OBSH, krijoi panik për virusin H1N1
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka pranuar se nuk ka reaguar në mënyrë të duhur me rastin e përhapjes së virusit të gripit të ri H1N1. Ekspertë të sëmundjeve infektive pranë OBSH-së thonë se ka pasur konfuzion në lidhje me këtë virus, i cili nuk është aq vdekjeprurës sa është paraqitur. Shumë kritikë thonë se OBSH krijoi panik me rastin e përhapjes së virusit H1N1, efektet e të cilit ishin më të lehta sesa u supozua dhe në të njëjtën kohë nxitën qeveritë e shumë vendeve që të siguronin vaksina, të cilat nuk u shfrytëzuan. Për përhapjen e panikut, kritikët e lidhin OBSH-në me industrinë farmaceutike, pasi shumë kompani dolën fituese nga shitja e vaksinave. Sipas të dhënave të OBSH-së, virusi H1N1, i cili thuajse një vit më parë u paraqit në Meksikë dhe SHBA, deri më tani ka shkaktuar vdekjen e 17.770 njerëzve në 213 vende.