E Diel, 1 Nëntor 2026

Di Lellio: Plani Ahtisaari - mbikëqyrje e përhershme Nga Ilirjana A. Bajo, RFE“Kosova mund të bëhet plotësisht e pavarur, vetëm nëse përmbushen të gjitha kushtet e planit Ahtisaari. Por këto kushte janë formuluar në mënyrë të tillë që nuk mund të për

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Di Lellio: Plani Ahtisaari - mbikëqyrje e përhershme Nga Ilirjana A. Bajo, RFE

“Kosova mund të bëhet plotësisht e pavarur, vetëm nëse përmbushen të gjitha kushtet e planit Ahtisaari. Por këto kushte janë formuluar në mënyrë të tillë që nuk mund të përmbushen kurrë. Kjo do të thotë që do ketë gjithmonë nevojë për përfaqësuesin civil”, - thotë Anna Di Lellio, autore dhe eksperte për Ballkanin

Kemi një prani të shtuar ndërkombëtare në Kosovë, në kohën kur udhëheqësit e Kosovës kanë përcaktuar demokratizimin si përparësi të tyre. A është kjo prani ndërkombëtare ndihmë apo barrë në këtë proces?

Kosova pas pavarësisë paraqet një rast interesant për studiuesit e misioneve ndërkombëtare dhe për ata që merren me analizat mbi sovranitetin dhe humbjen e tij nga një shtet. E kam thënë dhe më herët, në vitin 2007, kur diskutohej plani Ahtisaari, se ishte gabim të vazhdohej të mbahej Kosova nën mbikëqyrjen e pranisë ndërkombëtare. Plani i Ahtisaarit me praninë e tij evropiane dhe EULEX në Kosovë ishte gjithashtu gabim. Gabimi qëndron në faktin se bëhet fjalë për një zgjidhje që është e pazbatueshme.

Nga ana tjetër, nuk bëhet fjalë vetëm për një gabim, por edhe për një pengesë në demokratizimin e Kosovës dhe legjitimitetin e krerëve të saj. Kjo, pasi plani i Ahtisaarit u merr legjitimitetin njerëzve që janë zgjedhur me vota të lira e demokratike. Pasojat e planit të Ahtisaarit po i shohim aktualisht.

Tashmë kemi një situatë shumë të vështirë, me ndarjen ‘de facto’ të Kosovës, me pamundësinë e zbatimit të decentralizimit, pamundësinë për të vendosur kontrollin dhe shtetin ligjor në veri të Kosovës, dhe me organizatat e misionet ndërkombëtare që nënshkruajnë pakte me Serbinë pa i përfshirë autoritetet e Kosovës. Kjo është shumë problematike për demokratizimin.

Përmendët paktet apo aranzhimet teknike që EULEX po nënshkruan me Serbinë, të cilat janë kundërshtuar nga institucionet e Kosovës. Vende si Britania apo Gjermania kanë kërkuar nga Prishtina që t’i pranojnë dokumentet në fjalë. Ky konflikt, ndonëse po mbahet në tone të buta, ku mund të çojë?

Ky konflikt çon në delegjitimimin dhe dobësimin e udhëheqësve të Kosovës. Është e qartë se publiku i gjerë nuk e mbështet protokollin EULEX-Serbi, por udhëheqësit kosovarë duhet t’i pranojnë marrëveshjet, e për më tepër janë të ekspozuar ndaj presionit të qeverive që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kjo i vë udhëheqësit e Kosovës në një pozicion të paqëndrueshëm. Nëse ata do të sillen në përputhje me ato që i kërkon bashkësia ndërkombëtare, do ta humbin fuqinë dhe legjitimitetin para popullit të tyre.

Nëse nuk veprojnë sipas kërkesave të ndërkombëtarëve, e humbasin legjitimitetin para bashkësisë ndërkombëtare. E gjithë kjo i vë drejtuesit e Kosovës në pozicion të palakmueshëm dhe nuk çon askund.

Gjendja aktuale dhe këto raporte, a janë edhe pasojë e sjelljeve të mëhershme? Nëse udhëheqësit e Kosovës do të ishin sjellë ndryshe, a do të kishte gjasa të mos ishim në kushtet e sotme?

Gjithmonë ekziston mundësia e zgjedhjes së një rruge tjetër. Më duhet të them se një mundësi e tillë është shumë e vështirë, pasi udhëheqësit e Kosovës e kanë nënshkruar zgjidhjen Ahtisaari, që është dhe origjina e gjithë problemeve. Për më tepër, drejtuesit e Kosovës e kanë bërë planin Ahtisaari pjesë të Kushtetutës, gjë që i obligon ata para bashkësisë ndërkombëtare. Është një problem politik.

Përfaqësuesi civil ndërkombëtar, EULEX dhe Bashkimi Evropian, me përpjekjet e tyre për të qetësuar Serbinë krijojnë destabilitet në rajon. Kjo do të shkaktojë probleme në Bosnjë dhe në Kosovë. Evropianët janë sjellë kështu në vitet e ’90 dhe vazhdojnë ta bëjnë të njëjtën gjë dhe sot.

Nuk e kuptoj se cilat janë arsyet e kësaj sjelljeje. Por duhet theksuar se Serbia nuk është kyçi i stabilitetit, së paku jo kjo Serbi e papërgjegjshme, jo kjo Serbi që vazhdon me të veten në marrëdhëniet ndërkombëtare.

A mund të themi se protokollet e sotme që diskutohen mes EULEX dhe Serbisë janë rezultat direkt i planit Ahtisaari?

Po, janë direkt rezultat i planit Ahtisaari, në kuptimin që pushteti i EULEX përcaktohet nga ky plan. Autoriteti që plani i Ahtisaarit u jep këtyre misioneve, Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar dhe EULEX, është problematik. Nga ana tjetër, edhe vetë EULEX e gjen veten në një pozitë të paqëndrueshme.

Ky është një mision që do të duhej të ndihmonte në vendosjen e shtetit ligjor në Kosovë, por ama nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Për mua janë të pakuptueshme marrëdhëniet mes EULEX dhe synimit të tij për rend e ligj nga njëra anë, si dhe ligjeve të miratuara në Republikën e Kosovës, që është një shtet i pavarur.

Fakti se EULEX nënshkruan marrëveshje me vendet e treta për juridiksionin në Kosovë, që është një vend tjetër, më krijon paqartësi.

Sjelljet e tilla të misioneve ndërkombëtare çojnë drejt destabilitetit. A mendoni se është koha që udhëheqësit e Kosovës dhe Brukseli të diskutojnë edhe një herë bazën e raporteve aktuale?

Kjo do të ishte vërtet e mirëpritur. Por duhet të theksojmë se bëhet fjalë për një problem tjetër politik. Siç e dini, nga leximi i planit të Ahtisaarit, Kosova mund të bëhet plotësisht e pavarur, vetëm nëse përmbushen të gjitha kushtet e planit të Ahtisaarit.

Por këto kushte, ashtu si standardet e UNMIK dikur, janë formuluar në mënyrë të tillë që nuk mund të përmbushen kurrë. Kjo do të thotë që do ketë gjithmonë nevojë për përfaqësuesin civil. Ky i fundit ka mandat deri në zbatimin e plotë të planit Ahtisaari.

Nga ana tjetër, pa bashkëpunimin e serbëve në Kosovë dhe pa bashkëpunimin e Serbisë për plotësimin e kushteve të vëna nga plani Ahtisaari, mes të cilave dhe decentralizimi, përfaqësuesi civil do të rrijë në Kosovë pafundësisht. Kjo nuk është mbikëqyrje e përkohshme, por ka për të qenë mbikëqyrje e përhershme.

A do të thotë kjo që e ardhmja e Kosovës nuk varet nga kosovarët, por nga pakica serbe dhe Serbia?

Natyrisht e ardhmja Kosovës është edhe në duart e kosovarëve. Vazhdoj të besoj se ata bënë gabim me pranimin e planit të Ahtisaarit. Mjafton të kujtojmë këtu detaje të tilla si, për shembull, ndryshimi i Kushtetutës. Kushtetuta nuk mund të ndryshojë pa miratimin e pakicës serbe dhe pakicave të tjera, gjë që shkakton shumë probleme.

Është e rëndësishme që udhëheqësit e Kosovës të ndërmarrin nisma të fuqishme diplomatike në këtë drejtim, pasi besoj se situata është e paqëndrueshme. Besoj se gjendja është potencialisht shpërthyese, ndaj duhet vepruar që situata të diskutohet më thellësisht dhe me sy më të hapur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›