E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS del kundër privatizimeve, kërkon rikthimin e kolektivizimit

Përpjekjet sistematike për të delegjitimuar ekonominë reale duke akuzuar deri institucionet zyrtare të pavarura e të specializuara të shtetit për manipulim të dhënash, ishin një mesazh mjaft i keq, që nuk u shërben interesave të vendit. Partia Socialiste nuk ndalet në sadizmin e saj por shkon edhe me tej. Ndonëse sinjalet ishin dhënë qysh në takimin-duet të xhumasë ku Edi Rama dhe Shkëlqim Cani folën për krizën ekonomike, duke dalë hapur kundër privatizimeve që ndihmojnë ekonominë. Bile ata nuk u mjaftuan të “denoncojnë” por hodhën në treg “frikësimin” dhe “kërcënimin” se kur ata do të vinin në pushtet do të vinin në dyshim ligjshmërinë e këtyre privatizimeve, çka nënkupton se ato mund të shtetëzoheshin në rastin e parë. Jo vetëm Edi Rama e ka përcjellë këtë “kërcënim”, por ato u konfirmuan edhe nga kloni i tij njerëzor e politik: Edi Shalësi e shijoi riciklimin e këtyre rikthimeve prapanike në kohë në një konferencë ambulante për shtyp. Madje Edi Shalësi pati edhe paturpësinë të akuzonte pushtetin qendror se “përditë kjo qeveri po gllabëron troje publike, ky komunitet ka të drejtë të dijë se çfarë po ndodh me këtë pronë, ka të drejtë të informohet se përse kjo prone…”. Mirëpo a nuk ishte Edi Shalësi, nënkryetari i Bashkisë Tiranë që me lejet e shefit të tij, ka gllabëruar trojet publike, për shembull shitjen e truallit ku sot është kompleksi “Tajvan”, apo kullat e ndryshme të Fidelit, të Sadri Abazit, të Tan Gaçit e Tan Dulakut, Valentina Leskajt, të Koço Kokëdhimës, apo të tjerë siamezëve të Dash Pezës? Karteli i ndërtimit socialist ka 10 vjet që u zhvat qytetarëve të Tiranës mijëra metra katrorë gjelbërim, duk u shtuar atyre stres dhe ndotje toksike që janë 3 herë mbi standardet e BE-së.
Si dje nënkryetar i Bashkisë, po ashtu sot nënkryetar grupit parlamentar socialist, Edi Shalësi ngelet paturpërisht një shtojcë e vizionin kooperativist që ka lideri socialist Edi Rama për ekonominë. Anarkizmi i tij ia lejon të dalë kundër privatizimeve prandaj “kërcënon” me nënkuptime të shtetëzimeve të aseteve që do të hidhen në treg sipas kushteve ligjore dhe transparente duke u publikuar në shtyp me muaj të tërë.
Besojmë se Shkëlqim Cani, ish-Guvernator i Bankës së Shqipërisë dhe administror burse i “Exchange”, të këmbimit valutor të të vëllait, duhet t’i ketë shpjeguar Edi Ramës se privatizimi dhe investimet direkte të huaja mund të jenë shumë fitimprurëse për një vend me ekonomi në zhvillim, më një forcë punëtore të specializuar, dhe institucione të fuqishme shtetërore, të cilat kanë zbatuar një legjislacion të kompletuar të sferës ekonomike që ka rregulluar detajisht konkurrencën. Edi Rama duhet të kuptojë paradoksin e ekonomisë që thekson se prona publike është prona e askujt dhe duke qenë e tillë, është e paracaktuar të falimentojë. A nuk mjaftuan 45 vjet shpronësim, kolektivizim, tufëzim, hozrashot e më the e të thashë për të kuptuar këtë gjë? Kolektivizimi i viti 1967 është absurdi më i madh i kohës: brenda 4 muajve u ngritën rreth 500 kooperativa bujqësore në 12 rrethe. Ky vit shënoi kolektivizimin e të gjithë vendit, që koha tregoi që ishte e mbetet absurdi më i madh, sipërmarrja që zvetënoi ekonomikisht të gjithë popullin. është e vërtetë që kolektivizimi u krye, por nuk është aspak e vërtetë se ishte dëshira e popullit shqiptar ta bënte këtë akt. është e vërtetë që kolektivizimi u krye, por imazhi i krijuar është i stisur.
Sidoqoftë vendi ynë kaloi nga feudalizmi i latifondeve ekonomike duke shkuar në ekstremin tjetër të kolektivizimit të pronës e të pasurisë dhe ngritjen e kooperativave duke harruar të ndalonte në stacionin e vendeve perëndimore që përqafuan ekonominë liberale kapitaliste: ku padyshim privatizimi i aseteve publike ishte e vetmja mundësi për menaxhim më efikas, shërbime më të mira, efikasitet, etj. Natyrisht, privatizimi është parakusht për hapje të vendeve të reja të punës dhe rrjedhimisht zbutje të varfërisë dhe parakusht i domosdoshëm për zhvillim ekonomik. Secila analizë empirike do të dëshmonte se me privatizimin e deri-tanishëm të ekonomisë shqiptare e kanë ndihmuar mirë-pasjen e qytetarëve të republikës dhe të demokracisë. Por as duhet të harrojmë se siç shprehen ekspertët liberalë të ekonomisë problemi nuk është në privatizimin si të tillë, por me mënyrën e privatizimit, me korrupsionin gjatë privatizimit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›