Presidenti Obama: Administrata ka patur një fillim të mirë

Presidenti Barak Obama, në ditën e 100 në detyrë, tha se administrata e tij ka patur një fillim të mirë por ai ende nuk është i kënaqur sepse amerikanët po përballen me vështirësi ekonomike.
Në një konferencë shtypi që mbajti në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama tha se miliona amerikanë janë ende pa punë dhe pa shtëpi dhe se të tjerë do të humbasin punën dhe shtëpinë para se të përfundojë recesioni.
Presidenti Obama tha se çdo hap që ndërmerr administrata për të gjallëruar ekonominë synon t'i ndihmojë të gjithë njerëzit por ata që janë më të ekspozuar kanë më tepër shanse për t'u ndihmuar. Nëse ekonomia është e fortë, tha zoti Obama, ajo i ndihmon të gjithë njerëzit.
Lidhur me çështjet e tjera, Presidenti Obama tha se administrata e tij po vëzhgon me kujdes rastet e reja të gripit të derrave dhe se gjendja është mjaft serioze.
Ai tha se çdo amerikan duhet ta dijë se e gjithë qeveria po merr masa dhe është e përgatitur. Ai tha se shkollat me raste të konfirmuara ose të dyshuara të këtij gripi duhet të shqyrtojnë mundësinë e mbylljes së përkohshme. Presidenti tha se ka kërkuar nga Kongresi 1,5 miliard dollarë fonde për të përballuar gjendjen e krijuar.
Presidenti Obama tha se gripi i derrave është shkak për shqetësim të thellë por jo për panik.
Ai tha se tani për tani nuk ekziston nevoja për të mbyllur kufirin me Meksikën. Shtetet e Bashkuara, tha ai, kanë shtuar përpjekjet për kontrollet në kufi dhe kanë dërguar atje pajisjet e duhura.
Presidenti Obama tha se po këshillohet nga afër me zyrtarët e shëndetit publik dhe se qeveria federale po bën ç'është e mundur për identifikimin e rasteve të reja të gripit.
Ai tha gjithashtu se ishte i kënaqur që Kongresi miratoi projekt buxhetin për vitin e ri financiar.
Lidhur me politikën e jashtëme, Presidenti Obama tha se në këto 100 ditë të para ai ka bërë lëvizje për t'i dhënë fund luftës në Irak dhe për të mbyllur bazën Guantanamo.
Ai tha se ekzistojnë disa raste ligjore që kanë të bëjnë direkt me sigurinë kombëtare dhe çuarja e çështjes në gjykatë do të zbulonte operacione sekrete ose do të dëmtonte sigurinë e vendit. Megjithatë, tha ai, administrata po punon për t'i bërë ndryshime kësaj doktrine.
Presidenti Obama tha se beson se procesi i reformës së imigracionit do të fillojë të lëvizë gjatë vitit të tij të parë në detyrë.
Ai tha se vendi nuk mund të vazhdojë me një sistem imigracioni, të cilin ai e quajti të prishur. Presidenti tha se shpreson të mbledhë një grup pune me ligjvënësit kryesorë, grup i cili do të fillonte të studionte kornizën e një legjislacioni të ri.
Ndërkohë, tha Presidenti Obama, administrata e tij po përpiqet të ndërmarrë hapa për ta vënë në lëvizje procesin. Si shembull, ai përmendi përpjekjet e Sekretares së Departamentit të Sigurisë Kombëtare për të rishqyrtuar mënyrat se si mund të forcohet siguria në kufi. //ii