OBSH: Të rezervohen vaksina për të varfrit kundër gripit të derrit
Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka kërkuar kompanive farmaceutike të rezervojnë një pjesë të vaksinës kundër gripit të derrave për vendet e varfra. Organizata ka pranuar se nuk mund të prodhohet vaksinë për çdo person dhe ka bërë thirrje që firmat të dhurojnë të paktën 10 për qind të prodhimit, ose të ofrojnë vaksinë me çmim të ulët për vendet e varfra. Ato mund të mos furnizohen, nëse kërkesa do të jetë e lartë. Kështu, 6 nga 20 prodhuesit e vaksinës, që u takuan me shefin e OKB-së, Ban Ki-Moon në Gjenevë, ranë dakord që të dhurojnë 10 për qind të tyre. OBSH-ja bëri të ditur se bota duhet të jetë vigjilente ndaj përhapjes së virusit, pasi ende ndodhemi në zonën e rrezikut. Aktualisht janë konfirmuar rreth 10 mijë raste në 40 vende të botës, ndërsa numri i personave që kanë humbur jetën ka shkuar në 80. Ministrat e Shëndetësisë së botës po diskutojnë për mënyrat e ndaljes së përhapjes së sëmundjes. Ndikimi i një pandemie të Gripit A pritet të jetë më i madh në vendet e varfra, ku njerëzit vuajnë nga sëmundje si SIDA apo malaria dhe janë më të rrezikuar nga gripi, për shkak edhe të sistemit të dobët shëndetësor.
21 Maj 2009