E Diel, 1 Nëntor 2026

OBSH: Virusi A/H1N1, ende i pandryshuar. Vaksinat, të efektshme

Hong Kong - Virusi H1N1 ende nuk ka pësuar mutacione, por ai mund të ndryshojë nga momenti në moment. Deklaratën e ka bërë sot drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila është shprehur optimiste duke pohuar se prodhimi i vaksinës po ecën në rrugën e duhur.

"Vaksinat për A/H1N1 prodhuar deri më tani kanë qenë shumë të efektshme"- tha Margaret Chan në ceremoninë e hapjes për organizimin e takimit vjetor në Hong Kong.

"Virusi mund të shndërrohet në çdo kohë. Por, nga prilli deri tani, nga të dhënat e grumbulluara nga laboratorët në mbarë botën shohim se virusi është ende shumë i ngjashëm (në gjendjen e mëparshme)," u tha gazetarëve Chan.

Sipas saj, në botë mund të prodhohen tre bilion doza të vaksinave, të cilat deri tani kanë rezultuar të suksesshme.

Chan tha se vetëm pacientët me rrezik të lartë siç janë të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundjet.


Gripi i derrave, shkon në 31 numri i të prekurve

TIRANË- Një vendin tonë konfirmohen 31 raste të prekurish nga gripi i derrave. Më i fundit ishte një i ri nga Kamza i cili ka qenë i shtruar në spitalin Infektiv të QSUT-së, por tashmë shëndeti i tij është përmirësuar.


Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli tha sot se listës së të prekurve i shtohet një rast i ri. Konfirmimi u bë pas mbërritjes së rezultateve nga laboratori i Rumanisë. Ky rast konfirmoi dyshimet e mjekëve që me shqetësim thonë se numri i të prekurve nga virusi i gripit të derrave është shumë më i lartë se rastet e konfirmuara zyrtarisht. Për këtë arsye specialistët tërheqin vëmendjen për higjienë personale. Sipas tyre është e vërtetuar tashmë që larja e duarve sa më shpesh me ujë dhe me sapun e pakëson mundësinë e përhapjes së virusit me disa 20-30 herë.


Lidhur me rastin më të fundit të prekur nga gripi i derrave mjekët shtojnë se ai ishte në gjendje relativisht të rëndë dhe pas dyshimeve u trajtua me Tamiflu. Dyshimet e mjekëve u vërtetuan nga Laboratori i Bukureshtit, përgjigjet e të cilit erdhën disa ditë pasi pacienti kishte lënë spitalin. Mjekët thonë se gripi i derrave rrezikon të kthehet në pandemi me ardhjen e stinës së vjeshtës pasi i ftohti ndikon në përhapjen e tij.


Gripi, do vaksinohet 1/3 e popullsisë


dt. 10 shtator

TIRANË- Asnjë rrezik për shtyrjen e shkollës për shkak të gripit të derrit. Lajmi është dhënë sot gjatë një seminari trajnues organizuar nga instituti i Shëndetit Publik me mjekët e shkollave, gjatë të cilit u theksua se pritet të mbërrijë kontingjenti i vaksinave të nevojshme kundër virusit A/H1N1.
"Kemi negociuar me kompani për marrjen e vaksinave dhe për këtë themi se nuk do të ketë rrezik në lidhje me sëmundjen e gripit të derrit", deklaroi Gazmend Bejtja, specialist i ISHP-së, pranë ministrisë së Shëndetësisë. Sipas tij, pritet të mbërrijnë në vend rreth 1 milionë vaksina, me të cilat parashikohet të mbulohet vaksinimi i rreth një të tretës së popullatës. Ndërkohë që fondi i vënë në dispozicion për blerjen e vaksinave është 3 milionë dollarë.
"Vaksinimi luan rol të rëndësishëm në mbrojtjen e popullatës, jemi në negociata për të sjellë vaksina në kohën më të shpejtë të mundshme"- tha ai.

******

dt 8 shtator
Gripi, Godo: Problemi i vaksinës, i zgjidhur

DURRËS- Ministrja e Shëndetësisë ka garantuar sot se janë marrë të gjitha masat për përballimin e situatës që mund të krijohet nga gripi i derrave. Deklaratën e ka bërë gjatë një seminari rajonal që zhvillohet në Durrës, organizuar nga OBSH-ja me përfaqësues të shëndetësisë nga vendet e rajonit.
Sipas Godos, tashmë problemi i vaksinës konsiderohet i zgjidhur, pasi ajo është siguruar. Gjatë takimit është thënë se në vjeshtë situata pritet të përkeqësohet, pasi në këtë kohë virusi mund të jetë shumë më agresiv. Në këtë stinë pritet edhe shtim i numrit të të prekurve, ndërkohë që aktualisht në vendin tonë situata deklarohet të jetë shumë më e qetë se në vendet e tjera.
OBSH-ja ka kërkuar koordinim të punës së spitaleve dhe plotësim kushtesh për akomodimin e të prekurve.


3 shtator
Gripi i derrit, vdes në Greqi shqiptari 25 vjeç

ATHINË- Gripi i derrave i ka marrë jetën një 25 vjeçari shqiptar që jetonte në Greqi.
Jani Metushi ishte prej disa ditësh rëndë dhe kurohej në spitalin Evangjelizmo të Athinës. Ai u shtrua në spital me urgjencë më datën 19 gusht, pasi ishte konstatuar se është infektuar nga gripi i derrave. Virusin dyshohet se e kishte marrë gjatë pushimeve në ishullin Paros të Greqisë.

I riu vuante nga zemra dhe prekja nga gripi i ka shtuar komplikacionet. Sipas mjekëve pacienti kishte vështirësi në frymëmarrje, pasi virusi i kishte shkaktuar pneumoni të rëndë në mushkëri. Sipas tyre, 25 vjeçari prej kohësh kishte pasur probleme kardiake madje edhe aparat për aritminë në zemër.

Në Greqi numri i përgjithshëm i të prekurve me virusin A/H1N1 ka arritur në gati 2000 persona.



Vaksina, OBSH: Kompanitë farmaceutike s'kanë nënshkruar me Shqipërinë

dt. 01 shtator

Deri tani ka vetëm tentativa por asgjë të nënshkruar për sigurimin e vaksinës kundër gripit të derrave. Drejtori i OBSH-së për Shqipërinë Anshu Banerjee thotë se "kompaninë farmaceutike janë të predispozuara që të nënshkruajnë me vendet e mëdha që kanë edhe më shumë njerëz të prekur". Ndërkohë që rekomandon që vendet e rajonit të bënin një porosi të përbashkët për vaksinën.

Vaksina është tashmë në fazën e testimit dhe mjaft vende janë të interesuara për ta pasur atë. Ndërkohë OBSH-ja do të marrë një sasi vaksine, por ajo do te rezervohet per vendet e varfra dhe ato me numër te madh të prekurish.

"Për Shqipërinë është e rëndësishme që ministria ka kontaktuar me disa vende dhe ne po punojmë së bashku për të marre një pjesë të vaksinave. Eshtë e rëndësishme të negociojmë që vendet e vogla të mund të sigurojnë vaksinën. Vendet e rajonit p.sh mund të bashkohen dhe të porosisin së bashku një sasi vaksinash, çka do të rriste numrin dhe do të ishte në interes të firmës farmaceutike. Kjo është diçka me të cilën duhet të punojmë. Për momentin vendet po veprojnë në bazë kontratash individuale", tha, përfaqësuesi i OBSH-se në Tiranë.

Nëse do të sigurohen vaksinat, rekomandohet që në fillim t'i përdorin punonjësit e shëndetësisë, personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›