Zonat rurale, 3.9 miliardë lekë për të kredituar fermerët
Unioni Kursim-Kredi rrit portofolin e kredive për vitin 2010
Ndërsa bankat e nivelit të dytë gjithnjë e më shumë po shtrëngojnë kushtet e dhënies së kredive dhe njëkohësisht kanë rritur koston e shërbimeve ndaj qytetarëve, fermerët dhe aktivitetet që zhvillohen në zonat rurale, do të gjejnë mbështetje financiare nga Unionet e Kursim-Kreditit. Këto unione kanë rritur portofolin e kredive për vitin 2010, duke e çuar atë në 3.9 miliardë lekë. Kjo kredi do të përdoret për të mbështetur zonat dhe aktivitetet në nevojë në zona që nuk mbulohen nga bankat e nivelit të dytë. Dje është zhvilluar Asambleja e 9-të e Përgjithshme e Unionit Shqiptar Kursim-Kredi, me përfaqësues të 106 shoqërive kursim-kredi, anëtare të tij. Aktualisht, Unioni SHKK është i pranishëm në 16 rrethe të vendit, në 1000 fshatra të tij dhe numëron mbi 28,000 anëtarë. Ky institucion zotëron një portofol kredie prej 3,9 miliardë lekësh dhe depozita në vlerën e mbi 1,1 miliardë lekëve. Gjithashtu, Unioni SHKK e ka rritur kapitalin e tij vit pas viti dhe aktualisht ai mban vlerën e 1,3 miliardë lekëve. Kryetarja e Bordit Drejtues të Unionit, Zana Konini, paraqiti arritjet e institucionit për 2009-n dhe objektivat për 2010-n, duke konfirmuar një konsolidim dhe rritje të mëtejshme të institucionit në të gjithë treguesit. Vetëm gjatë vitit 2009, Unioni SHKK zgjeroi aktivitetin edhe në 2 rrethe të tjera të vendit, përkatësisht në Pogradec dhe Malësi të Madhe, në 200 fshatra të tjerë. Me këtë rritje, numri i anëtarësisë është mbi 28,000 dhe numri i klientëve aktivë të tij me mbi 18,000. Në këtë mënyrë, sipas znj. Konini, viti 2009 provoi edhe një herë aftësitë e grupit Union SHKK për të plotësuar nevojat e anëtarëve të tij, duke dëshmuar besueshmëri, përgjegjësi dhe stabilitet. Sipas kryetares së Bordit Drejtues të Unionit, gjatë vitit 2010, Unioni SHKK do të synojë të konkurrojë bindshëm në treg për të rikonfirmuar pozitën e tij si institucioni kryesor i financimit në zonat rurale me aktivitetin më të madh ekonomik në Shqipëri. Ndaj, ai do të vazhdojë të mbetet i fokusuar në zonën rurale me objektiv ofrimin e shërbimeve financiare, nxitjen e zhvillimit të aktiviteteve që sjellin të ardhura dhe rritjen e nivelit social-ekonomik të jetesës në këto zona, - theksoi Konini. Unioni SHKK është një institucion mikrofinance, i licencuar nga Banka e Shqipërisë, që ka si qëllim të tij ofrimin e shërbimeve financiare për fermerët, banorë të zonave rurale të vendit. Përvoja 18-vjeçare e këtij institucioni në fushën e mikrokredisë rurale tregon për mbështetjen që u është dhënë mijëra fermave fshatare, duke ofruar shërbime financiare të nevojshme për konsolidimin dhe zhvillimin e biznesit te tyre, krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimin e vazhdueshëm të zonës rurale. Në realizimin e këtij misioni, Unioni ka pasur bashkëpunim të ngushtë me partnerët financiarë dhe institucionaleë si qeveria shqiptare, Banka Botërore, Kooperacioni Spanjoll, FIDES, Rabobank etj. Rezultatet e deritanishme kanë bërë që Unioni SHKK të jetë institucioni lider në sektorin e mikrofinancës dhe ofruesi ekskluziv i shërbimeve financiare në zonat rurale të vendit.