E Diel, 1 Nëntor 2026

E drejta për të vajtuarNga Mero BazeNëse ka ndonjë ngjarje që do të detyronte të mbyllej brenda çdo njeri normal në krye të këtij vendi, ishte dita e djeshme. Së pari, Gjykata e Lartë në një vendim të paprecedent pushoi gjykimin ndaj Fatmir Mediut, d

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

E drejta për të vajtuarNga Mero Baze

Nëse ka ndonjë ngjarje që do të detyronte të mbyllej brenda çdo njeri normal në krye të këtij vendi, ishte dita e djeshme. Së pari, Gjykata e Lartë në një vendim të paprecedent pushoi gjykimin ndaj Fatmir Mediut, duke përdorur si arsyetim imunitetin që ai ka fituar nga rizgjedhja si deputet dhe disa orë më pas raporti i ODIHR njolloste rëndë zgjedhjet e 28 qershorit duke i vlerësuar ato si jashtë standardeve të një vendi që synon anëtarësimin në BE dhe si vend anëtar i NATO-s. Të dyja këto ngjarje të rënda për imazhin e qeverisë shqiptare në ditën e dekretimit të saj plot mëdyshje nga presidenti, kryeministri i vendit duhet të shpikte diçka që të mos ndodhej në Tiranë dhe të mos shfaqej para shqiptarëve. Por në të vërtetë ai u shfaq dhe u doli zot me paturpësi të dyja këtyre historive.

Së pari i doli zot historisë së Fatmir Mediut, njeriu që e mban peng me përfshirjen e djalit të tij në Gërdec. Me një paturpësi që mund t’i shkojë vetëm atij, pasi pushoi çështjen, me kërkesë të vetë Fatmir Mediut si deputet me imunitet të ri, doli dhe u tha shqiptarëve se ministrat e tij nuk do ta përdorin kurrë imunitetin për t’u mbrojtur nga gjykimi. Kjo paturpësi me të vërtetën që ndodh para syve të gjithë shqiptarëve, është fyese për inteligjencën e çdo shqiptari, sado ordiner të jetë, madje dhe në qoftë më ordiner se Fatmir Mediu dhe njerëzit e tij që bënë Gërdecin. Kjo është fyese, pasi kryeministri, i cili është në “gjak” si familje tashmë me ata që kërkojnë vetëgjyqësi, jo vetëm që i vrau ata njerëz, jo vetëm që i la fëmijët pa prindër dhe prindërit pa fëmijë, por në emër të djalit të tij dhe Fatmir Mediut edhe po i poshtëron duke pushuar një çështje, e cila në çdo vend të botës do kishte zhbiruar jo më fajtorët, por dhe indiferentët që kanë lejuar këtë tragjedi. Sali Berisha e pushoi dje këtë çështje dhe pa iu dridhur syri, del dhe vazhdon të thotë që ministrat e tij janë pa imunitet përballë gjykimit të çdo dosjeje, ndërkohë që po e përdorin imunitetin për të fshehur duart e përgjakura me gjakun e fëmijëve të pafajshëm në Gërdec. Njësoj si në rastin e Lulzim Bashës, kryeministri po përdor procedurat dhe imunitetin për të mbyllur histori të rënda korrupsioni dhe histori të përgjakura nga korrupsioni.

Një histori më e rëndë ndodhi pasdite. Në orën 19:30 minuta kryeministri doli para medieve për të lexuar sipas oreksit të tij raportin e ODIHR për zgjedhjet. Raporti, i cili i vlerëson standardet e zgjedhjeve të dështuara, është një shuplakë e rëndë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, të rrezikuar nga ky kryeministër. Për ta mbuluar këtë krim, i cili natyrisht do të vonojë lëvizjen e lirë të 4 milionë shqiptarëve në Evropë, Sali Berisha doli para kamerave dhe e krahasoi raportin me atë zgjedhjeve të vitit 2000 dhe natyrisht gjeti disa ndryshime më pozitive se sa vjedhjet pa takt të Ilir Metës në vitin 2000. Por në vitin 2009 shqiptarët dhe Perëndimi prisnin zgjedhje perëndimore dhe jo zgjedhje të krahasuara me një epokë të errët, gati militare në Shqipëri. I pacipë deri në fund, kryeministri lavdëronte një raport që e nxin fytyrën e çdo kryeministrit që ka fytyrë, një raport që tregon se përparimi i vetëm që është bërë, është përmirësimi i teknologjisë së vjedhjes së votave. Kryeministri nxitoi të lavdërojë një raport të hartuar nga ambasadorja Glover, të cilën nuk deshi ta pranonte të vinte në krye të misionit në Shqipëri, edhe pse raporti duhet lavdëruar për realizmin e tij dhe skanerin që i ka bërë deformimit të vullnetit të shprehur të shqiptarëve.

Kryeministri nxitoi të na detyronte dje të mos mendonim për çfarë po ndodhte, por të dëgjonim ngjarjet sipas tij. Ky njeri, pse ka një keqkuptim të madh me veten, mendon se, po e lexoi ky sipas oreksit të vet diçka, njerëzit janë të detyruar ta besojnë. Ai nxitoi të na lutej të mos besonim që Fatmir Mediu shpëtoi nga prangat përkohësisht, pasi përdori imunitetin e fituar pas 28 qershorit, por shpëtoi se e meritonte. Ai nxitoi të na tregojë se cilin rresht duhet të lexojmë te raporti i ODIHR për zgjedhjet, për të mos e marrë seriozisht deformimin e vullnetit të shqiptarëve. Në njëfarë mënyre, nxitoi të na tregojë se në këtë vend të vjedhin dhe të vrasin dhe s’të lënë të vajtosh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›