E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paci, ekspozitë për Nënë Terezën në mjediset e Kuvendit

Piktori Gjovalin Paci ka hapur dje në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë një ekspozitë për figurën e një prej personaliteteve më të shquara botërore, humanistes së madhe, Nënë Tereza. Ekspozita e titulluar Nënë Tereza midis qiellores dhe tokësores është në serinë e veprimtarive, që Kuvendi po organizon në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Në fjalën e mbajtur në këtë rast, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh se në portretet e Pacit shihet shpirti i madh i humanistes Nënë Tereza, që simbolizon karakterin e fortë të gjenit shqiptar. Kjo ekspozitë përfshin katër periudha: periudha e fëmijërisë së Nënë Terezës, periudha e zgjimit të shpirtit humanitar, periudha e tretë është aksioni i madh humanitar i saj dhe periudha e katërt është ajo që Gjovalin Paci e quan midis qiellores dhe tokësores. Ajo që është më e veçanta në këtë aktivitet, është salla në të cilën bëhet. Është salla ku u mor vendimi që Nënë Tereza të mos lejohej të vinte në Shqipëri dhe është salla ku u mor vendimi që të mos përmendej emri i Nënë Terezës, - u shpreh kryetarja e Kuvendit. Piktori Paci, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e këtij aktiviteti, tha: Nënë Tereza i dha shekullores vlera të reja universale me forcën e shpirtit të madh përtej çdo bukurie njerëzore. Njerëzimi krenohet me emrin e saj, ne lartësohemi si bijtë e tokës sonë amtare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›