E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza shton proteksionizmin në Ballkan

Katër nga nëntë vendet e Ballkanit që kanë nënshkruar marrëveshjen për krijimin e zonës së lirë tregtare të Evropës Juglindore, ndërmorën masa proteksioniste gjatë ditëve të fundit në mbrojtje të prodhimeve bujqësore vendase nga konkurrenca e fqinjëve. Shqipëria përdori barriera "jotarifore" përmes sistemit të çmimeve referencë në dogana, për të rritur koston e patateve të importuara nga Kosova, një masë që thuhet se synon të shpëtojë prodhuesit e patateve në zonën e Kukësit. Parlamenti i Bosnjë- Hercegovinës ndërmori hapin më ekstrem në rajon, kur miratoi rivendosjen e tarifave doganore për të gjitha mallrat bujqësore të importuara nga vendet fqinje, Serbi dhe Kroaci. Mishi, qumështi, bulmetet, frutat, zarzavatet, pijet alkoolike e të tjera, do të taksohen sapo ligji i ri të hyjë në fuqi, gjë që shkel Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA.

Maqedonia shpalli një plan për të subvencionuar me 100 milionë euro industrinë e vet eksportuese "për shkak të krizës botërore", gjë që pritet të zhbalancojë konkurrencën në rajon, veçanërisht në marrëdhëniet e tregtisë me Shqipërinë. Duke përfituar nga paniku i hapur me gripin e derrave, Serbia shpalli dje ndalim të menjëhershëm të import-eksportit të këtij produkti, i cili ka rëndësi të konsiderueshme për këtë vend. Për shkak të pyjeve të saj me lisa, derri vlerësohet si faktori ekonomik që krijoi forcën shtetformuese të Serbisë në shekullin XIX, ndërsa së paku në një rast Serbia hyri në një luftë ekonomike me Austrinë, e quajtur "Lufta e derrave".

Valë proteksioniste në Tiranë

Zyrtarë të ndryshëm të qeverisë, si dhe përfaqësues të qarqeve të biznesit, diskutuan në Tiranë raportin vjetor të Qendrës Shqiptare për Tregti Ndërkombëtare, ACIT, dhe gjatë diskutimeve ishin të shumta propozimet dhe kërkesat për "masa proteksioniste", në mbrojtje të prodhimit bujqësor vendas. Në të njëjtën kohë, media kosovare raportoi shqetësimet e disa tregtarëve mbi vendosjen e tarifave doganore bllokuese nga ana e Shqipërisë. Shqipëria importon një sasi të vogël patatesh nga Kosova, rreth 150 mijë euro në vit. Një qarkore e Ministrisë së Financave i urdhëroi doganat të marrin si çmim reference kuotën 50 cent të euros për kilogram, kuotë kjo dy-tre herë më e lartë sesa çmimi me shumicë i patateve në tregun shqiptar.

"Kjo masë ka shkaktuar ndërprerjen e eksportit të patateve në Shqipëri", thotë Bedri Kasumi, njëri prej eksportuesve më të madhej në Kosovë dhe pronar i fabrikës "Pestova". "Me këtë vendim na kanë larguar prej tregut automatikisht", tha ai i cituar nga e përditshmja "Ekspres" e Prishtinës. Teorikisht, Shqipëria ka rritur referencën doganore për pataten e importuar nga rajoni, por në fakt kjo masë rëndon vetëm mbi Kosovën, pasi nga vendet e tjera nuk ka importe.

Një rrugë drejt "ferrit"

Masat proteksioniste bujqësore janë konsideruar nga të gjithë ekspertët si "rruga që çoi botën drejt ferrit" gjatë Depresionit të Madh të viteve 1929-‘33. Rritja e tarifave doganore është një masë që mund ta kryejnë të gjithë. Nëse Shqipëria rrit doganën për një mall, Maqedonia e rrit për një tjetër e kështu krijohet një rreth vicioz që bllokon tregtinë dhe i zhyt në vështirësi të ndërsjellët të gjithë. Por disa besojnë se masat proteksioniste të ndërmarra nga vendet e Ballkanit së fundmi nuk do të sjellin ndonjë pasojë të rëndësishme as negative dhe as pozitive, për shkak se volumi i përgjithshëm i tregtisë së këtyre vendeve me njëri-tjetrin është shumë i vogël.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›