E Diel, 1 Nëntor 2026

ODIHR ndryshon: Raporti pas numërimeve të para

Për herë të parë në historinë e zgje-dhjeve pluraliste, raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë do të publikohet pas numërimit të votave.Ditën e martë, vëzhguesit ndërkombëtarë të caktuar nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), si dhe Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës do të lexojnë deklaratën paraprake për zgjedhjet e 8 majit. Kjo do të thotë që, në raportin e përkohshëm do të publikohet jo vetëm ecuria kronologjike e zgjedhjeve dhe standardet e tyre, por edhe rezultati, i cili do të konfirmohet direkt nga 298 vëzhguesit ndërkombëtarë në terren. Më parë, deklarata paraprake lexohej në më pak se 24 orë nga mbyllja zyrtare e votimeve, pra të hënën, duke mos pasur kohë për përfshirjen në raport të numërimit të votave. Gjithashtu, mungonte edhe numri i madh i vëzhguesve në terren, duke e bërë të pamundur raportimin direkt.
Vëzhguesit në terren
Dy ditë pas zgjedhjeve, saktësisht në orën 12:00, të datës 10 maj, OSBE/ODHIR do të publikojë raportin paraprak mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 8 majit. Deklarata paraprake do të përgatitet nga konkluzionet e 298 vëzhguesve afatgjatë dhe afatshkurtër, të cilët, ditën e 8 majit do të shpërndahen nëpër qendrat e votimit për të verifikuar nga afër se si do të shkojë ky proces. Ata do të jenë të pranishëm edhe gjatë procesit të numërimit nëpër qendrat e numërimit, çka do të bëjë që të martën ata të përfshijnë në raport edhe rezultatin. Misioni Vëzhgues Zgjedhor i OSBE/ODIHR-it përbëhet nga 298 vëzhgues, nga 30 vende, duke përfshirë 40 afatgjatë dhe 258 afatshkurtër. Delegacioni i Kongresit përbëhet nga 14 përfaqësues të zgjedhur vendorë nga 11 vende, përfshirë edhe Komitetin e Bashkimit Europian të Rajoneve. “Deklarata paraprake do të jepet nga Jonathan Stonestreet, kreu i Misionit Vëzhgues Zgjedhor të OSBE/ODIHR-it dhe nga Hana Richtermocová, kreu i Delegacionit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale”, informon zyra e shtypit pranë Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Gjithashtu, mësohet se të pranishëm në këtë konferencë për shtyp do të jenë edhe Volkram Gebel, raportuesi i Delegacionit të Kongresit dhe Raul Murewan, zv.kreu i Misionit Vëzhgues Zgjedhor i OSBE/ODIHR-it.
PE në Tiranë
Rëndësia e zgjedhjeve të 8 majit ka sjellë në Tiranë zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë për monitorim, veçanërisht nga Parlamenti Europian, të cilët kanë nisur një “serial” takimesh. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, priti dje deputetët e PE-së, raportuesin për Shqipërinë Eduard Kukan dhe Georgios Koumutsakos, Jutta Steinruck e Michail Tremopoulos. Me këtë rast, Nishani shprehu shqetësimin për deklaratat e opozitës për përdorimin e listave të zgjedhësve të hartuara nga PS-ja, si dhe organizimin dhe përdorimin e grupeve të ashtuquajtura të sigurisë, paralel me strukturat ligjore të Policisë së Shtetit. Ai garantoi se listat zgjedhore burojnë nga Regjistri Kombëtar Elektronik i Shtetasve dhe janë gjithashtu produkt i bashkëpunimit të plotë mes Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe njësive të qeverisjes vendore.

Raportuesi për Shqipërinë, Kukan: Jo spekulimeve, të presim rezultatet

Parlamenti Europian vendosi të sjellë një mision “ad-hok” vëzhgimi për zgjedhjet lokale në Tiranë, që kryesohet nga Eduard Kukan, raportuesi për Shqipërinë, i cili po zhvillon takime me krerë politikë dhe institucionalë. Duke folur për “Top Channel”, Kukan theksoi se ky mision në Tiranë duhet të shikohet si një shenjë interesimi nga Parlamenti Europian për Shqipërinë. “Qëllimet e takimeve të misionit do t’i shërbejnë marrjes, sa më shumë që të jetë e mundur, informacion nga shumë lojtarë në këtë shoqëri, siç janë ato qeveritare, opozita, media dhe organizata joqeveritare. Qëllimi i këtyre takimeve është mbledhja e sa më shumë informacioneve që do të raportohet në Parlamentin Europian”, u shpreh Kukan, i cili duket optimist për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Megjithatë, ai nuk ka dashur që të japë opinione personale, por gjithkush duhet të presë të dielën për përgjigjen e duhur. “Të gjithë ne shpresojmë që zgjedhjet do të jenë të lira dhe të drejta. Deri tani që flasim kemi zhvilluar tre takime dhe shpresojmë që zgjedhjet të jenë organizuar ashtu siç duhet. Të dielën do të marrim përgjigjen e duhur për atë që ne presim”, shtoi ai. Kukan ka bërë thirrje që të mos spekulohet me parashikime zgjedhore apo me ide, “nëse këto zgjedhje nuk do t’i arrijnë standardet e kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar, BE do të vendosë sanksione të mundshme për Shqipërinë”. “Unë nuk do të doja të spekuloj se çfarë do të ndodhë. Le të presim rezultatin”, theksoi raportuesi i PE-së për Shqipërinë. Paralelisht me Kukan, rëndësia e këtyre zgjedhjeve ka sjellë në Tiranë edhe drejtorin e Përgjithshëm të ODIHR-it, Janes Lenarcic dhe kryevëzhguesin e këtij misioni, amerikanin Jonathan Stonestreet.

Vezhguesit

2720 vëzhgues nga shoqatat vendase do të monitorijnë zgjedhjet e 8 majit

4 eurodeputetë, nën drejtimin e Eduard Kukan, do të jenë nga Parlamenti Europian

453 vëzhgues do të jenë nga misioni i ODIHR

53 vëzhgues kanë mbërritur nga misioni i OSBE-së

8 vëzhgues janë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës

7 vëzhgues, nën drejtimin e Etore Sequit, janë nga Komisioni Europian

1 vëzhguese (ambasadorja e akredituar në Shqipëri) është nga Franca

Zgjedhjet, Haxhinasto takon sot drejtorin e OSBE/ODHIR

Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, do të zhvillojë sot një takim me drejtorin e OSBE/ODHIR-it, Janez Lenarcic. Në qendër të takimit pritet të jetë zhvillimi i zgjedhjeve dhe plotësimi i standardeve. Ndërkohë që mbërritja e drejtorit të OSBE/ODIHR-it gjatë ditës së zgjedhjeve në Shqipëri, tregon edhe rëndësinë që i kanë dhënë ndërkombëtarët këtij procesi, duke kërkuar arritjen e standardeve maksimale në vend.

3.1 milione zgjedhës
Në të 12-të qarqet e vendit do të kenë të drejtë të votojnë gjatë ditës së sotme mbi 3.1 milionë qytetarë. Në qytetin e Tiranës qytetarët do të votojnë në katër kuti votimi, ndërsa në rrethet e tjera në dy kuti, për kryetar dhe për këshillin.

7.4 milionë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim rreth dy javë më parë për të prodhuar 7.4 milionë fletë votimi për të gjithë vendin. Sipas Kodit, KQZ prodhon 2 për qind fletë votimi më shumë se numri total i fletëve.

872 kandidatë
Në KQZ, 40 ditë përpara datës së zgjedhjeve, janë regjistruar 872 kandidatë për kryetarë të bashkive dhe komunave. Qarku me më shumë kandidatë është Elbasani, me 112, ndërsa qarku me më pak kandidatë është Durrësi, me vetëm 36.

384 njësi vendore
Sipas ndarjes administrative të Shqipërisë, më 8 maj do të votohet në 384 njësi vendore, nga të cilat 308 janë komuna, 65 janë bashki dhe 11 janë minibashki në Tiranë. Qarku me më shumë njësi vendore është Elbasani, ndërsa qarku më i vogël Durrësi.

4882 qendra votimi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur në të gjithë vendin 4882 qendra votimi. Sipas Kodit Zgjedhor, një qendër votimi nuk mund të ketë më pak se 150 zgjedhës dhe më shumë se një mijë zgjedhës. Disa qendra kanë më shumë se një mijë zgjedhës.

6125 vende
Në garën për këshillat bashkiakë dhe komunalë në votimet që do të mbahen sot, do të konkurrohet për 6125 vende anëtarësh. Bashkia me numrin më të madh të anëtarëve të Këshillit Bashkiak është Tirana, me 55. Minimumi i numrit janë disa komuna, me 13 anëtarë.

56 parti politike
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve, 56 parti politike, të cilat kanë shprehur vullnetin e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 8 majit.

2 koalicione
Pas regjistrimit të partive, KQZ-ja ka pranuar regjistrimin e dy koalicioneve parazgjedhore. Ato janë: “Aleanca për qytetarin”, e kryesuar nga Partia Demokratike dhe “Aleanca për të ardhmen”, e kryesuar nga Partia Socialiste.

22 parti
Në koalicionin “Aleanca për qytetarin” janë grupuar 22 parti, nga 56 që janë regjistruar gjithsej. Në Tiranë ky koalicion do të jetë me 20 parti, pasi dy prej forcave politike nuk dërguan kandidatë për Këshillin e Bashkisë.

23 parti
Koalicioni i majtë, “Aleanca për të ardhmen”, ka në përbërjen e tij 23 parti të regjistruara. Në Tiranë ky koalicion do të jetë me 14 parti, pasi 9 prej forcave politike nuk dërguan kandidatë për Këshillin e Bashkisë.

3 kandidatë
Në zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Tiranës konkurrojnë 3 kandidatë, njësoj si në zgjedhjet e vitit 2007. Ata janë: Edi Rama, i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”; Lulzim Basha, i “Aleancës për qytetarin”; Hysni Milloshi, i Partisë Komuniste.

2 parti
Në fletën e votimit për Këshillin Bashkiak të Tiranës, përveç dy koalicioneve të mëdha, janë regjistruar dhe do të marrin pjesë edhe dy parti, që nuk janë pjesë e marrëveshjeve parazgjedhore: LZHK dhe Partia Komuniste.

ELISABETA ILNICA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›