E Shtunë, 31 Tetor 2026

OBSH: Rrezikon shpërthime epidemike në komunitete

Pandemia e gripit të derrit ka marrë përmasa të reja shqetësuese, duke u vlerësuar se ka arritur fazën e katërt të saj. Faza më alarmante ku një pandemi mund të arrijë është ajo numër gjashtë. Aktualisht, Ministria shqiptare e Shëndetësisë, duke iu referuar edhe situatës ndërkombëtare, si edhe rekomandimeve urgjente të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka deklaruar edhe në vendin tonë trajtimin e kësaj pandemie në përputhje me protokollet e fazës së katërt. Ndërsa është krijuar edhe një strukturë e re emergjence e quajtur Komiteti i Ekspertëve të Pandemisë së Gripit pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Faza e katërt e pandemisë së gripit, sipas OBSH-së, karakterizohet me transmetimin e virusit nga njeriu te njeriu, me "shpërthime epidemike në komunitete". Sipas përfaqësuesve të shëndetësisë, kjo aftësi për të shkaktuar shpërthime epidemike në komunitete, shënon një kthesë të rëndësishme për rritjen e rrezikut të pandemisë. "Çdo vend që dyshon ose ka verifikuar një ngjarje të tillë, duhet të konsultohet menjëherë me OBSH-në, në mënyrë që situata të vlerësohet bashkërisht dhe të merret vendimi nga vendi i prekur për një ndërhyrje të shpejtë". Ka qenë ky një ndër rekomandimet e OBSH-së për të gjitha vendet anëtare të saj, mes të cilëve edhe për Shqipërinë. Ky paralajmërim bëhet në mënyrë që të kufizohet pandemia.

Autoritetet shëndetësore pohojnë se faza e katërt tregon se ka një rritje të rëndësishme të rrezikut të pandemisë, por nuk do të thotë që kjo pandemi domosdoshmërisht ka ndodhur. Për këtë arsye, në mbështetje të ligjit "Për sëmundjet infektive", dokumentit "Rregullorja ndërkombëtare shëndetësore", si dhe "Planit të kontigjencës për pandeminë e gripit", me urdhër të ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, u ngrit dje Komiteti i Ekspertëve të Pandemisë së Gripit pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

"Komiteti i Ekspertëve ka për detyrë të mbështesë ministren e Shëndetësisë në përditësimin dhe zbatimin e planit të kontigjencës mbi pandeminë", shprehen përfaqësuesit zyrtarë të Ministrisë shqiptare të Shëndetësisë.

Ka qenë vetë drejtoresha e përgjithshme e OBSH-së, e cila paraqiti se ka një rritje të shkallës së vlerësimit për pandeminë e gripit. Ajo deklaroi fazën e katërt të vlerësimit për pandeminë, ndërkohë që kjo fazë mund të ndryshojë në vartësi të vlerësimit të situatës. Dje është pranuar zyrtarisht se ka pasur përhapje të rasteve të të prekurve me simptomat e gripit të derrit, përveçse në Meksikë e SHBA edhe në Kanada, Spanjë, Zelandën e Re dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërsa autoritetet shqiptare të shëndetësisë garantojnë se në vendin tonë nuk është shfaqur asnjë shenjë e kësaj sëmundjeje dhe se për këtë po merren të gjitha masat, ndaj nuk ka vend për panik.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›