OBSH, hiri vullkanik shkakton probleme me frymëmarrjen
Hiri vullkanik që po lëshohet nga Islanda, paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve, pasi shoqërohet me vështirësi në frymëmarrje. Lajmi është bërë i ditur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka paralajmëruar qytetarët e Evropës të qëndrojnë në shtëpi, nëse konstatojnë hirin vullkanik në qiellin e qyteteve të tyre. Ekspertët e OBSH-së tregojnë se si këto grimca, kur thithen, mund të arrijnë rajonet periferike të mushkërive dhe mund të shkaktojnë probleme, sidomos për njerëzit me astmë apo probleme të frymëmarrjes. Gjithsesi, Agjencia e Mbrojtjes se Shëndetit në Britani tha se përqendrimi i grimcave vullkanike që mund të vendosen në tokë, ka të ngjarë të jetë i ulët dhe nuk do të shkaktojë dëm serioz.