E Shtunë, 31 Tetor 2026

ODIHR: Rinumërimi pa bazë ligjore

Nga Express më 21 maj 2011 në ora 14:53

Raporti i publikuar i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR-it, për numërimin e votave vlerëson se nuk ka bazë ligjore që e arsyeton numërimin e fletave të votimit të cilat janë hedhur në kutitë e gabuara.

OSBE-ODIHR e jep këtë vlerësim duke u mbështetur në faktin se Kodi Zgjedhor i Shqipërisë “nuk e parashikon drejtpërdrejt vlefshmërinë e fletëve të votimit gjetur në një kuti votimi, të ndryshme nga ajo që i korrespondon llojit të zgjedhjes për atë fletë”.

Raporti i organizatës ndërkombëtare kujton se edhe “anëtarët e grupeve të numërimit ishin trainuar për t’i konsideruar fletë të tilla votimi të pavlefshme dhe fletët e votimit të hedhura gabim ishin konsideruar të pavlefshme në Tiranë deri në mbylljen e numërimit për kryetar bashkie të Tiranës më 14 maj“.

Ndërkohë agjencia e lajmeve AP raporton se disa autobusë janë duke dërguar përkrahës të opozitës socialiste shqiptare në Tiranë për të protestuar rreth vendimit të KQZ-së për numërimin si të vlefshme të votave të Tiranës që janë hedhur në kutitë e gabuara.

Menjëherë pas përfundimit të votave për kreun e kryeqytetit shqiptar, kandidati socialist, Edi Rama, e shpalli vetën fitues me vetëm 10 vota para kandidatit demokrat, Lulzim Basha.

Ky rezultat nuk është zyrtarizuar asnjëherë, ndërsa tensionet janë shtuar në masë të madhe nga protestat e mbështetësve të Partisë Socialiste që disa herë kanë tentuar të hynin me forcë në brendi të KQZ-së.

KQZ ndalon përkohësisht rinumërimin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka ndërprerë përkohësisht rinumërmin e votave të kontestuara dhe aktualisht po merret me shqyrtimin e ankesave të partive politike për zgjedhjet lokale të tetë majit.

KQZ-ja nuk ka dhënë ndonjë arsye për këtë ndërprerje votimi. Ky vendim është marrë pasi misioni i vëzhguesve ndërkombëtar i OSBE-ODIHR-it, ka vlerësuar se numërimi si të vlefshme i votave që janë hedhur në kutitë e gabuara nuk ka bazë ligjore. (rel)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›