E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu i parasë, si ndërhyri BSH dhe Ministria e Financave në treg

Banka e Shqipërisë ka injektuar para në tregun e parasë për të rritur likuiditetin në 3-mujorin e katërt të vitit 2009. Sipas raportit të BSH-së, ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009 përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektimin e likuiditetit. Për të injektuar likuiditetin, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor mesatarisht 19.51 miliardë lekë në javë si dhe instrumentet rregullues me maturim më të gjatë se një javë (marrëveshjen e riblerjes me maturim një dhe tre-mujor. Marrëveshja e anasjelltë e riblerjes me maturim njëmujor u përdor në 3 raste, mesatarisht 3.0 miliardë lekë për ankand). Edhe marrëveshja e anasjelltë tremujore u përdor në tre raste, mesatarisht 4.1 miliardë lekë për ankand. Me qëllim rritjen në mënyrë të përhershme të likuiditetit në treg, Banka e Shqipërisë organizoi gjatë muajit dhjetor një ankand për blerjen me të drejta të plota, nëpërmjet të cilit u injektuan 2.35 miliardë lekë. Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009, depozita njëditore u përdor mesatarisht 0.54 miliardë lekë në ditë, në krahasim me 0.35 miliardë lekë në ditë gjatë tremujorit të kaluar. Përdorimi i depozitës njëditore ishte më intensiv gjatë ditëve të fundit të periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar. Instrumenti i kredisë njëditore gjeti një përdorim minimal gjatë këtij tremujori (një rast përdorimi në nivelin 10 milionë lekë). Gjatë kësaj periudhe kanë vijuar të realizohen veprime të shitjes dhe të blerjes së valutës me Ministrinë e Financave. Kështu, shitjet me Ministrinë e Financave gjatë tremujorit të katërt llogariten në 3.09 miliardë lekë. Vëllimi i blerjeve me Ministrinë e Financave për këtë periudhë ishte 0.48 miliardë lekë. Blerjet e valutës nga institucionet e huaja llogariten në 90.9 milionë lekë (Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim IDA dhe Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim - IBRD).

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›