E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrata sekrete, Pinari i dha vetes me koncesion Kombinatin e Armëve në Poliçan

Zbardhen kontratat mes Kombinatit dhe kompanisë private “Helmtech Development”. Firma private është regjistruar në ishujt Seishell të Anglisë dhe ka pronar Ylli Pinarin

Habjon Hasani

Tiranë - Atë që jepte me dorën e majtë e merrte prapë me të djathtën, duke e kthyer veten në epiqendrën e një biznesi milioner armatimesh. Është Ylli Pinari, ish drejtori i “MEICO”-s i cili që prej vitit 2006, ka marrë me koncesion thuajse të gjithë linjën prodhuese të Kombinatit Mekanik të Poliçanit. Bazuar në dokumente autentike që prokurorët ia gjetën në kompjuterin e të birit, Ylli Pinari rezulton si “golashënuesi” i një skeme tërësisht korruptive. Historia nis me fillimvitin 2005, kohë kur Ylli Pinari iu drejtua një studioje ligjore angleze të quajtur “VENZEL” e ku i kërkonte që kjo studio të regjistronte në ishullin offshore të Seishellit një kompani në emër të tij. Zoti Pinari madje ka bërë dhe pagesën prej 1300 dollarësh amerikanë kundrejt studios ligjore dhe në vitin 2005 përveçse drejtor i ndërmarrjes “MEICO” ai rezultonte dhe pronar i kompanisë së regjistruar në Seishell të quajtur “Helmtech Development”. Po çfarë ishte kjo kompani cili ishte qëllimi i saj? Përgjigja na vjen sërish nga laptopi plot “xhevahire” i Ylli Pinarit. Në kompjuterin e tij janë gjetur disa kontrata të lidhura nga kjo firmë e Pinarit me Kombinatin Mekanik të Armatimeve në Poliçan , ku drejtorët e Kombinatit rezulton se i kanë kaluar kësaj kompanie private disa linja prodhimi me koncesion.
Kontratat
Janë të paktën tre kontrata të ndryshme të gjetura në dokumentet private të zotit Pinari që tregojnë se firma “Helmtech Development” kishte marrë tre herë radhazi me koncesion dhe kontrata enfiteoze pjesë dërrmuese të linjave të prodhimit të Kombinatit të Armatimeve në Poliçan. Kontratat janë lidhur nga dy drejtorë të Kombinatit si dhe një shtetas amerikan që firmoste si menaxher për llogari të kompanisë që Pinari e kishte në pronësi nga ishujt Seishell. Korrespondenca e drejtorëve të kombinatit me disa drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes por edhe me Pinarin(në rolin e drejtorit të MEICO-s) të lë të kuptosh se zoti Pinari nuk është se e ka ndërtuar këtë skemë “me kokën e vetë” pasi për këtë kontratë janë vënë në dijeni disa krerë të lartë të Ministrisë ndërsa në korrespodencë vërehet komunikimi shumë sekret, tipik për një aksion të mirëfilltë “për interesa shtetërore”. Vlen për tu theksuar fakti se këto dokumente nuk u gjetën në zyrën shtetërore të Pinarit por në laptopin që djali i tij e mbante në shtëpi. Madje pas shpërthimit në Gërdec, zotit Pinari iu regjistrua edhe një bisedë telefonike me ish shefin e Shërbimit Informativ Ushtarak (Hysnii Gjergji), ndërsa ky i fundit e udhëzonte Pinarin që të hiqte pa humbur kohë “ato dokumentet shumë të rëndësishme që vetëm ata i dinin”. Por ja që dokumentet që Pinari zhduku nga zyra, prokurorët ia gjetën në shtëpi. Organi i akuzës vendosi ti depozitojë në gjykatë këto dokumente bashkëngjitur dosjes “Gërdeci” dhe duket se ekspertët e prokurorisë kanë vlerësuar se paraqitja e këtyre kontratave dhe dokumenteve nuk përbën ndonjë sekret shtetëror.
Katjushkat
Kompania e krijuar nga Ylli Pinari në vitin 2005 firma “Helmtech Development” është një prej kontraktoreve më të mëdha të ndërmarrjes “MEICO”. Kjo firmë është evidentuar nga dosja e prokurorisë si një kompani që ka blerë një sasi shumë të madhe raketash “Katjushka”, ndërsa këto raketa janë sistemuar në bazën e Gërdecit disa ditë para se të bliheshin në mënyrë fiktive nga kompania fantazmë e Pinarit. Pas dy akuzave (për “shpërdorim detyre” dhe “aktivitet antiligjor me pasojë vrasjen e popullsisë civile në rrethana të cilësuara”) të shpallura prej kohësh ndaj tij, Ylli Pinari do të përballet edhe me akuzën e trafikimit të armëve. Prokurorët e dosjes “Gërdeci” kanë klasifikuar së fundi edhe këtë akuzë në drejtim të ish-drejtorit të shumëpërfolur të “MEICO”-s, duke e akuzuar atë edhe për përfshirje dhe drejtim të një aktiviteti antiligjor të shitblerjes së armatimeve shtetërore. Menjëherë pasi prokurorët e shpallën laptopin e Pinarit si provë të lidhur me hetimin, ish-drejtori i “MEICO”-s, ndonëse i arrestuar, e paditi Prokurorinë në gjykatë duke kundërshtuar marrjen e laptopit dhe cilësimin e tij si provë fizike. Por tashmë që gjykatat kanë dhënë verdiktin e tyre, prokurorët kanë zbërthyer shumë të dhëna të gjetura në kompjuterin e Pinarit, duke arritur madje ta lidhin atë edhe me pistën e trafikimit të armatimeve. Ylli Pinari ka drejtuar deri në detaje shumë shitje të dyshimta armësh duke qenë njëkohësisht dhe drejtori i “MEICO”-s si dhe “komisionari” apo ndërmjetësi që çonte armët në destinacion kundrejt përfitimit.

Pinari paditi prokurorët: S’keni punë me kompjuterin tim personal

I vetëdijshëm për “xhevahiret” që kishte harruar në laptopin e tij, Ylli Pinari kërkoi, fill pas arrestimit, shpalljen të pavlefshme të sekuestros që prokuroria kishte vënë mbi materialet e tij private. Por Gjykata Tiranës pushoi së gjykuari dy muaj më parë kërkesën e ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari. Gjyqtari i çështjes, Petrit Çomo, dha si argument për vendimin e tij se kjo kërkesë duhet t’i kalonte për kompetencë gjykimi Gjykatës së Lartë, duke qenë se dhe çështja në fjalë ka vajtur për gjykim në këtë gjykatë. Ylli Pinari, i cili akuzohet si një nga përgjegjësit për shpërthimin në Gërdec, kërkoi vetëm 2 muaj më parë (për të tretën herë rresht) që gjykata ta cilësonte të paligjshëm sekuestrimin e Prokurorisë. Sipas tij, pas arrestimit prokurorët kishin sekuestruar dokumente dhe sende personale të tijat, që nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen në fjalë. Nga shqyrtimi gjyqësor ka rezultuar se nga Prokuroria e Përgjithshme kanë filluar hetimet dhe është regjistruar Procedimi penal Nr. 3, viti 2008, ku po hetohet ne lidhje me ngjarjen e ndodhur ne Gërdec. Ndërmjet të pandehurve të kësaj çështjeje penale është edhe kërkuesi Ylli Pinari. Në kuadër të hetimeve të kësaj çështjeje, oficerët e Policisë Gjyqësore, pa dijeninë dhe pa njoftuar të pandehurin, si dhe avokatin e tij, kanë ushtruar një kontroll në arshivën e ndërmarrjes “MEICO”, si dhe në zyrën e ish-drejtorit të kësaj ndërmarrjeje, kërkuesit Ylli Pinari. Pasi janë bërë procesverbalet përkatëse nga oficerët e Policisë Gjyqësore, janë përpiluar aktet dhe prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Alfred Progonati, ka bërë vleftësimin e sekuestrove për sendet dhe dokumentet e sekuestruara.

Përgjimi i telefonit, prokurorët kuptuan se dokumentet i mbante i biri i Pinarit

Inventarët duheshin zhdukur një orë e më parë, ato do ti hiqte nga zyra e MEICO-s një person i quajtur Xhemal, ndërsa operacionin e ideuan Ylli Pinari dhe Hysni Gjergji, ish shefi i MEICO-s dhe ish shefi i Shërbimit Informativ Ushtarak. Gazeta “Albania” zbardhi tri ditë më parëtë plotë bisedën mes dy zyrtarëve të kryer në 17 mars 2008, ndërsa përmbajtja është fare e qartë: Po organizohej zhdukja e çdo gjurme të mundshme, e çdo dokumenti që implikonte dijeninë dhe përfshirjen e Pinarit mbi marrëveshje apo procese konspirative fitimprurëse. Fatkeqësisht këto tentativa vetëm sa zgjeruan “rrjetën e peshkimit” pasi biseda u interceptua dhe prokurorët dinin madje dhe ku ti gjenin materialet e zhdukura provizorisht. Publikimi i kësaj bisede i vë vulën në mënyrë të dokumentuar faktit se zyrtarët shqiptarë i kanë trajtuar dokumentet shtetërore si blloqe personale shënimi duke i zhvendosur, zhdukur apo fshehur vetëm me një telefonatë, procedurat ishin harruar me kohë prej tyre. Një tjetër bisedë e botuar dje në “Albania” tregoi se njëmbëdhjetë ditë pas shpërthimit në Gërdec vëllezërit Mihal dhe Kristo Delijorgji kanë pasur në epiqendër të bisedës së tyre vetëm sigurimin e pronave të tyre dhe gjetjen e shkakut të shpërthimit. Në bisedën mes tyre, që boton sot gazeta “Albania”, dy vëllezërit përqendrohen sidomos në disa publikime mediatike, të cilat njoftonin se disa fshatarë të zonës kishin denoncuar në prokurori (një muaj e gjysmë para ngjarjes) rrezikun e shpërthimit të financuar të Gërdecit. Në këtë kontekst delikat dy vëllezërit përmendin dhe nofkën e një personi që ata e quajnë “Bevi” dhe duke u treguar shumë të rezervuar në bisedë dhe thuajse në një kontekst të pakuptueshëm ata përmendin aktivizimin e këtij personi lidhur me këtë çështje.

21 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›