Shpëton Mediu, përdor imunitetin si mburojë, më pas thotë që nuk ka imunitetNga TemaIsh-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nuk do të jetë më zyrtarisht i akuzuar për tragjedinë e 15 marsit në Gërdec, ku gjetën vdekjen 26 persona, ndërsa 300 të tjerë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Shpëton Mediu, përdor imunitetin si mburojë, më pas thotë që nuk ka imunitetNga TemaIsh-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nuk do të jetë më zyrtarisht i akuzuar për tragjedinë e 15 marsit në Gërdec, ku gjetën vdekjen 26 persona, ndërsa 300 të tjerë mbetën të plagosur. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i kryesuar nga gjyqtari Besnik Imeraj, ka vendosur dje që të pushojë çështjen gjyqësore ndaj Mediut. Vendimi është bazuar në faktin e rifitimit të imunitetit nga Mediu, pas zgjedhjes së këtij të fundit deputet në zgjedhjet e 28 qershorit.
Organi i akuzës e ka kundërshtuar vendimin e gjykatës, me argumentin se heqja e imunitetit të Mediut është miratuar njëherë nga parlamenti, në kohën kur ndaj tij nisi ndjekje penale. Pas këtij vendimi prokuroria nuk mund të bëjë dot asgjë, pasi nuk mund të kërkojë për herë të dytë imunitetin e Mediut. Nëse nuk do të ketë një kërkesë nga një prej palëve të prekura në proces në Gjykatën Kushtetuese, për interpretim të ligjit për imunitetin, atëherë procesi ndaj Fatmir Mediut do të arkivohet përfundimisht.
Kanë qenë avokatët mbrojtës të Mediut, të cilët në fillim të procesit kanë paraqitur faktin e fitimit të mandatit të deputetit nga klienti i tyre, i cili automatikisht fiton kështu edhe imunitetin.
Pas kësaj, Gjykata e Lartë ka vendosur që të mbyllë procesin gjyqësor ndaj tij, duke u shprehur se, “në bazë të vendimit nr. 602, dt. 01.08.2009 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se i pandehuri Fatmir Mediu është zgjedhur deputet i legjislaturës së 18 të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo rrethanë nuk lejon vazhdimin e procedimit penal në ngarkim të tij, për aq kohë sa nuk ka një autorizim për ndjekje penale të dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë, mbas marrjes prej tij të mandatit të deputetit. Për këto arsye, mbështetur në nenin 73/2 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenet 290/e dhe 387/1 të Kodit të Procedurës Penale, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi pushimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu”.
Pas mbylljes së dosjes, avokati mbrojtës i Fatmir Mediut, Ardian Visha, ka akuzuar prokurorinë si të paaftë, që dështoi në gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes. Visha është shprehur se do të preferonte një betejë gjyqësore me prokurorët, gjë që sipas tij nuk ndodhi, për shkak të paaftësisë së organit të akuzës. Visha tha se klienti i tij do të donte që çështjes t’i shkohej deri në fund, edhe pse ishte vetë ai që paraqiti si pengesë për gjyqin imunitetin e rifituar të Fatmir Mediut.
Pak pas vendimit për mbylljen e procesit gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Gjykata e Lartë ka shpjeguar arsyet për marrjen e këtij vendimi. Sipas zëdhënëses së kësaj gjykate, Ida Vodica, procesi ndaj Mediut është mbyllur, pasi ky i fundit është zgjedhur sërish deputet, çka bën të mundur që ai të rifitojë imunitetin.
“Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi dëgjoi mbrojtësit e të pandehurit Fatmir Mediu, që pretenduan faktin e zgjedhjes deputet të të mbrojturit prej tyre, fakt që sipas tyre kushtëzon vazhdimin e ndjekjes penale, si dhe përfaqësuesit e organit të akuzës, që kërkuan vazhdimin e gjykimit, vërejtën se; në bazë të vendimit nr. 602, dt. 01.08.2009 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se i pandehuri Fatmir Mediu është zgjedhur deputet i legjislaturës së 18 të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo rrethanë nuk lejon vazhdimin e procedimit penal në ngarkim të tij, për aq kohë sa nuk ka një autorizim për ndjekje penale të dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë, mbas marrjes prej tij të mandatit të deputetit. Për këto arsye, mbështetur në nenin 73/2 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenet 290/e dhe 387/1 të Kodit të Procedurës Penale, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi pushimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mund të vazhdojë”, - argumentoi vendimin Gjykata e Lartë për pushimin e çështjes në ngarkim të Fatmir Mediut.
Megjithatë, juristë të ndryshëm janë shprehur se, në rast se hetimi është në rrugë e sipër, atëherë ai nuk ndërpritet për shkak të zgjedhjes si deputet.
Gjithë procesi u zvarrit qëllimisht nga avokatët e Mediut, të cilët madje u shprehën se nuk mund të merrnin pjesë në një seancë, për shkak se ishte mbyllur tuneli i Kukësit. Procesi u bë qesharak, që kur dosja u nda në dy copë. Shtyrjet e shumta dhe të paargumentuara synonin që të vinte momenti, kur Mediu të kishte sërish imunitet.
Fatmir Mediu: Nuk i njoh vetes asnjë imunitet
Edhe pse i akuzuari për tragjedinë e Gërdecit, Fatmir Mediu, ka ngarkuar avokatët mbrojtës, që të mbyllin procesin gjyqësor në ngarkim të tij, duke paraqitur si argument rifitimin e imunitetit, paradoksalisht Mediu është shprehur se nuk i njeh vetes asnjë lloj imuniteti. Gjatë një deklarate për shtyp të dhënë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila mbylli procesin gjyqësor në ngarkim të tij, Mediu është shprehur se hetimet për ngjarjen e 15 marsit duhet të shkojnë deri në fund. “Nuk i njoh vetes asnjë lloj imuniteti për hetimin e kësaj çështjeje. Përfaqësuesit e mi ligjorë, pavarësisht nga kushtet e reja procedurale, kërkuan vazhdimin e gjykimit”, - tha Mediu gjatë një komunikate për shtyp. Deklarata e Mediut në fakt është kontradiktore me atë që mbrojtësit e tij kanë kërkuar në Gjykatën e Lartë, pasi në të kundërt të asaj që thotë kreu i PR, që avokatët e tij kanë kërkuar vazhdimin e procesit, këta të fundit kanë kërkuar të kundërtën, pra mbylljen e tij. Ndërkohë, Mediu tha se, pavarësisht rizgjedhjes si deputet dhe ministër i Mjedisit, kjo nuk i jep asnjë imunitet dhe se çështja e Gërdecit duhet të shkojë deri në fund. Fatmir Mediu u akuzua nga prokuroria për shpërdorim detyre, çka ndikoi në ndodhjen e tragjedisë së Gërdecit më 15 mars, kur humbën jetën 26 persona, u plagosën mbi 300 të tjerë, ndërsa dëmet psikologjike dhe materiale ishin të pallogaritshme.
Besnik Imeraj, gjyqtari që shpëtoi dy herë Fatmir Mediun
Dosja ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u mbyll ditën e djeshme pikërisht nga gjyqtari që e ndihmoi atë për mbylljen e dosjes në vitin 2003, kur Gjykata e Milanos e dënoi atë me 3 vjet burg. Bëhet fjalë për gjyqtarin Besnik Imeraj, i cili për më tepër është edhe mik i ngushtë i avokatit mbrojtës së Mediut, Ardian Visha, ndërkohë që vajza e tij punon në studion ligjore që mbron një tjetër të pandehur të tragjedisë së Gërdecit, Mihal Delijorgjin. Mediu u dënua nga drejtësia italiane, për shkak se u kap duke ndihmuar Gazmend Mahmutajn të kalonte transit përmes Italisë në Strasburg si pjesë e një delegacioni shqiptar për të marrë pjesë në një konferencë mbi krimin e organizuar thirrur nga Parlamenti Evropian. Mahmutaj ishte dënuar në Itali me 10 vjet burg për trafik prostitucioni. Ai e kishte ndihmuar Gazmend Mahmutajn të nxirrte një pasaportë me emrin Raqi Gjoni dhe duke u përpjekur me ndërgjegje të plotë t’i bindte autoritetet kufitare për këtë identitet. Pas kësaj Mediu u ndalua në aeroportin e Malpensës në Milano. Ai u ndoq më pas përmes ndërhyrjeve politike në gjykim të lirë, derisa Gjykata e Milanos vendosi ta dënojë me tre vjet burg. Në vitin 2003, Mediu e apelon këtë vendim, po përsëri gjykata vendos që ai të dënohet me tre vjet burg dhe pesë vite ndalim të veprimtarisë publike. Çështja gjatë asaj kohe mori ngjyrim politik, çka në fakt mundi që të shpëtojë Fatmir Mediun nga burgu. Një avokat i shquar italian, ish-numri dy i Antimafies italiane, Maritati, u angazhua për lirimin e tij në Gjykatën e Lartë italiane. Ndihmësi shqiptar i Maritatit ishte gjyqtari shqiptar, Besnik Imeraj, tashmë anëtar i Gjykatës së Lartë, i cili ishte dhe gjyqtar i çështjes së Mediut, ndërsa ndërmjetës zyrtar i tij ishte Ardian Visha, tashmë avokat i Mediut. E ndërsa i shpëtoi vuajtjes së dënimit prej tre vjetësh burg të dhëna nga drejtësia italiane, Mediu tashmë nuk do të përballet më as me akuzën e ngritur ndaj tij për tragjedinë e Gërdecit.
Familjarët e viktimave të Gërdecit: Na vranë për herë të dytë
Familjarët e viktimave të Gërdecit janë revoltuar me vendimin e Gjykatës së Lartë ditën e djeshme, që çliroi nga akuzat ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, pas rifitimit të imunitetit nga ky i fundit. Zamira Durda, nëna e vogëlushit 7-vjeçar, Edison Durda, i cili humbi jetën më 15 mars të vitit 2008 në Gërdec, është shprehur e irrituar, duke thënë se vendimi për mbylljen e procesit gjyqësor ndaj Mediut është i padrejtë. “Sot na vranë për të dytën herë”, - tha pas vendimit të Gjykatës së Lartë Zamira Durda. Kjo e fundit e ka quajtur të pafalshëm vendimin e djeshëm të dhënë nga gjykata, e cila pushoi çështjen ndaj Fatmir Mediut. Madje, kjo e fundit, ashtu si dhe disa familjarë të tjerë, ka kërcënuar me vetëgjyqësi. “Do të bëj vetëgjyqësi, do të bëhem kamikaze”, - është shprehur Durda. Ajo ka kërkuar një përgjigje nga gjykata se përse fëmija i saj nuk jeton më dhe nuk shkon në shkollë, ashtu siç kanë shkuar moshatarët e tij dje, kur ka qenë edhe dita e parë e shkollës. “Dua një përgjigje, përse fëmija im nuk shkon sot në klasë të tretë, kur është edhe dita e parë e shkollës”, - u shpreh e irrituar Zamira Durda. Kjo e fundit në tragjedinë e rëndë, ku gjetën vdekjen 26 persona, humbi njeriun e shtrenjtë të saj, djalin, i cili ishte vetën 7 vjeç. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, të irrituar janë shprehur edhe familjarët e tjerë të viktimave të Gërdecit, të cilët edhe në një letër drejtuar krerëve më të lartë të shtetit pak kohë më parë shpreheshin se do të bënin vetëgjyqësi, nëse Fatmir Mediu nuk do të gjykohej. “Seanca e sotme e shtyrë për datën 14 shtator nuk duket si rastësi që koincidon me marrjen e mandatit nga i pandehuri Fatmir Mediu. Është e qartë që rimarrja e mandatit nga z. Mediu do ta kthente në utopi tentativën për të kërkuar të vërtetën te kjo çështje”, - u shprehen familjarët e viktimave të Gërdecit pak javë më parë, kur dhe seanca ndaj Mediut u shty, deri në rimarrjen e imunitetit nga ana e tij. Këta të fundit, në një letër drejtuar Presidentit të Republikës, Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, shpreheshin se, “përpjekjeve tona që tashmë zgjasin prej 15 muajsh, drejtësia shqiptare nuk u është përgjigjur me seriozitetin e duhur. Ky është një konstatim i dhimbshëm për ne që kemi humbur fëmijë e prindër, bashkëshortë, vëllezër apo motra në këtë tragjedi. Pavarësisht nga dhimbja e thellë që ne, familjarët e viktimave te Gërdecit, na u shkaktua në mënyrë krejt të padrejtë nga politika, tek e cila kemi besuar dhe të cilën e kemi sanksionuar me votë, dhe gjithashtu pavarësisht dhimbjes që na u shtua gjatë kësaj kohe po nga këta fajtorë, që i shpalosën emrat e familjarëve tanë nëpër tribuna politike, ne gjithmonë kemi menduar se vetëm respektimi i institucioneve shtetërore do të na krijonte mundësinë që fajtorët e tragjedisë të dënoheshin”. Në fakt, me vendimin e djeshëm, edhe ai pak besim i familjarëve të viktimave të Gërdecit për dënimin e përgjegjësve të tragjedisë, duket se është shuar.
Pse nuk po e “mallkon” Berisha gjyqtarin e diktaturës?
Nga Mero Baze
19.03.2009
Besnik Imeraj është një nga pesë gjyqtarët që u zgjodh me short për të gjykuar dosjen e Gërdecit. Imeraj është një ish-gjyqtar i kohës së komunizmit, të cilin e prek ligji i lustrimit të figurave, miratuar nga Kuvendi dhe që gjendet në sirtarët e Gjykatës së Lartë. Rreth dy muaj më parë, kur ky debat ishte shumë i nxehtë, kam shkruar se, pavarësisht fatit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, gjyqtarët ose prokurorët që preken nga ligji dhe që do të kenë shansin të gjykojnë dosjet e nxehta të korrupsionit të qeverisë, siç është ajo e Gërdecit, Fazlliçit apo Lulzim Bashës, duhet të japin dorëheqjen nga çështjet, pasi është e nevojshme që gjykimi mbi këto dosje të mos bëhet nën presionin e ligjit. E thënë ndryshe, “regjimi i duarve të pastra” duhet të gjykohet realisht nga duar të pastra.
Besnik Imeraj është një nga këta emra. Njësoj si Zamir Shtylla ai tashmë duhet të ishte anatemuar prej kryeministrit, Sali Berisha. Unë prisja që këto ditë gazetat RD ose “55” të botonin shkrime që ky njeri ka vrarë, përdhunuar apo masakruar disa njerëz. Prisja letra të hapura kundër tij, që t’i kujtonin se po shkel mbi gjakun e njerëzve të pafajshëm dhe duhet të japë dorëheqjen. Prisja fjalime të kryeministrit të posaçme, siç i mbajti për zotin Shtylla. Në fakt, asgjë e tillë nuk ndodhi. Nuk kam asnjë ide për çfarë ka bërë mirë apo keq gjatë kohës së komunizmit gjyqtari i sotëm i Gjykatës së Lartë, Besnik Imeraj, por di të them se si një subjekt i prekur paraprakisht nga ligji i lustrimit, është mirë të qëndrojë larg dosjeve që kanë të bëjnë me korrupsionin e qeverisë, me qëllim që gjykimi ndaj tyre të jetë i pacenuar.
Por lajmet që botoi shtypi dje janë dhe më interesante. Një studio e njohur ligjore në Tiranë për çështje penale, që mbron kryepërgjegjësin juridik të tragjedisë së Gërdecit, Mihal Delijorgjin, ka të punësuar vajzën e tij. Më tej akoma, nëse heton mes lidhjeve të këtij gjyqtari dhe kunatit të Fatmir Mediut, Ilirian Celibashi, do të hetosh qartazi konsultat e pandërprera që kanë bërë bashkë më parë për këtë çështje dhe garancitë që kanë marrë prej tij për votën pro tyre. I gjithë ky ‘rrethim’ që i është bërë këtij gjyqtari nga njerëzit e ish-ministrit Mediu, janë arsyeja e vërtetë përse Sali Berisha dhe njerëzit e tij po heshtin për një gjyqtar të kohës së komunizmit, që ka marrë tashmë në dorë një dosje të nxehtë të qeverisë. S’e dëgjova dje Aldo Bumçin të dilte e të thoshte, siç thotë zakonisht, se “ka plot gjyqtarë të rinj që mund të gjykojnë aferat e qeverisë, dhe nuk kemi mbetur të na gjykojnë ata që kanë lyer duart me gjak”! (Të më falë zoti Imeraj që po imitoj Aldo Bumçin).
S’e dëgjova as zonjën Topalli që nuk lë rast pa folur për gjyqtarë të tillë të kohës së komunizmit. Askush nuk ka pipëtirë deri tani, edhe pse një gjyqtar i Lartë, i prekur nga ligji i lustrimit, po gjykon një dosje të tyre. Ky standard i dyfishtë që ata po përdorin ndaj njerëzve të drejtësisë që kanë lidhje me të kaluarën, zbulon qartë misionin e ligjit që miratuan, që nuk kishte të bënte me dënimin e krimeve të komunizmit, por fshehjen e krimeve në demokraci prej tyre. Ata bënë presionin e duhur mbi këta gjyqtarë dhe prokurorë, bënë një ligj të pazbatueshëm dhe tashmë janë të lirë të seleksionojnë kush nga gjyqtarët është i tyre dhe kush jo.
Është e njëjta gjë që po ndodh dhe me avokatin e zotit Mediu, Ardian Visha, për të cilin nuk kam asnjë mendim personal, por kam vetëm vlerësimet publike të kryeministrit Berisha, i cili e ka quajtur koka e bandës “Hakmarrja për Drejtësi” dhe njeriu kyç që ka dështuar ekstradimin e Orik Shytit në Shqipëri. Tashmë ky “djall” është shndërruar në engjëll dhe është konsulenti kryesor i Sali Berishës për dosjen e Gërdecit dhe shpresa e vetme se do t’ia dalë me lidhjet e tij brenda drejtësisë të mbulojë përfshirjen e djalit të tij në këtë skandal.
Keqkatandisja e kryeministrit Berisha në këtë histori është e dhimbshme. Ai tashmë duhet të heshtë për një gjyqtar të diktaturës, pse i ka dhënë garanci Fatmir Mediu se ka mbyllur pazarin me të, duhet të heshtë për konfliktin e tij të interesit (të cilin Berisha u betua që s’do ta falte kurrë për asnjë gjyqtar), dhe do të vazhdojë të presë lajme të mira për procesin gjyqësor nga ai, që vetë e ka quajtur “njeriu kyç” i “Hakmarrjes për Drejtësi”.
Për t’i qëndruar asaj që kam shkruar dy muaj më parë, pa ditur në dorë të kujt do të binte kjo dosje, ftoj zotin Imeraj të largohet nga ky proces, ku miliona shqiptarë dëshirojnë të jetë një sprovë e drejtësisë shqiptare për t’u ringritur në këmbë dhe për t’i dhënë vendit shpresë se një ditë krimet dhe korrupsioni në këtë vend do gjykohen. Unë nuk e ftoj zotin Besnik Imeraj të ikë nga drejtësia dhe nuk kam asnjë rezervë për të shkuarën e tij të panjohur për mua, por dua si shumë shqiptarë të tjerë, që kjo tragjedi e dhimbshme e shkaktuar nga korrupsioni të gjykohet pa hijet e dyshimit dhe mëdyshjet e krijuara nga presioni i një ligji, të cilin Berisha e përdor vetëm kur dyshon se dikush nga drejtësia nuk është nën kontrollin e tij.
Topi: Dekretimi i Mediut, përgjegjësi e kryeministrit Berisha
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar ditën e djeshme emërimin e ministrave të rinj të qeverisë së kryesuar nga kryeministri, Sali Berisha, duke i hapur kështu rrugë parlamentit për votëbesimin e kabinetit të ri. Me këtë veprim Topi u dha fund zërave se ai mund të refuzonte ndonjë nga propozimet e kryeministrit, veçanërisht atë të ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu. Në lidhje me dekretimin e këtij të fundit, Topi, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, tha se, emërimi i Mediut si ministër është përgjegjësi e Berishës dhe jo e tij. “Ju e dini që në Shqipëri pushtetet janë të ndara. Sikurse jam shprehur edhe në shumë momente të tjera, preokupimi im kryesor është që të mos devijoj për asnjë çast nga zbatimi i neneve të Kushtetutës, i gjithë kuadrit ligjor që rregullon aktivitetin e presidentit në raport edhe më çështjen në fjalë. Çka do të thotë që në të gjithë procesin tim të dekretimit unë i referohem në mënyrë shumë rigoroze detyrimit kushtetues, ndërsa, për sa i përket çështjes së këndvështrimit politik edhe moral, natyrisht që ky është një ekskluzivitet i propozuesit, që në rastin konkret është kryeministri”. Presidenti Topi u shpreh së në rastin e dekretimit të Mediut si ministër i është përmbajtur dhe ka zbatuar vetëm Kushtetutën. “Unë eci me atë kuadër kushtetues e ligjor që kam në punën time. Nëse do të veproj ndryshe, do të jeni ju të parët që do të ngrini pyetjen, përse unë lëviz nga Kushtetuta”, - përfundoi Topi.
Berisha: Nuk ka imunitet për deputetët e mazhorancës
Kryeministri Sali Berisha, nëpërmjet zëdhënëses, Juela Meçani, reagoi vetëm pak pas vendimit të Gjykatës së Lartë për mbylljen e procesit gjyqësor ndaj Fatmir Mediut. Gjatë fjalës së tij, Berisha është shprehur se për të gjithë deputetët e mazhorancës dhe ministrat e kabinetit të nuk ka imunitet, në rastet kur këta të fundit akuzohen për vepra të ndryshme. “Duke mos ndërhyrë në vendimet dhe pavarësinë e gjykatës, si kryeministër dhe si kryetar i kësaj mazhorance, rikonfirmoj edhe një herë qëndrimin tim të prerë se, për qeverinë time dhe deputetët e mazhorancës, sikundër edhe gjatë mandatit të shkuar, edhe gjatë këtij mandati, nuk ka dhe nuk do të ketë imunitet, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj pengese për institucionet e akuzës dhe organet gjyqësore për hetimin dhe penalizimin e deputetëve apo ministrave, njëlloj si qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Ky është standardi i kësaj mazhorance”, - përfundon fjala e kryeministrit, Sali Berisha.
PS: Pushimi i dosjes së Mediut, skandaloz
Partia Socialiste, nëpërmjet deputetit të saj, Saimir Tahiri, e ka cilësuar skandaloz vendimin e Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes në ngarkim të Fatmir Mediut.
“Ky është një vendim turpi që nuk jep drejtësi, por fsheh kriminelët dhe hajdutët shtetërorë që për hir të interesave korruptive, shkaktuan 26 viktima dhe lanë në mëshirë të fatit familjarët e tyre. Ky është një vendim skandaloz që fsheh të vërtetën e tragjedisë së Gërdecit pas imunitetit fals të Fatmir Mediut dhe shefave të tij në qeveri”, - tha gjatë fjalës së tij Tahiri. Sipas këtij të fundit, dosja e Mediut u mbyll për shkak të presionit politik të ushtruar nga ana e kryeministrit Berisha ndaj Prokurorisë së Përgjithshme.
“Pasi thuri planin institucional dhe ligjor për instalimin e fabrikës korruptive që i mori jetën 26 viktimave të pafajshme, pasi refuzoi të hiqte imunitetin e Fatmir Mediut, pasi kërcënoi në mënyrë të përsëritur Prokurorinë e Përgjithshme, mazhoranca e Sali e Shkëlzen Berishës, Fatmir Mediut, Fahri Balliut, Aldo Bumçit, Mihal Delijorgjit dhe e të gjithë shërbëtorëve të tjerë, që me zell të verbër gatuan tragjedinë e shekullit, ushtroi presion të gjithanshëm për të bërë të mundur shmangien e fajësisë nga e vërteta dhe nga dënimi që meriton”, - tha Tahiri. Ndërkohë, Partia Socialiste ka akuzuar edhe LSI, e cila, sipas PS, mori vota në zgjedhjet e 28 qershorit me premtimin për të zbardhur Gërdecin, ndërsa sot bashkëqeveris me njerëzit që akuzoi si përgjegjës për tragjedinë. “Ajo pjesë e mazhorancës që gatoi tragjedinë e Gërdecit, si dhe pjesa tjetër e kësaj mazhorance që mblodhi votat e shqiptarëve me premtimin për të zbardhur Gërdecin, sot bashkëqeverisin në të njëjtën qeveri, ku përveç paaftësisë dhe mediokritetit, strehohen edhe ministra të kërkuar nga drejtësia”, - përfundoi deklaratën Tahiri.
Meta: “Gërdeci” nuk zbardhet pa ikur Berisha
Kreu i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi rreth një vit më parë së tragjedia e Gërdecit nuk mund të zbardhet, nëse nuk largohet nga qeveria Sali Berisha. Mendim që një vit më pas duket se ka ndryshuar, pasi tashmë Meta është bashkëpunëtori më i ngushtë i tij në qeveri, duke qenë se mban postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm. Kështu, në një deklaratë të dhënë me datën 8 korrik të vitit të kaluar, Meta shprehet se, “vë re që përpjekjet e Berishës për një kontroll absolut të institucioneve vijnë kur ai ndihet i rrezikuar, jo vetëm për të humbur zgjedhjet, por edhe kur ndihet i rrezikuar përpara drejtësisë, ndaj jo më kot kërkon me çdo kusht që të kontrollojë anëtarët e gjykatave të larta e të çdo niveli”. Sipas deklaratës së Metës dhënë një vit më parë, hetimet për dosjen e Gërdecit nuk u zhvilluan dhe thelluan si duhej, për shkak të ndërhyrjes së kryeministrit Berisha. “Ne kemi kërkuar që në fillim dorëheqjen e Berishës, për arsye se jemi të bindur që pa dorëheqjen e tij nuk mund t‘u shkohet deri në fund hetimeve për Gërdecin”, - nënvizoi Meta, teksa shprehu bindjen që, po nuk iu shkua deri në fund çështjes së Gërdecit dhe vendosjes së drejtësisë, do të jetë shumë e vështirë që në Shqipëri të vendoset një shtet i së drejtës. Një vit më vonë, jo vetëm që hetimet për Gërdecin nuk shkuan ashtu siç kërkonte Meta, por ky i fundit tashmë do të ketë në krah dy njerëzit që ka akuzuar për këtë tragjedi, Sali Berishën dhe Fatmir Mediun.
Mediu-Basha, ministrat e akuzuar që nuk u gjykuan për shkak të procedurave
Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu kanë qenë dy ministrat, me të cilët kryeministri Berisha gjatë mandatit të kaluar pati bashkëpunuar më shumë, ndërsa edhe gjatë këtij mandati do t’i ketë sërish në kabinetin e vet. Por, përveç faktit të përbashkët se të dy ata kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Berishës, Mediu dhe Basha kanë të përbashkët edhe faktin se që të dyve iu hoq imunitetit, të parit se akuzohej si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, ku gjetën vdekjen 23 persona, ndërsa të dytit për korrupsion. Të dy këta ministra nuk u përballën asnjëherë realisht me akuzën e ngritur ndaj tyre, por përfituan për shkak të procedurave, duke iu shmangur gjyqit, i cili do të hidhte dritë, nëse janë apo jo fajtorë për akuzat e ngritura ndaj tyre, të cilat gjithsesi, për fatin e tyre të keq, do t’i përndjekin gjatë gjithë karrierës së tyre politikë. Fatmir Mediu, i cili ishte pa imunitet legjislaturën e kaluar, i shpëtoi dje procesit gjyqësor në Gjykatën e Lartë, falë burokracisë së procedurave. Mungesat e njëpasnjëshme të Mediut në seanca, ndarja e dosjes dhe shtyrja për më 14 shtator për fillimin e gjykimit të tij për tragjedinë e Gërdecit, bëri që procesi gjyqësor ndaj tij të mos fillonte kurrë, pasi Mediu rifitoi imunitetin me rizgjedhjen si deputet. Në fakt, me rastin e Mediut përsëritet pothuajse në mënyrë identike historia e imunitetit të ish-ministrit të Punëve Publike, Lulzim Basha, i cili dje u dekretua si ministër i Brendshëm. Edhe pse Basha akuzohej për shpërdorim detyre në projektin e rrugës Durrës-Kukës, duke i shkaktuar shtetit një dëm me vlerë 230 milionë euro, çështja ndaj tij u pushua nga Gjykata e Lartë, pikërisht për shkak të zvarritjes së procedurave. Ashtu si në rastin e Bashës, edhe Mediu nuk u përball me akuzën që rëndonte mbi të, por nxitoi që të fshihej pas imunitetit të deputetit.