Shteti, aksione 49% me biznesin
Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese miratoi dje propozimin e qeverisë për krijimin e një qendre panairesh për biznesin, e cila do të pozicionohet në Fushë-Krujë, qytezë pranë Tiranës. I pranishëm në komision ishte zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo, i cili paraqiti arsyet e hartimit të projektligjit. "Nisma e re e ndihmon biznesin vendas dhe e afron më tepër në strukturat e Bashkimit Evropian", tha Bozdo. Projektligji "Për panairet" është mbështetur edhe nga grupet e biznesit. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Gjokë Uldedaj, tha se vendimi i qeverisë erdhi si propozim i vetë biznesit, pasi Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka një qendër të tillë biznesi. E gjithë qendra e panairit do të ketë një sipërfaqe prej 18 ha, ish-pronë e një ndërmarrjeje bujqësore. Qendra ndodhet shumë pranë aeroportit ndërkombëtar, kurse biznesi privat mendon të investojë rreth 30 milionë euro për ngritjen e institucionit të ri. Shteti do të ketë 49 për qind të aksioneve.