Poeteka e pestë
Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Durrës, 21-27 shtator
Edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, duke nisur nga sot deri më 27 shtator, takon 20 shtete pjesëmarrëse në Durrës. Veprimtaritë e shumta, përveç fokusimit në autorë dhe personalitete të artit poetik nga rajoni e më gjerë, vijnë këtë edicion edhe me gjeografi më të zgjeruar, pasi poetët, përveç Durrësit, Beratit dhe Tiranës, si itinerar i përvitshëm, do t'u shtojnë shtegtimeve të këtij viti edhe qytetin e Elbasanit.
Poetët pjesëmarrës konkurrojnë me krijimtarinë e tyre për katër çmimet që POETEKA ndan çdo vit: Çmimi LIBURNA - i cili i akordohet një poeti shqiptar për kontribute në vite; Çmimi NOSITI - për përkthimin më të mirë poetik të vitit nga gjuha e huaj në shqip apo nga shqipja në gjuhë të huaj; Çmimi KRITERION - akorduar një organi letrar për kontributin në dobi të kulturës dhe artit; Çmimi UNAZA POETEKA - për personalitetin poetik me të spikatur në Festival Poeteka; Çmimi PENA e Beratit - Çmim letrar që ofrohet për herë të parë nga Bashkia Berat në bashkëpunim me revistën "Poeteka".
Përveç veprimtarive tashmë të njohura të leximeve autoriale, intervistat, kafe-bashkëbisedim me poetët e ftuar, performancat poetike, përurimet e librave, koncertet, ekspozitat e artit dhe panairin e librit poetik, festivali i këtij viti do të ketë tri mbrëmje speciale organizuar nën titullin Ballkon-Ballkan.
Këto takime janë konceptuar si veprimtari e ndërthurur e leximeve në gjuhën e tyre origjinale të autorëve të ftuar nga 12 shtete ballkanike me bashkëbisedime me publikun rreth tri temave qendrore: Ballkani - Piter Pan i Europës?; Si të vajtosh e të këndosh "për tjetrin"; E ardhmja ballkanike: përmes varrezave drejt plazheve.
Elementë shoqërues të këtyre mbrëmjeve do të jetë muzika e rajonit, elementë tradicionalë të artit dhe etnografisë, si dhe moderimet e paneleve të ftuara nga personalitete të gazetarisë dhe artit.
Disa nga emrat më të spikatur që do të kontribuojnë në realizimin e këtyre mbrëmjeve janë: Ales Debeljak (Slloveni), Tomislav Bilosniç (Kroaci), Edi Shukriu (Kosovë), Jovan Nikolaidis (Mal i Zi), Kim Mehmeti dhe Bogumil Gjyzel (Maqedoni), Onur Caymaz (Turqi), Cvetanka Elenkova (Bullgari), Fatos Lubonja (Shqipëri) etj...
Në edicionin e pestë vijnë edhe dy prurjet e reja që lidhen me poezinë sonore dhe poezinë vizuale. Me këtë rast, Poeteka organizon dy Master Class për t'i bërë më të pranishëm këto dy mënyra të shprehuri poetike pak të lëvruara në Shqipëri. Master Class-et drejtohen nga Demosthenes Agrafiotis (Greqi) dhe Americo Rodrigues (Portugali)
Veprimtaritë të tjera me rëndësi gjatë festivalit janë mbrëmja SPIRITUS-AD HONOREM kushtuar poetit nobelist polak Cesllav Millosh, në 5-vjetorin e vdekjes. Prezantohet "Qyteti pa emër", përmbledhja poetike në shqipe.
Do të referojë për Milloshin, Jaroslaw Mikolajewski, i cili vjen nga Polonia.
Përurohet libri "Tespihet prej fosfori" - marrëdhënie mes fqinjëve, me autor Jovan Nikolaidis.
Hapësirë të veçantë në festival do të zërë takimi i quajtur "Një amerikan në oborrin e mbretit Monun", ku i pranishëm do të jetë poeti amerikan Tom Sleigh.
Rock&read është një pasdite kushtuar poeteshës së shquar libaneze Joumana Haddad
Gjithashtu, Poeteka ka në program dy ekspozita: 1. dorëshkrim - D. Agrafiotis; 2. Maska dhe Fytyra - T.
Bilosniç; koncerte muzikore, seancë autografesh, itinerar turistik në kishën e Onufrit Shelcan, Kalanë e Qytetit (Elbasan), vizitë në Muzeun Onufri, vizitë në Teqenë e Madhe (Berat), vizitë në Muzeun Etnografik, Amfiteatër, në Torrën veneciane - Durrës etj.