Rama në Austri, krizën greke e paraqet si krizë shqiptare
S’ndalet roli i politikanit pa atdhe, që s’lë rast pa sulmuar racën e shtetin prej të cilit vjen. Në Austri, vendi që më shumë se të gjithë e njeh performancën e Shqipërisë, Edi Rama ka marrë rolin e paraqitjes së vendit tonë si bërthama e krizës, si vatra e së keqes, e cila po infekton jo vetëm atdheun, por edhe miqtë e tij helenë
U tha se në Preshevë trajtoi problematikën e thellë sociale me të cilën bashkëjetojnë shqiptarët e atjeshëm, por në të vërtetë mendjen e kishte te shitjet e “Kurban”-it edhe pse në këtë paçavure sharjesh të pafundme nuk thotë qoftë edhe një fjalë të vetme për çështjen shqiptare dhe problemet e mëdha që bashkëshoqërojnë shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës. Pasi la Preshevën në mjegullën e dimrit të acartë, mbërriti menjëherë në Athinë ku sigurisht iu rezervuan 2-3 takime me zyrtarë të PASOK, në prani të të cilëve “zgjodhi” të shajë me nënë dhe babë Shqipërinë dhe me “libër shpie” shqiptarët që s’i besojnë votat çmendurisë së tij. Por tashmë atë e ka zënë një sindromë me simptoma të pa-kurueshme, ndërsa për opinionin publik shqetësimi i tij është i paqartë. Kudo që shkon, ai flet për krizën greke! Më pak se një javë nga vizita e beftë në Athinë, ku s’la fjalë pa thënë për Shqipërinë, si për ngërç institucional dhe krizë imagjinare, apo dhe për një situatë që sa vjen e bëhet më katastrofike, sa për t’iu lepirë PASOK-ëve, kuptohet të gjitha këto i lidh me kuadrin makro-ekonomik, e njëjta ndjenjë paranojake e ka shoqëruar edhe në Vjenë, kryeqytetin austriak, gjatë takimeve të zhvilluara me nivelet e dyta politike apo dhe qeveritare. Nga Austria, Edi Rama kulmoi me deklarata absurde dhe jashtë çdo konteksti normaliteti se sipas atij, Austria mbështet programin e Partisë Socialiste dhe padyshim, edhe taksimin progresiv në ekonomi. Si të mos mjaftohet me kaq, vjen dhe qëndrimi shokues se zyrtarë të qeverisë austriake, ekspertë të financave mbështesin taksimin progresiv. Rama harron, ose memoria e tij është njësoj si karriera e tij politike, pra e pashpresë, që Austria ka prezencën e dytë më të madhe me investime në Shqipëri. Dhjetëra kompani austriake zhvillojnë biznesin e tyre në vendin tonë dhe kanë gjeneruar në mijëra vende pune që prej vitit 2005-ë. Këto janë fakte konkrete dhe të pamohueshme, pavarësisht dashakeqësisë së apatridit të socialistëve për ta paraqitur Shqipërinë në botë si vatër krize, bombë me sahat etj. Edvini zgjodhi vendin e gabuar për të “evropianizuar” platformën e tij marksiste, për rrënimin ekonomik të Shqipërisë. Austria është vendi me lirinë ekonomike më të konsoliduar ndër 27 vendet e Bashkimit Evropian dhe 17 nënshkrueset e Eurozonës. Por po aq eficent dhe rezultativ mbetet dhe kuadri fiskal përmes taksës së sheshtë dhe ndërthurjes së mirë studiuar me taksën progresive. Aq më tepër kur flasim për një shtet që thuajse të gjithë ekonominë ia ka besuar privatit me kontrollin rregullator të gjithëpranuar të shtetit. Pra, Edvini doli bllof. Ato 10 fjali që nxori nga goja e tij prej shpellari, “për situatë të nderë në Shqipëri” apo dhe se “Shqipëria është vatër e krizës që s’do e lejojë të integrohet në BE”, tregojnë thjesht e vetëm mentalitetin e rrënuar të pinjollit të diktaturës dhe mendësinë e tij për ta degdisur vendin në errësirën e gjendjes së tij shpirtërore. Në të vërtetë, kuptohet se halli i këtij apatridi të pashpresë, nuk është se si po i shkojnë punët Shqipërisë, pasi prej kohësh ai i ka vijën çdo përpjekje ambicioze dhe tunduese të vendit, në kuadër të politikave të integrimit, por shqetësimi i tij qëndron diku gjetkë, pasi miqtë nga Athina s’i japin dot më mbështetjen e “pakursyer” në dobi të reaksioneve anti-demokratike, për rrëzimin e qeverisë. Prandaj, kriza greke është shndërruar në sindromë të pariparueshme për të dhe kësisoj, s’do mend të kuptohet se politikani pa atdhe ia ka lidh të rrënohet bashkë me borxhet greke. Megjithatë, ekziston një zgjidhje. Nëse ky politikan i pashpresë shqetësohet vërtetë kaq shumë për humnerën buxhetore të Greqisë, le të depozitojë në bankat greke milionat e tij të fshehura në dhjetëra e qindra banka zvicerane apo dhe austriake. Aty mund ta aplikojë fare mirë taksimin marksist...pasi s’bëhet fjalë për një ekonomi që gjeneron vende pune, e kundërta!