E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vota e paqes dhe e nesërmja e politikës

DHIMITER GJOKA

Nëse do të ktheheshim pak pas në kohë dhe jo shumë larg, por në ditën e zgjedhjeve të kaluara të 28 qershorit të vitit 2009, do të vinim re një dukuri për tu marrë shembull nga të gjithë, jo për të thënë se çfarë kontestimi patën ato si zgjedhje, por për të theksuar si një fenomen real pjesëmarrjen masive dhe pa probleme në votime të votuesve në mbarë vendin,  nga Veriu në Jug të tij. Të gjithë kemi dëshiruar dhe dëshirojmë që dita e zgjedhjeve të jetë një ditë me plot domethënie si përsa i përket organizimit, ashtu sikundër edhe sa i përket asaj që secili në kutinë e votimit, me urti dhe pa ngarkesa politike të shfaqura, të demonstrojë qartë dhe bindshëm kulturën popullore të mbartur bukur deri më tani. Vota në kutinë e saj është mendësia e gjithsecilit nga ne, është krenaria, është bindja, është gjykimi parë nga këndvështrimi ynë me dëshirën se kjo forcë politike më pëlqen dhe ky kandidat do të jetë ai që nesër, me këtë votë, do të përpiqet për të qenë ne, si familje, si bashkësi, si lagje, si qytet, në kryevend për të mirën e përbashkët që koha dhe zhvillimi i kërkon. Ndaj, me këtë dëshirë, votuesit shkojnë dhe në mënyrë të paqme e hedhin votën të sigurt se kështu do të ndodhë, dhe jo ndryshe. Të pakta kanë qenë incidentet, në mos të pazëshme kur qetësia e votuesve ka mbizotëruar. Dhe me qetësi kuptojmë këtu mençurinë popullore se shkuarja në votim dhe votimi për kandidatin që pëlqen është shenja e gjurmës që lë pikërisht në atë kuti, se aty është e nesërmja, aty është më e mira e fatit që i jepet  gjithë komunitetit. Rruga nga banesa për te kutia e votimit është e shkurtër, por e menduar gjatë nga votuesi. Ai ka parë çështë bërë derisa ka mbërritur aty, se sa dhe si i është shërbyer nga zgjedhësi i mëparshëm. Do të mbetet ai, apo vota do ti jepet  kandidatit tjetër, që me programin e tij bindshëm mund të jetë më i mirë. Votuesi është i lirë në atë hapësirë të lirë dhe askush nuk ka të drejtë ti përballet qoftë edhe me imponim për tia hequr atë liri mendimi. Vendosja e dorës së tij mbi atë fletë votimi është një firmë dhe vulë e patjetërsueshme. E pikërisht kjo ka qenë motoja nëpër çdo kohë votimi të bërë. Dhe askush nuk e vë në dyshim këtë mendim dhe veprim të mençur popullor.
Por, çfarë ndodh më tej? Çfarë ndodh kur ajo kuti mbyllet dhe politika merr në dorë fatet e numërimit të saj? Votimi i 28 qershorit 2009 tregoi qartë se zullumet e politikës, strukur qosheve dhe skutave, merrnin e jepnin me komisionerë bastardë nëpërmjet celularëve për të vonuar numërimin, për të përfituar kohë dhe për të menduar plane se si mund të zgjidhej një dalje e fituar partie, edhe pse një skenar i menduar për keq apo për mirë do të mund të kishte riskun e vet. Dhe të gjithë ndoqëm, nëpërmjet ekraneve, largimet për orë të tëra e ditë madje, një nga një, të komisionerëve, me justifikimin absurd se gjoja u lodhën, se gjoja ishin pa gjumë e të tjera sofizma që pakkush mund ti mendojë si të mirëqena. Një tejzgjatje  rraskapitëse për këdo që priste rezultatin. Sallat e numërimit të fletëve u kthyen në skena aktrimi me komisionerë të pandërgjegjshëm për barrën që kishin marrë përsipër. Të gjithë jemi dëshmitarë të asaj katrahure mishmashi. Të asaj lufte partish që psikologjikisht shkatërrojnë këdo qytetar që voton për paqe dhe punë, për të ardhura më të mira, rehati e stabilitet. Mos ndodhtë edhe kësaj here kështu!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›