E Shtunë, 31 Tetor 2026

Testet e Maturës, periudhat e “ngujimit” të specialistëve për hartimin e tyre

Drejtori i AVA-s: “Izolimi i hartuesve, do të nis një javë para çdo provimi”. Datat e izolimit të specialistëve për katër testet e Maturës

Jonida Tashi

Zbardhen tri periudhat e “ngujimit” të specialistëve, që do të merren me hartimin e testeve të Maturës. Drejtori i Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), Alfons Harizaj, bën të ditur se izolimi i hartuesve të testeve, do të nis një javë para ditës së çdo provimi. Më datën 27 maj deri më 2 qershor, specialistët do të izolohen në ambientet e AVA-s, për hartimin e testit përfundimtar të provimit të parë të detyruar të Maturës, Gjuhë-Letërsi. Data e vendosur nga Ministria e Arsimit për zhvillimin e provimit të parë të detyruar të Maturës, në të gjitha shkollat e vendit është 2 qershor. Tri ditë pas kësaj date, në ambientet e AVA-s, do të izolohen specialistët e radhës, që do të hartojnë testin përfundimtar të provimit të dytë të detyruar të Maturës, Matematika. Periudha e izolimit të specialistëve për këtë provim, do të jetë nga data 5-11 qershor 2009. Provimit të Matematikës, maturantët e të gjitha shkollave të mesme të vendit, do t’i nënshtrohen më datën 11 qershor. Izolimi i tretë dhe i fundit, për provimet e Maturës, që është ai për lëndët me zgjedhje, do të nis më datën 4 korrik dhe përfundojë më datën 10, ditë në të cilën do të zhvillohen provimet me zgjedhje. Këto të fundit janë prova e fundit që duhet të kalojnë maturantët për të vijuar studimet e larta.
Specialistët
Në bazë të urdhrit të ministrit të Arsimit për hartimin dhe vlerësimin e testeve të provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2009, përzgjedhja e pyetjeve të testit për secilin nga provimet e detyruara (Gjuhë-letërsi dhe Matematikë) dhe me zgjedhje, do të bëhet nga specialistë të caktuar prej kreut të Arsimit, që emërtohen Përgjegjës të Testit Përfundimtar (PTP). Këta specialistë, që janë mësues të lëndëve përkatëse, do të përzgjedhin pyetjet e testit nga banka e pyetjeve, të krijuar nga ekspertët e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, në bazë të programeve orientuese, në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit, brenda ambienteve të izoluar të AVA-s. Menjëherë pas përzgjedhjes së pyetjeve të testit nga rreth 17 ekspertë dhe nëpunës të AVA-s, kryhet shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave.
Testet
Testi i provimeve të Maturës Shtetërore 2009, për secilin nga provimet e detyruara (Matematikë dhe Gjuhë-Letërsi) do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative (13 pikë) dhe 12 pyetje me zhvillim (37 pikë). Në total një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë për çdo provim të detyruar. Dy provimet me zgjedhje zhvillohen vetëm një herë në vit dhe zhvillohen në një ditë. Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2009 do të përmbajnë për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative (10 pikë) dhe 10 pyetje me përgjigje me zhvillim (30 pikë). Në total një maturant duhet të marrë maksimumi 40 pikë për çdo provim me zgjedhje. Kohëzgjatja e dhënies së përgjigjes me shkrim për secilin nga testet e provimeve të detyruara do të jetë 2 orë e 30 minuta. Ndërsa kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve me shkrim për të dy testet provimeve me zgjedhje do të jetë 4 orë.

Periudhat e izolimeve për Maturën Shtetërore 2009 janë:

Për provimin e Gjuhë-letërsisë D1
27 maj-02 qershor 2009

Për provimin e Matematikës D2
5-11 qershor 2009

Për provimet me Zgjedhje (Z1+ Z2)
4-10 korrik 2009

Datat e provimeve
Letërsi dhe gjuhë shqipe 02 qershor 2009
Matematikë 11 qershor 2009
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2009

21 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›