Nxitimi i qeverisë për ligjin e regjistrimit të popullsisë dhe SQARIMET gjysmake të Pollos
(E PERDITESUAR)- Një gazetë e qeverisë kishte publikuar sot se Kuvendi pritet të fusë në procedurë të përshpejtuar shqyrtimin e projektligjit për regjistrimin e popullsisë. Seanca ishte lënë për të martën e jo si zakonisht të enjteve. Kuvendi miratoi vendimin për shqyrtim të përshpejtuar dhe një deputet çam lau gojën kur tha se ishte kundër. Një gjë që të bën përshtypje është se përse ky nxitim për këtë ligj. Për më tepër, Genc Pollo i një ministrie me emër të çuditshëm, tha për gazetarët se bëhej fjalë për të diskutuar disa ndryshime në projektin e tre viteve më përpara. Pak a shumë ky regjistrim do ndahet nga regjistri i gjendjes civile dhe lista e votuesve. Ndërkohë ai tha se në vjeshtë do diskutohet e votohet për regjistrimin në bazë etnie e feje. Duke folur me shpejtësi, ai nuk u la kohë gazetarëve për ta pyetur. Meqë është një gjë pa ndonjë rëndësi, nuk kuptohet pse projekti u fut me procedurë të përshpejtuar. Aq më tepër nuk kuptohet se si do e miratojë qeveria në vjeshtë këtë projekt dhe do e nisë në vjeshtë regjistrimin, kur duhet së paku dy muaj fushatë informimi. Të paktën një gjë e tha Pollo: që do ketë gjoba për ata që mashtrojnë gjatë regjistrimit, gjoba që shkojnë deri në 1 milion lekë të vjetra.