën ylberiste, bëhet gjithnjë e më kritike vijueshmëria e jetëgjatësisë së tij politike. Prirjet rebeluese dhe kah nxjerrja jashtë ligjit e mendimit ndryshe në PS, faktorë të cilët e dobësojnë së tepërmi pozitën dhe rolin administrative të kryetarit të socialistëve, e detyrojnë këtë të fundit, të sajojë incidente nga më të ndryshmet, kriza të paqena, konflikte të panevojshme dhe male të tëra me gënjeshtra e mashtrime. Kryesocialisti në detyrë dhe grupi i tij i djemve me pajë financiare, për hir të mbijetesës politike është i detyruar të tallet me veten e vet dhe të krijojë iluzionin e një rreziku permanent, paçka se e vërteta i “degdis” ata tek pushimet e sheikëve. Po kujtojmë se veç dy ditë më parë, Edi Rama dhe mediat e kontrolluara prej tij, gërthitën me të madhe për një atentat tek ura e Pezës, urë mbi të cilën na kaloka 4 herë në ditë, kryetari i Partisë Socialiste. “Digjet ura, Rama në rrezik”, thoshte me germa kapitale njëra prej fletushkave të Edvin 2K-së. Alarm i turpshëm dhe që në vetvete ka një shpjegim shumë racional, por që kryetari i socialistëve sigurisht që do ta anashkalojë me sa të mundet: krijimi i një terri informativ, për të sajuar aludimet se incidenti është i qëllimshëm dhe lidhet me pozicionin e tij politik. Fatmirësisht plani për ta bërë të madhe dhe për ta lidhur me prapavijë politike, dështoi në mënyrë spektakolare, sepse pjesa dërrmuese e medieve të shkruara dhe elektronike e satirizuan “incidentin”, duke e quajtur qesharak. Në gjithë këtë furtunë, Edi Rama ka edhe shumë probleme të tjera, të cilat rëndojnë mbi supet e tij e që po bëhet çmos që të mos ia prishin tërheqjen njëmujore nga hallet, krejt njëlloj si Mao Ce Duni kur u përpoq të prodhonte teorinë e 100 luleve e 100 shkollave, apo thënë shkoqur “teorinë e fletërrufeve”. Shumëfishimi i taksave të qytetarëve dhe llogaridhënia, proces të cilit ai s’i shmanget dot, e ka sjellë atë në një kolaps kritik, përsa kohë janë dhjetëfishuar detyrimet që paguan komuniteti në dobi të njësisë vendore, dhe s’ka asnjë shenjë që ato kthehen në shërbime të qytetarëve. Procesi i mbledhjes së taksave dhe gjezdisja e shumave të mëdha, të cilat s’dihet se nga përfundojnë dhe në xhepin e kujt fundosen, anashkalojmë këtu kryetarin e Bashkisë, i cili figuron si i pastrehë dhe në “borxhe” financiare... Po ashtu edhe brohoritjet për krizë dhe kolaps ekonomik të vendit, janë pjellë e ‘shtirjes’ njerëzore për të bërë hallexhiun edhe në lulëzim, të sëmurin edhe në gjendje të shëndetshme, budallain edhe atëherë kur ende s’je bërë për në spital psikiatrik. Të gjitha këto hallka të cilat domosdo i përshkon jetëgjatësia e njeriut, i bën në të njëjtën kohë Edi Rama. Lidershipi i tij vazhdon gjithnjë e më shumë të vishet me llumin e paaftësisë dhe çjerrjen e pafrytshme. Problemet e Ramës reflektohet gjatë muajit gusht, një muaj i qetë, i gjatë dhe i nxehtë praktikisht, pritet të përshkallëzojë simptomat e fraksioneve të brendshme në Partinë Socialiste, drejt një rebelimi që do kërkojë mbulimin e kostove të rënda 11 mujore, shkaktuar nga politika e dështuar e Edi Ramës. S’ka incidente dhe s’ka krizë, kriza e vetme është Partia Socialiste me politikën e saj kasnece dhe Edi Rama me fabrikimet e tij, duke u tallur me veten, me idenë se do thithë mëshirën e ndokujt.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›