E Shtunë, 31 Tetor 2026

OBSH 45 e aksidenteve shkaktohen nga alkooli

Në botë 45 përqind e aksidenteve në sezonin e verës ndodhin si pasojë e konsumimit të alkoolit. Kjo e dhënë e OBSH, sipas specialistëve të alkoolit, në vendin tonë pretendohet të jetë më e madhe. Ndaj ata këshillojnë drejtuesit e automijeteve të tregohen të kujdesshëm.

“Në nivel botëror, 45 % e aksidenteve shkaktohen nga konsumi i rrezikshëm i alkoolit. Ne absolutisht që jemi mbi këtë shifër. Tani që ka ardhur sezoni i verës, sidomos të rinjtë i ftoj që të kenë shumë kujdes, të mos përdorin në sasi të mëdha alkool”-thotë Shpëtim Doksani, specialist i alkoolit.

Doksani njëherësh drejton dhe klinikën e trajtimit të varësisë nga akooli dhe sipas tij pjesa dërrmuese e personave, që trajtohen në të kanë pësuar aksidente si pasojë e drejtimit të automjetit në gjendje të alkoolizuar.

“50 % kanë histori me aksidente të vogla, me trauma në kokë, në shtyllën kurrizore që janë të rrezikshme. Për fat të mirë, rrallë me pasojë vdekjen, por kanë pësuar dëmtime, trauma”-thotë Doksani.

Të rinjtë janë personat, të cilët kryejnë më tepër aksidente gjatë verës dhe sipas specialistëve ata jo vetem drejtojnë automjetin të dehur, por dhe në disa raste konsumojnë dhe lëndë narkotike.

Julia Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›