E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specializime jashtë vendit për mjekët shqiptarë për sëmundjet e rënda



Emanuela Sako

Mjekët shqiptarë duhet të specializohen për përballimin e sëmundjeve të rënda. Mjekët duhet të jenë të përgatitur edhe në nivel shkencor për të rritur nivelin e mjekësisë shqiptare dhe përballimin e rasteve të sëmundjeve. Specialistët francezë të shëndetësisë, gjatë Simpoziumit Shkencor të Hematologjisë, apo kancerit në gjak u shprehën se studentët e mjekësisë apo mjekët do të specializohen në Francë për hematologjinë. Ksavier Pivo, profesor në onkologjinë medikale në Francë, deklaroi se mes dy vendeve do të ketë bashkëpunime për specializime apo trajnime të ndryshme në këtë fushë të mjekësisë për mjekët shqiptarë. Sipas tij, specializimet do të vazhdojnë për një periudhë 2 deri në 5 vjeçare. “Trajnimet e studentëve duhet të vazhdojnë për një kohë formimi të gjatë, 2-3, por ndoshta dhe 5 vjeçare, me formacion shkencor dhe jo vetëm mjekësor”,- theksoi Pivo. Një tjetër fushë e rëndësishme bashkëpunimi është dhe ai mjekësor me transfertë teknologjie për të përmirësuar marrjen në ngarkim të këtyre sëmundjeve.
Situata
Mjekët shqiptarë apo studentët e mjekësisë e kanë të domosdoshme marrjen e mësimdhënies së huaj dhe njohjen me eksperiencat e fundit të kërkimeve mjekësore në Europë dhe botë. Në këtë mënyrë trajtimet e pacientëve për sëmundjet e konsideruara si sëmundjet e shekullit, do të kenë më shumë mundësi kurimi për pacientët që vuajnë nga sëmundjet e rënda dhe shpeshherë vdekjeprurëse.
Specialistë shqiptarë të kësaj fushe, si dhe dy specialistë të ardhur nga Franca, Ksavier Pivo, profesor në onkologjinë medikale dhe Iris Papa, doktoreshë e shkencave të biologjisë dhe punonjëse në Institutin Kombëtar të Kancerit në Francë, diskutuan të mërkurën mbi problematikën dhe të rejat shkencore në këtë fushë.
Sëmundja
Shefi i Hematologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Pal Xhumari u shpreh se sëmundjet malinje të gjakut në vendin tonë regjistrojnë rreth 80 raste të reja në vit.
Megjithëse ai cilëson se sëmundjet malinje të gjakut nuk kanë shpeshtësi në vendin tonë, por rëndësia e tyre qëndron se janë sëmundje të rënda, të cilat me gjithë zhvillimet e mëdha në mjekësi, nuk kanë arritur të kurohen plotësisht. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka përfshirë në listën e barnave të rimbursueshme një medikament që shërben për të shëruar një sëmundje malinje të gjakut. Për të luftuar këto sëmundje duhet të kryhen bashkëpunime mes vendeve dhe përgatitje akademike dhe shkencore për një pjesë të mjekëve. Specialistët theksuan se Franca është një ndër vendet që ka rezultate të mira në mbajtjen në ngarkim të sëmundjeve, megjithatë edhe aty ka nevojë të bëhen progrese. Aktualisht, 40 % e të sëmurëve vdesin nga këto sëmundje, që janë shumë të rënda dhe në një pjesë të tyre të pashërueshme. Për parandalimin e këtyre sëmundjeve duhet të kruhet diagnostikimi i hershëm dhe terapi cilësore për të gjithë pacientët. Por kërkimi i mjeteve më efikase për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e kancereve, janë disa nga objektivat për parandalimin e këtyre sëmundjeve.

21 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›