E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trashëgimia - të gjitha rrugët të çojnë tek reforma

Kam drejtuar për mëse 2.5 vjetësh, dy parqe arkeologjike dhe pothuajse kam një përvojë në menaxhimin e një strukture të re si pjesë e trashëgimisë. Parqet arkeologjike u krijuan si një eksperiment, duke u nisur nga përvoja e shkëlqyer e Butrintit, në vjeshtën e vitit 2006. Kur kam filluar punë si punonjës i thjeshtë, gjëja e parë që më bëri përshtypje ishte e lidhur pazgjidhmërisht me pyetjen: Ku janë zyrat e parkut arkeologjik? Ku ka zyra - më thanë. Prej asaj kohe duke u shkërmoqur rreth 3.5-4 vite jete të këtyre institucioneve, ky problem është edhe sot prezent. Mirëpo në analizën për këto struktura kërkon të marrësh të gjithë zërat në skaner të hollësishëm për të shqyrtuar gjithë punë si dhe bilancin e këtij udhëtimi katërvjeçar. Ndërkaq një shpatë si ajo e Damokleut po i rri tek koka. Kjo është reforma e propozuar. Nëse reforma merr udhë, pra çdo të ndodhë me këto struktura apo qeliza, që treguan si menaxhohet trashëgimia në Shqipëri. Cilat janë të mirat e saj dhe pse u pa me skepticizëm nga specialistët e trashëgimisë?
Suksesi i parqeve arkeologjike/është një fakt që askush nuk mund ta mohojë; Suksesin që patën parqet arkeologjike. Ato u krijuan përmes vështirësive që sillte buxheti i vitit 2006 dhe një sërë fenomenesh si mungesë zyrash, rrugësh, mjeteve të komunikimit, energji (telefoni s’bëhej llaf), largësi nga qendrat e banuara etj. Strukturat e para ishin me një personel gati të thjeshtë prej 5 vetësh. Ky personel përbëhej nga 2 restauratorë, 1 arkeolog, 1 financier dhe 1 drejtues. Përse nuk kishte punëtorë në një strukturë të tillë? Ishin perceptuar si institucione shkencore, gjë që solli një zhgënjim sepse nëpër rrethet ku u ndërtuan parqet arkeologjike, nuk mund të bëhej fjalë për personel të kualifikuar të kësaj natyre dhe si rezultat strukturat e tyre u mbushën vetëm me rrogëtarë. Ishin mirëfilli një administratë e vogël dhe e rehatshme. Ndonjë foto, ndonjë lajm për monumentet, asgjë më shumë. Mirëpo ndryshe nga një pjesë e administratës të cilës ende i mungon pozicioni i punës i përshkruar, këtu ishte i përcaktuar qartësisht puna e gjithë secilit, sepse përvoja e mirë quhej Butrint. U botua edhe libri i trashëgimisë me të gjithë ligjet e saj, u dha territori por nuk u dhanë hartat, edhe sot e kësaj dite, nuk janë të firmosura. Ose janë dhënë vende të cilat kanë të dubluara të njëjtën sipërfaqe. Amantia është përkufizuar 15 ha, mirëpo banorëve të kësaj zone në vitin ’92, kur iu nda toka, ju dha banorëve si tokë kullotë pikërisht hapësira e zonës arkeologjike. Parqet arkeologjike ishin të ndërtuara me strukturën mbikëqyrëse: Bordi i parqeve arkeologjike, që bënte miratimin e marrëveshjes vjetore të parqeve. Pikërisht ishte kjo strukturë e cila krijoi barrierën e saj për parqet arkeologjike. Aty kërkohej të jepeshin të dhëna të sakta për personelin. Duhet thënë se edhe në kohë të shkuar trashëgimia ruhej nga njerëz që kishin haber nga kjo fushë, prandaj kur ndonjëri ngulmonte për të shkuar atje, i thuhej: “Shko në një vend që të bësh sa më pak dëme”. Kur u pa se veprimtaria e parqeve arkeologjike do të monitorohej rreptësisht nga Ministria, drejtoria e trashëgimisë dhe Bordi, barriera këto të pakalueshme, kjo nxiti kërkesën edhe punën në parqet arkeologjike. Ndryshe nga pjesa tjetër e administratës, parku në fund të vitit duhet ta paraqiste punën e tij me foto dhe të shqyrtohej hollësisht çfarë ishte bërë në 3 muaj, gjashtë, në përmbyje të atij moti, cili ishte rezultati i produktit të krijuar, etj. Kështu parqet ndryshe nga DRMK aktualisht Drejtoritë e Kulturës në rrethe, përsosën punën dhe sollën një ndryshim drastik në menaxhimin e vlerave. Parqet promovuan vlerat e tyre në botime, shtuan të ardhurat e fushës së turizmit, u bënë atraktive dhe turistët e huaj sot i kërkojnë si pika arkeologjike për t’i vizituar.
Përse shpata e Damokleut është më e mirë se rrugëzbritja e tyre/është propozuar një reformë nga Prof N. Ceka për trashëgiminë. çfarë pësojnë parqet arkeologjike nëpërmjet kësaj reforme? Ato sipas idesë së dhënë shkrihen brenda strukturës së DRMK-ve të rretheve. Reforma në fusha të tjera edhe mund të mos jetë efikase, mirëpo në këtë fushë ajo është domosdoshmëri. Përse është domosdoshmëri? Ja arsyet përse shpata e Damokleut që ka 5 muaj që rri tek koka duhet të presë, por sa koka parqesh pret dhe pse duhet t’i presë? 1-Parqet arkeologjike pas katër vjetësh ekzistencë një pjesë e tyre janë ende me zyra me qera apo të dhëna nga institucione të tjera. Në njëfarë mënyre janë institucione me plaçka në krah; kështu Lezha, Bylisi, Amantia, Antigoneja. A do të ndërtohen zyra? Kostoja e sotme e ndërtimit është e lartë. Buxheti i shtetit ka mjaft probleme për të zgjidhur... 2-Drejtuesit e shumë prej këtyre institucioneve nuk janë të profilizuar në këtë fushë. 3-Specialisti arkeolog - më shumë është gjetur një njeri që duhet për të marrë rrogën sepse arkeologët janë të pakët në zonat ku shtrihen parqet arkeologjike. 4-Parqet nuk kanë mjete transporti. 5-Distancat e parqeve arkeologjike nga qendrat e banuara janë në largësi të mëdha, duke krijuar kështu prezencën e përhershme të tyre në këto qendra. 6-Raporti administratë-punëtor është në favor të administratës. 7-Shumë prej parqeve nuk kanë një infrastrukturë rrugore e cila ndihmon vizitorët.
Rrugëzgjidhjet/Mendoj se parqet Lezhë, Shkodër, Amantia, Bylis e Antigone duhet të përfshihen në reformë dhe të shkrihen me DRMK. 7 Arsyet që citova janë të mjaftueshme. Jashtë kësaj reforme duhet të mbeten 2 parqe; Butrinti dhe Apolonia. Janë parqe arkeologjike me sipërfaqe dhe numër të madh objektesh si dhe me një vizitueshmëri të madhe. Një arsye tjetër është sepse ato janë edhe emblema e arkeologjisë shqiptare që njihen brenda dhe jashtë vendit. Me reformën përmbyset raporti punëtor-administratë duke shkuar në favor të punëtorit dhe mirëmbajtësit të monumenteve. Por ky shton rrezikun tjetër që ka ekzistuar si një përvojë e keqe. Deri në vitin ‘98 kanë ekzistuar punëtorët të cilët paguheshin si roje që në fakt ky ishte një lloj pensioni pleqërie, sepse as gjendeshin kurrë në punë dhe s’kishte kush t’i vendoste në punë. Me këtë strukturë është përgjegjësi i parkut brenda DRMK që u jep planin e punës javor si dhe bën kontrollin e punës një herë në javë. Tjetër faktor pozitiv është se shtohen punëtorët e mirëmbajtjes në disa pika që nuk kanë pasur si Kanina dhe Borshi për rrethin e Vlorës. Kundërshtimet që i bëhen kësaj reforme është se preken shumë rrogëtarë të cilët kanë menduar më mirë të këmbëngulim të qëndrojnë si janë përndryshe fluturon puna, sesa ta pranojnë reformën e cila do të pasurojë Drejtorinë e Institutit. Pra gjendet një kleçkë që reforma të mos thellohet. Amantia, Bylisi, Shkodra, Lezha, Antigoneja nuk sjellin më asgjë të re në vizitueshmëri dhe përfshirja në strukturën e DRMKS është efikase, sepse këto struktura kanë mjetet e brigadat përkatëse. Të logjikojmë pak. çfarë i duhet një personeli me 5 vetë një financier që ka punë vetëm 5 ditët e para të muajit? Cfarë i duhet një specialist mjedisi parkut në rrethin e Gjirokastrës, përveçse është një rrogëtar.
Me këtë reformë struktura administrative mblidhet nën një vend të vetëm, ka mjete transporti, brigada punëtore, financierë, juristë e gjithçka më të fuqizuar për të zhvilluar. është dhimbje për t’u provuar, por është domosdoshmëri për trashëgiminë, e cila duhet të jetojë edhe pa rrogëtarët e shumtë. Të jetojë trashëgimia dhe të ikin rrogëtarët, sesa të rrojnë rrogëtarët dhe të ikë trashëgimia.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›