ODIHR: Zgjedhjet e qershorit nuk përmbushën standardetNga Tema Zgjedhjet parlamentare të qershorit nuk përmbushën standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vëzhguesit e OSBE/ODIHR publikuan dje raportin përfundimtar të
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
ODIHR: Zgjedhjet e qershorit nuk përmbushën standardetNga TemaZgjedhjet parlamentare të qershorit nuk përmbushën standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vëzhguesit e OSBE/ODIHR publikuan dje raportin përfundimtar të zgjedhjeve të 28 qershorit, duke theksuar se u vunë re përmirësime të ndjeshme, por ato u eklipsuan nga politizimi i aspekteve teknike.
Ashtu siç pritej, raporti përmban kritika të ashpra për partinë në pushtet, e cila përdori burimet shtetërore dhe administratën për fushatë. Raporti vë në dukje se ka pasur raste të faktuara të presionit ndaj punonjësve të administratës dhe studentëve për të votuar për partinë në pushtet. ODIHR thotë se qeveria përdori aktivitetet zyrtare për fushatë.
Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, ka pasur dyshime se vota mund të blihej dhe këto dyshime janë vërtetuar në rastin e komunitetit rom. ODIHR ka përfshirë në raport të paktën dy raste të faktuara, kur vota e këtij komuniteti blihej.
Raporti është ndalur gjerësisht në çështjen e listave të votuesve dhe kartave të identitetit. Raporti ka vënë në dukje se ka pasur disa shkelje nga ana e aktivistëve të PD në procesin e prodhimit të kartave të identitetit, por problemet më të mëdha kanë lindur për shkak të kapaciteteve të pakta teknike dhe menaxheriale për këtë proces. Mbi të gjitha, politikisht, procesi u dëmtua, për shkak se qeveria nuk ishte në gjendje të ofronte të dhëna të besueshme në lidhje me procesin e pajisjes me karta identiteti.
Sipas ODIHR, dhjetëra-mijëra njerëz që nuk kishin pasaporta, nuk arritën të sigurojnë as kartën e identitetit, çka do u jepte atyre mundësinë të votonin.
Procesi i numërimit ka qenë i keq në të paktën një të tretën e qendrave të votimit, thuhet në raport. Partitë politike bënë presion, kur rezultati ishte i përafërt, vijon raporti. Por, sipas ODIHR, nuk ka prova për manipulim gjatë numërimit.
ODIHR thekson se kamerat e vendosura për të rritur transparencën gjatë numërimit, nuk ishin efikase dhe nuk e kryen funksionin e tyre.
Kritika ka rezervuar raporti dhe për mbulimin e medias, sidomos nga televizioni publik dhe për punën e KQZ.
Rekomandimet e ODIHR: Mbi të gjitha kërkohet vullnet politik
Raporti i ODIHR, bashkë me problemet e evidentuara, ka nxjerrë një numër rekomandimesh për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Si fillim ata kanë theksuar se është shumë e nevojshme që të ketë vullnet politik për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, për shkak se ekziston hapësira për ta bërë një gjë të tillë.
ODIHR ka kërkuar që të bëhet kujdes me emërimet dhe shkarkimet pa kriter të komisionerëve.
Gjithashtu është kërkuar që të pakësohen kompetencat e kryetarëve të partive në përzgjedhjen e listave zgjedhore dhe që këto lista të bëhen të njohura për publikun më shpejt.
Partitë politike nuk duhet të përfshihen në përzgjedhjen e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, thuhet në raport.
Një seri ndryshimesh janë propozuar dhe për sa u përket financimeve gjatë fushatës zgjedhore.
ODIHR ka kërkuar që të ketë mekanizma më precizë për të parandaluar përdorimin e burimeve të shtetit për fushatë dhe për të ndaluar presionet ndaj punonjësve. ODIHR kërkon që këto raste të ndiqen penalisht dhe të ketë të dënuar.
Për kandidatët kërkohen më shumë lehtësi, për shkak se në këto zgjedhje kishte një mal me kërkesa për ata që donin të kandidonin më vete.
KQZ duhet të jetë më e përgjegjshme në punën që bën me komisionet e niveleve të tjera dhe të ndërhyjë, kur sheh probleme.
Grupet e numërimit duhet të jenë të lira nga presionet për të numëruar votat, dhe duhet saktësuar se kush duhet të hyjë në qendrat e numërimit.
Vëzhguesit duhet të kenë më shumë lehtësi dhe të kenë mundësi të shohin se për kë është vota që del në ekranin e kamerave të vendosura posaçërisht për këtë proces.
Edhe për listat e zgjedhësve kërkohet që të vijojë përmirësimi dhe të mundësohet pajisja me karta identiteti për të gjithë.
ODIHR kërkon që të qartësohet në ligj se, kur një kuti quhet e parregullt, për shkak se në këtë mënyrë ka pasur shumë probleme, pasi një kuti është marrë si e rregullt dhe më pas është quajtur e parregullt.
Për të gjitha këto raste kërkohet që të njoftohet KQZ, e cila do të vendosë më pas se si do të procedohet.
Për sa i përket medias, kërkohet më shumë profesionalizëm nga Bordi i Monitorimit, dhe që anëtarët të zgjidhen nga organizata të njohura të medias në vend.
Në ligj duhet të saktësohet se kur një aktivitet është elektoral, pasi shpesh aktivitetet e qeverisë nuk njiheshin si elektorale, edhe pse ishin dukshëm të tilla.
Berisha: ODIHR nuk gjeti asnjë manipulim zgjedhor
Kryeministri, Sali Berisha, vlerësoi dje raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet. Ai tha se këto ishin zgjedhjet më të shkëlqyera që janë bërë në Shqipëri. Berisha shtoi se në raport thuhet se nuk pati prova për manipulime të rezultatit.
Edhe pse është një raport i hartuar nga Audrey Glover, emërimin e së cilës Berisha e pati kundërshtuar, ai tha se me të ka pasur vetëm çështje parimore.
“Raporti është produkt i punës, mundit dhe vlerësimit të ndershëm dhe objektiv të vëzhguesve të OSBE/ODIHR. Për sa i takon kryetares së misionit vëzhgues, Audrey Glover, unë nuk kam pasur asnjë problem personal, ka qenë një çështje parimore. Por, duke vlerësuar raportin, sigurisht që vlerësoj çdo anëtar të këtij ekipi dhe kryetaren e të gjithë anëtarët që morën pjesë”, - tha Berisha.
Sipas tij, raporti ka rrëzuar pretendimet e PS dhe Ramës për manipulim, ndaj tani është momenti që Rama të kthehet në Kuvend.
“PS ka njëmijë herë të drejtë të kundërshtojë me prova, por, nëse kundërshton pa prova, i kthehet traditës së saj më të zezë, alergjisë ndaj votës së lirë. Të rikujton kohërat më të errëta, kur nuk pranonte votim tjetër, vetëm atë që manipulonte vetë”, - tha Berisha.
“Unë kisha bindjen se ky ka qenë procesi zgjedhor më i shkëlqyer në historinë e këtij vendi, sepse në të kundërt do të ishte e pamundur që komisionarët e të gjitha forcave politike të firmosnin të gjitha procesverbalet dhe 7 komisionarët e KQZ të votonin unanimisht për çdo mandat deputeti”, - vijoi më tej kryeministri.
Sipas Berishës, mediet nuk kanë denoncuar ndonjë parregullsi. “Mediet e pavarura shqiptare kanë luajtur një rol parësor në denoncimin e të gjitha parregullsive në të gjitha zgjedhjet e shkuara, ndërsa në këto zgjedhje ato i faktuan shqiptarëve votimin më të mirë në historinë e tyre”, - tha Berisha.
“Edi Rama ka 6 javë që merret me të burgosurit që janë lejuar të votojnë pranë familjeve të tyre, ndërsa në zgjedhjet e 2005 ishin mbi 200 të burgosur që kanë shkuar në shtëpitë e tyre dhe ne kemi reaguar vetëm për një rast në Pogradec, sepse është normale që të jepen leje të tilla.”
Rama niset për vizitë në Bruksel
Kryetari i PS, Edi Rama, është nisur dje për një vizitë në Bruksel, ku dhe pritet të takohet me autoritete të BE për të diskutuar rreth ankesave që PS ka parashtruar pranë ndërkombëtarëve për zgjedhjet e 28 qershorit. Burime pranë PS bëjnë të ditur se, kreu i kësaj partie pritet të diskutojë me autoritete të Brukselit rreth detajeve të raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri. Në raportin që u publikua dje nga OSBE/ODIHR, paraqiteshin një sërë faktesh që kanë të bëjnë me mangësitë e vërejtura në procesin e zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri. Disa nga problemet e publikuara në raportin e OSBE/ODIHR janë parashtruar nga Partia Socialiste që në javën e parë pas zgjedhjeve.
Për shkak të këtyre problemeve, Partia Socialiste ka vendosur të mos njohë zgjedhjet e 28 qershorit dhe për pasojë të bojkotojë parlamentin e dalë nga këto zgjedhje. Pak javë më parë, Partia Socialiste përgatiti një raport të plotë me të gjitha mangësitë dhe shkeljet e vërejtura në procesin e zgjedhjeve të 28 qershorit, raport i cili iu paraqit të gjithë organizmave ndërkombëtarë të akredituar në Shqipëri. Lidhur me këto vërejtje dhe parregullsi të pretenduara nga opozita, kreu i PS është nisur për një vizitë Bruksel, për të diskutuar rreth hapave që do të ndërmarrë opozita sa i përket edhe çështjes së bojkotit parlamentar.
Përmbledhje e raportit të ODIHR
- Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit shënuan progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit, kuadrit ligjor, adoptuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë më të mëdha, votimit, numërimit dhe zgjidhjes së problemeve zgjedhore.
Këto përmirësime të konsiderueshme u eklipsuan nga politizimi i aspekteve teknike të procesit, përfshi ndërhyrjet gjatë numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve, çka bllokoi përkohësisht procesin e numërimit në disa zona, gjithashtu dhe nga disa shkelje të vërejtura gjatë fushatës zgjedhore. Këto veprime të partive politike dëmtuan besimin publik te procesi zgjedhor.
- Ndërsa arriti shumicën e angazhimeve të OSBE, këto zgjedhje nuk arritën të realizojnë plotësisht potencialin e Shqipërisë për t’iu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike.
Zhvillimi i zgjedhjeve demokratike varet gjithashtu në shumicë prej angazhimit të gjithë partive politike shqiptare për të respektuar germën, por dhe qëllimin e ligjit dhe për të kryer detyrat e tyre elektorale në mënyrë të përgjegjshme, në mënyrë që të ruhet integriteti i procesit.
- Zgjedhjet u zhvilluan sipas një Kodi të ri Zgjedhor, të miratuar në fund të vitit 2008. Kodi i ri mori në shqyrtim shumë rekomandime të ofruara më parë nga OSBE/ODIHR dhe solli përmirësime domethënëse. Për shembull, një sistem proporcional rajonal zëvendësoi sistemin e kontestuar të mëparshëm dhe u krijua një regjistër i kompjuterizuar i popullatës si burim i listës së votuesve. Përgjithësisht, kuadri ligjor ofron një themel teknik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Megjithatë, një numër dispozitash duhen riparë, në mënyrë që kuadri ligjor të jetë krejtësisht në përputhje me angazhimet e OSBE dhe standardet e tjera ndërkombëtare.
- Pavarësisht disa kufizimeve të forta, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përgatiti dhe administroi zgjedhjet në mënyrë profesionale dhe mori disa hapa për të rritur transparencën e procesit. Takimet e KQZ ishin përgjithësisht transparente dhe u mbajtën me profesionalizëm; megjithatë, KQZ shpesh ishte e ndarë në vija politike mazhorancë-minorancë, veçanërisht për çështje të debatueshme. Si në zgjedhjet e mëparshme, problemet u evidentuan gjatë caktimit të komisioneve zgjedhore të nivelit të ulët; partitë e përdorën të drejtën e tyre për të zëvendësuar anëtarët e komisionit pa ndonjë arsye, çka ndikoi dhe në eficiencën e administrimit të zgjedhjeve dhe pati ndikim në integritetin e procesit. Caktimi i Komisioneve të Qendrave të Numërimit (KQN) u përfundua ekstremisht vonë, çka dëmtoi trajnimin e anëtarëve të KQZ.
- Në një zhvillim pozitiv e domethënës, listat e votuesve për herë të parë u nxorën nga një regjistër kombëtar i kompjuterizuar, ndryshe nga më parë kur nxirreshin nga regjistrat prej letre të niveleve lokale. Një total prej 3,084,946 qytetarësh kishin të drejtën e votës. Raportet e vëzhguesve për ditën e zgjedhjeve thonë se cilësia e listës së votuesve është përmirësuar ndjeshëm që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2005.
- Një tjetër projekt madhor i qeverisë ishte që të lëshonte një kartë identiteti të re e të sigurt për çdo qytetar. Prioriteti ishte që të lëshoheshin rreth 730 mijë karta identiteti për ata votues që nuk kishin një pasaportë, i vetmi mjet tjetër identifikimi. Nisja me vonesë e programit në janar të vitit 2009 ngriti shqetësim se një numër domethënëse votuesish mund të mbetej pa dokument të vlefshëm identifikimit dhe nuk do ishte në gjendje të votonte. Nisur nga disa kushtëzime, fushata për shpërndarjen e kartave të identitetit ishte përgjithësisht e suksesshme dhe krijoi terrenin për një sistem solid të identifikimit të votuesve.
Nga mbi 1.4 milionë aplikime për karta identiteti, të gjitha, përveç 3.321, u proceduan përpara ditës së zgjedhjeve. Rreth 257 mijë qytetarë pa pasaportë nuk aplikuan.
- Programi i kartave të identitetit ishte çështja më e debatueshme që rrethoi zgjedhjet. Partitë e opozitës vunë në dyshim administrimin e procesit dhe hodhën akuza për manipulim të motivuar politikisht. Ndërsa misioni vëzhgues i ODIHR verifikoi disa raste të përfshirjes së pajustifikueshme të aktivistëve të Partisë Demokratike në pushtet, në proces, problemet më të shumta ishin për shkak të problemeve në menaxhim, infrastrukturë dhe në kapacitet.
Politikisht, shumica e mosmarrëveshjeve më të mëdha në lidhje me procesin e kartave të identitetit erdhën për shkak të dështimit të qeverisë për të ofruar të dhëna të besueshme për ecurinë e procesit të aplikimit të qytetarëve pa pasaportë.
- Edhe pse zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis thellësisht të polarizuar politik, fushata ishte përgjithësisht e qetë vetëm me disa incidente të dhunshme të raportuara. Të 34 partitë që garonin në këto zgjedhje mundën të bënin fushatë lirshëm në të gjithë vendin. Në kohë të veçanta, fushata u prish nga përdorimi i tepruar i gjuhës së ashpër. Parashikimet se ku duhej të vendoseshin posterat e fushatës ishin shpesh jo-konsistente, çka çoi në përplasje në disa rajone.
- Misioni i ODIHR mori një numër pretendimesh, nga të cilat disa u vërtetuan, për presion për pjesëmarrje në aktivitetet e PD, ose për të hequr dorë nga aktivitetet e opozitës, shpesh të shoqëruara me kërcënime për humbjen e vendit të punës. Më të prekurit ishin punonjësit e sektorit publik dhe studentët e universiteteve. Këto veprime bien ndesh me paragrafin 7.7 të Dokumentit të Kopenhagës të OSBE. Qeveria përdori në mënyrë të vazhdueshme aktivitetet zyrtare, përfshi inaugurimet e projekteve infrastrukturore, për qëllime fushate.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe drejtues i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjithashtu përdori aktivitetet zyrtare për të bërë fushatë për PS, por shumë më pak. Ka dyshime të provuara për keqpërdorim të burimeve administrative nga PD për qëllime elektorale. Këto veprime zhdukin ndarjen mes aktiviteteve të shtetit dhe atyre partiake, në kundërshtim me paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagës.
- Shqipëria ka një numër të madh mediesh të transmetuara dhe të printuara, të cilat konkurrojnë për një sasi të kufizuar të ardhurash nga reklamat dhe që përgjithësisht varen nga biznesi që i ka në pronësi. Kjo, e kombinuar me ndërhyrjen në politikat editoriale nga politikanët dhe nga interesat e biznesit ka ndikim në pavarësinë e medias. Reforma në transmetuesin publik, që është në varësi të fortë nga fondet e shtetit, është penguar.
- Kodi Zgjedhor përfshin rregullime të detajuara për mbulimin e fushatës në lajme dhe në programet, si ato me pagesë, edhe falas, si në medien private, edhe atë publike. Partitë e vogla nuk patën mbulim në media sipas asaj që përcaktonte Kodi Zgjedhor. Bordi i Monitorimit të Medias në KQZ nuk qe i aftë të përmbushte plotësisht përgjegjësitë e tij për të bërë të mundur që transmetuesit televizivë të siguronin atë që kërkonte ligji për “pluralizmin e informacionit.”
- Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të medias tregoi se para nisjes së fushatës zgjedhore zyrtarisht transmetuesit e monitoruar ishin të njëanshëm dhe mbuluan vetëm dy partitë kryesore, PD dhe PS. Gjatë 30 ditëve të fushatës zyrtare, sasia e mbulimit për partitë kryesore qe më e balancuar. Megjithatë, që të gjithë televizionet qenë të njëanshme ndaj PD ose PS, gjë që u pasqyrua në tonin e mbulimit që ata bënë.
Sipas informacioneve të marra nga gazetarët, mbulimi i fushatës u reduktua në atë çfarë vetë partitë regjistronin dhe paraqisnin.
- Ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor parashikonin përfshirjen e 30% të kandidateve femra në lista. Shumë lista kandidatësh u kthyen mbrapsht për mosplotësim të këtij kriteri. Pavarësisht faktit që partitë e respektuan me shumë rezerva këtë fakt, në parlament ka një numër deputetesh femra më të madh sesa në 2005.
- Disa parti që përfaqësonin minoritetet u paraqitën në zgjedhje. Një anëtar i Partisë së të Drejtave të Njeriut nga minoriteti grek, u zgjodh deputet, por kishte përfaqësues të grekëve nga listat e dy partive të mëdha, PD e PS. Disa probleme u vërejtën me komuniteti rom, sidomos ato që kishin lidhje me dokumentet e identitetit dhe procesin e ndarjes. Misioni i vëzhguesve ka marrë gjithashtu informacione për blerje të votës në komunitetin rom, të cilat dhe u vërtetuan.
- Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe paqësore. Gjatë hapjes së qendrave të votimit u vunë re probleme në lidhje me numrat serialë të vulave dhe mungesë materialesh zgjedhore. Vëzhguesit vlerësuan se votimi ishte pozitiv në 92 për qind të qendrave të votimit të vizituara, por vunë re dhunim të procedurave në një numër të caktuar rastesh. Në veçanti procedura e lyerjes me bojë të gishtit nuk u krye gjithnjë, gjë që zhvlerëson sigurinë për mos-votim më shumë se një herë. Një tjetër problem shqetësues ishte votimi familjar, firma seri të njëjta, përpjekje për të ndikuar te votuesit, presion tek ata dhe te zyrtarët zgjedhorë. Procesi i mbylljes së votimit u vlerësua në tërësi pozitiv, me disa probleme procedurale.
- Numërimi i votave u vlerësua i keq ose shumë i keq në 22 nga 66 qendra të numrit të votave. Vëzhguesit e ODIHR vërejtën probleme procedurale, që duket se vinin nga trajnimi i pamjaftueshëm. Numërimi i ri elektronik, me anë të të cilit çdo votë vendosej para kamerës dhe iu tregohej votuesve në ekran, ishte disa metra larg, gjë që pengoi besueshmërinë dhe transparencën, pasi në disa raste qe e pamundur të shihej saktë se kujt partie i përkiste vota dhe për kë ajo numërohej.
- Teksa numërimi vazhdonte, partitë politike filluan të interferojnë aktivisht, sidomos kur rezultatet ishin ose duket se ishin të ngushta. Si rezultat, procesi u ndërpre në disa qendra numërimi, të cilat shfaqën probleme me kontrollin e procesit. Në një numër qendrash, kutitë e votimit nuk u numëruan ose rezultatet nuk u përfshinë në tabelën përmbledhëse për zonën e administrimit zgjedhor. KQZ shpesh nuk ndërhyri mjaftueshëm, kur problemet u vunë re ose u raportuan në qendrat e numërimit.
- Pavarësisht disa ngjashmërive me zgjedhjet e mëparshme, pati përparim të dukshëm në administrimin e procesit nga KQZ, sidomos në marrjen e materialeve zgjedhore nga zonat e administrimit, transmetimin elektronik të rezultateve nga qendrat e numërimit për në KQZ dhe njoftimi i rezultateve paraprake. Nuk pati prova për parregullsi në numërim apo për manipulim të rezultateve dhe nuk pati parregullsi të mëdha në qendrat e numërimit të votave veç bllokimit të numërimit në disa prej tyre.
- KQZ i hartoi tabelat e rezultateve për 12 qarqet elektorale bazuar në rezultatet e tabelave të zonave zgjedhore dhe i miratoi të gjitha ato me shumicë të thjeshtë prej katër votash të anëtarëve që përfaqësonin qeverinë. Rezultatet e përpiluara nga KQZ nuk përfshinë rezultatet e 33 qendrave të votimit, 5 prej tyre nuk u hapën fare në ditën e zgjedhjeve, ndërsa 28 nuk u numëruan ose rezultatet e tyre nuk u përfshinë në tabelat respektive të zonës zgjedhore. Rezultatet e këtyre 28 qendrave të votimit u përfshinë pas zgjedhjeve nga KQZ pas procesit të ankimit.
- Numri i ankimimeve paszgjedhore që shkuan në KQZ (34) është shumë i reduktuar me atë të zgjedhjeve të mëparshme. Kjo mund të jetë e lidhur me reduktimin e zonave nga 100 në 12. Gjatë procesit të ankimimeve, ndasitë politike në KQZ u shfaqën më qartë se sa në periudhën më përpara. Megjithatë, ndryshimet në tabelat e rezultateve për zonat që ishin ankimuar, u kaluan me votat e të gjithëve. Vendimet për ndarjen e vendeve në parlament për 12 zonat e zgjedhjeve dhe deklarimi i rezultateve finale u morën unanimisht nga të gjithë anëtarët e KQZ.
- Pesë vendime të KQZ në lidhje me ankimimet paszgjedhore shkuan në Kolegjin Zgjedhor. Në total u hartuan 12 ankesa, nga të cilat Kolegji i dha të drejtë njërës. Seanca e dëgjimit në Kolegj u krye në mënyrë profesionale dhe marrja e vendimit qe e shpejtë.
Rekomandimet e ODIHR
A. Partitë politike
1. Partitë duhet të tregojnë vullnet politik për organizimin e zgjedhjeve demokratike brenda privilegjeve të bollshme që u mundëson ligji për zgjedhjet. Ata duhet t’i zbatojnë detyrimet e tyre elektorale me përgjegjësi, në interes të përgjithshëm të Shqipërisë. Kjo përfshin performancën e komisionerëve dhe zyrtarëve të zgjedhur e të emëruar në të gjitha nivelet, të cilët duhet të frenojnë veprimet dhe vendimet e tyre në lidhje me zgjedhjet, bazuar në preferencat e tyre politike.
B. Korniza ligjore
2. Nenet e Kodit Elektoral, që u japin kryetarëve të partive të drejta të veçanta për kandidimet, duhet të rishikohen duke pasur parasysh parimet e barazisë dhe mos-diskriminimit. Duhet të garantohet që votuesit t’i njohin në kohë kandidatët që mund të zgjidhen si rezultat i përkrahjes së tyre.
3. Duhet të eliminohet përfshirja e partive politike në përzgjedhjen e gjyqtarëve të Kolegjit Elektoral të apelimeve.
4. Nenet në lidhje me përsëritjen e zgjedhjeve në një zonë duhet të amendohen, me qëllim t’i deklarojnë qartë kushtet e nevojshme për përsëritjen e zgjedhjeve.
5. Duhet pasur në konsideratë përfshirja e mekanizmave për t’iu dhënë individëve të drejtën e apelimit, në rast se dhunohen të drejtat e tij elektorale.
6. Kodi Elektoral duhet ndryshuar që nenet për financimin publik të partive të mos favorizojnë në mënyrë të pamerituar dhe jo-proporcionale partitë parlamentare.
7. Duhet marrë në konsideratë ndryshimi i neneve në Kodin Elektoral në lidhje me financimin e fushatave, të kërkojë deklarimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të partive gjatë fushatës dhe të specifikojë kriteret, sipas të cilave KQZ mund të bëjë verifikimin e raporteve financiare të partive.
C. Administrata zgjedhore
8. Duke ruajtur transparencën dhe procedurat e formimit dhe funksionimit të administratës zgjedhore, Kodi Elektoral duhet të amendohet me qëllim eliminimin e çdo mundësie abuzimi dhe bllokimi të procesit nga partitë politike. Në veçanti, duhet të ketë mekanizma eficiente në zënien e vendeve të lira në administratën zgjedhore, në rast se partitë nuk bëjnë nominime brenda afateve. Ky mekanizëm duhet të zbatohet pa vonesë, kur është e nevojshme.
9. Me qëllim për të garantuar pavarësi dhe profesionalizëm të administratës zgjedhore, partitë politike nuk duhet të lejohen të zëvendësojnë arbitrarisht anëtarët e komisioneve të nivelit të ulët. Zëvendësimi duhet bërë vetëm arsye specifike të deklaruara qartë në ligj.
10. KQZ duhet ta përdorë më shumë autoritetin e tij në Kodin Elektoral, kur kjo është e nevojshme, në veçanti në lidhje me komisionet zgjedhore të nivelit të ulët. Kur ai identifikon ose informohet për probleme në lidhje me KQZV, QNV, KQZ, duhet të jetë më aktive në hetimin dhe zgjidhjen e problemeve të tilla.
11. Trajnimi i KQZV, QNV duhet intensifikuar dhe përmirësuar.
D. Regjistrimi i votuesve dhe identifikimi
12. Database i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile duhet të pastrohet edhe më për përmirësimin e listave të votuesve. Në lidhje me këtë rekomandohet krijimi dhe ruajtja e kapaciteteve të nevojshme administrative. Opozita dhe mazhoranca duhet të konsultohen në proces, me qëllim që të garantohet transparenca, të adresojnë mangësitë e mbetura dhe parandalojnë bërjen e regjistrimit civil dhe elektoral problem politik në fushatë.
13. Duhet rregulluar sistemi aktual i përgatitjes së listave për grupe të veçanta votuesish, me qëllim që këta votues të mos rrezikojnë të mos votojnë për shkak të keqfunksionimit dhe jo-eficiencës së administratës së institucionit ku ata do të ushtrojnë të drejtën e votës.
E. Regjistrimi i kandidatëve
14. Kufizimi që qytetarët duhet të firmosin në përkrahje vetëm të një kandidati ose partie duhet të hiqet. Qytetarët duhet të jenë në gjendje të firmosin për çdo parti ose person që ata pëlqejnë të përkrahin.
15. Duhet të hiqet kërkesa që votuesit që depozitojnë firmën në përkrahje të një partie ose kandidati në prani të noterit ose në KQZ. Personi që firmos duhet të japë informacion të mjaftueshëm te personi i autorizuar i partisë që mund të identifikohet ose kontaktohet në rast verifikimi të mëtejshëm.
F. Fushata elektorale
16. Autoritetet, si dhe partitë politike duhet të ndërmarrin hapa të vendosur për të garantuar se nuk do të bëhet presion ndaj administratës publike, aktivistëve të partisë dhe qytetarëve për të marrë pjesë në mitingje, të mos shkojnë në aktivitete politike, ose të votojnë në një mënyrë të caktuar. Raste të tilla duhen hetuar dhe personat përgjegjës të dalin përpara drejtësisë sipas ligjit.
17. Duhet të forcohen mekanizmat për monitorimin e keqpërdorimit të mundshëm të burimeve administrative për qëllime elektorale, si edhe përdorimi i ngjarjeve zyrtare për fushatë, përgjegjësit të japin llogari.
H. Votimi, numërimi, llogaritja dhe deklarimi i rezultateve
21. Duhet garantuar përmirësim i procedurës së votimit, sidomos në lidhje me fshehtësinë e votës dhe lyerjen e gishtit me bojë, duke ofruar trajnimin e duhur për kryetarët e komisioneve zonale, detyra e të cilëve është zbatimi i ligjit.
22. Rregullat për praninë e individëve në qendrat e votimit dhe numërimit duhen zbatuar me fanatizëm. Në veçanti duhet garantuar që në qendra e numërimit të ketë vetëm persona të autorizuar. Numri i vëzhguesve partiakë duhet kufizuar, siç parashikohet në ligj për ata që kanë autorizim me shkrim. Duhet parandaluar ndërhyrja e personave të paautorizuar.
23. Duhet marrë në konsideratë modifikimi i procedurave të numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve, në mënyrë që të mos shkelen afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor. Megjithatë, kjo nuk duhet bërë në kurriz të transparencës së procesit të numërimit.
24. Garuesit duhet të lejohen të vëzhgojnë procesin në mënyrë të barabartë. Për më tepër, duhen bërë përmirësime që vëzhguesit të kenë mundësi të kontrollojnë ndershmërinë e numërimit. Sistemi ekzistues duhet implementuar në atë mënyrë që të sigurojë që vëzhguesi të shohë qartësisht se ku është shënuar vota.
25. Nëse do të mbahet sistemi aktual i videove, duhet marrë në konsideratë fakti që për vëzhguesit duhet të lehtësohet mundësia për të parë se ku ka shkuar vota. Kjo parashikon dhe dhënien e kopjeve sipas kërkesës.
26. Kodi Zgjedhor duhet të qartësojë se si grupet e numërimit dhe KZAZ-të duhet të trajtojnë kutitë e votave dhe kutitë me materiale zgjedhore, që konsiderohen të rregullta, kur merren nga KZAZ, por më pas gjenden me probleme që tregojnë dhunime dhe parregullsi serioze.
Kodi Zgjedhor duhet të saktësojë se cilat kushte duhen plotësuar që një kuti të mos përfshihet në numërim, edhe pse është quajtur e rregullt, kur është marrë. Të gjitha këto raste duhen raportuar te KQZ. Veprimet e mëtejshme duhen bërë në bazë të vendimit të KQZ.
27. Duhet marrë në konsideratë që KQZ duhet të kryejë hetimin e saj administrativ pavarësisht votimit dhe numërimit të votave.
28. Kur të publikohen rezultatet paraprake, KQZ duhet të përfshijë dhe numrin e votuesve të regjistruar, votuesve që nuk u lejuan të votojnë dhe numrin e votave të parregullta.
I. Ankimimet
29. Shpallja e pavlefshme e rezultateve në një ose më shumë qendra votimi nuk duhet të lidhet vetëm me ndikimin që mund të ketë kjo në vendet në parlament. Shkeljet e rënda të ligjit, që tregojnë se rezultati është deformuar seriozisht, duhen të jenë një arsye e mjaftueshme për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në qendrat e votimit dhe për të lejuar një rinumërim potencial.
G. Media
18. Duhet treguar vëmendje ndaj mekanizmave që minimizojnë politizimin e bordit të monitorimit të medieve, si p.sh., gjetjen e një formule të re për zgjedhjen e anëtarëve të bordit. Bordi duhet të përbëhet nga ekspertë në fushën e analizës mediatike ose të nominuar nga institucione të pavarura mediatike.
19. Duhet treguar vëmendje ndaj trajnimit të anëtarëve të Bordit të medieve dhe monitoruesve analitikë në cilësi dhe sasi, me qëllim të mundësojë bordin të zbulojë, nëse mediet respektojnë apo jo detyrimet e tyre që rrjedhin nga Kodi Elektoral.
20. Duhet treguar vëmendje që veprimtaria qeveritare gjatë fushatës të përfshihet në kohën e partisë, së cilës i përket drejtuesi i institucionit që organizon aktivitetin, me qëllim që të shmangen keqinterpretimet, nëse një veprimtari qeveritare ka lidhje me fushatën apo jo. Të paktën neni 84.2. b i Kodit Elektoral duhet të amendohet që të përcaktojë “aktivitetet qeveritare që lidhen me fushatën elektorale”.
J. Pjesëmarrja e grave
30. Nenet e Kodit Elektoral që përcaktojnë kuotën gjinore në listën e kandidatëve duhen riparë me qëllim që të përmbushet kuota 30 për qind, sipas Ligjit për Barazi Gjinore në Shoqëri dhe të bllokohen hapësirat që u lejojnë partive t’i shmangen qëllimit të ligjit. Duhen rishikuar nenet që të përcaktojnë qartë mënyrën e realizmit të balancës, në numrat përfaqësues të çdo gjinie në listë, si edhe në radhën e vendosjes së emrave në të gjithë listën.
K. Pjesëmarrja e minoriteteve
31. Fushatat e KQZ për sensibilizimin e votuesve duhen zgjeruar për gjithë minoritetet në mënyrën e duhur.