E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sallatë marule, apo ramule?

EDMOND TUPJA

Siç e di fort mirë lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i kësaj rubrike, ekzistojnë lloj-lloj sallatash edhe si bimë, edhe si gatesa, por midis këtyre dy kategorive ekziston, pa dyshim, një lidhje e natyrshme, pra, brenda logjikës së gjërave. Kështu, për shembull, sallata jeshile është bimë, por kur porosisim në restorant një sallatë jeshile, kamerieri na e sjell atë të larë e të grirë, me kripë, vaj, uthull, qepë të njoma etj. (Por askush nuk është i detyruar të porosisë vetëm sallatë jeshile: klienti mund të porosisë edhe sallatë ruse, greke, gjermane, pambukje, të përzier, me domate, me tranguj, me ullinj, me  lakër etj., etj.).
Por le ti lëmë përkohësisht mënjanë këto konsiderata gastronomike e të kthehemi te realiteti shqiptar i këtyre ditëve, më saktë te zgjedhjet e ditës së sotme, pas një fushate gjatë së cilës çdo parti, në kuadrin e aleancave të saj, por edhe në mënyrë të pavarur, i paraqiti elektoratit shqiptar sallatën e saj zgjedhore. Këtë sallatë, duam nuk duam, jemi të detyruar, në mos ta hamë, të paktën ta provojmë të gjithë. Ndërtimi i kësaj sallate të figurshme i ngjan ndërtimit të sallatës së mirëfilltë, pra, të asaj që porosisim në restorant: dikush e ndërton pak a shumë ndershmërisht, dikush tjetër pak a shumë demagogjikisht. Në politikë, çështja është që politikanët të kenë respekt për kuzhinierët mirëfilli profesionistë, d.m.th. të tregohen, patjetër brenda mundësive, të ndershëm e të aftë.
Për mendimin tim modest, sallata që na paraqiti Aleanca për qytetarin është më e besueshme, pra, më e ngrënshme se ajo që na paraqiti Aleanca për të ardhmen. Meqenëse kam lindur dhe banoj në Tiranë, mund të pohoj me plot gojën se zoti Basha (ndoshta së shpejti kryebashkiak) mu duk shumë më i besueshëm se zoti Rama (ende kryebashkiak). Ma përforcoi këtë bindje, ndër të tjera, edhe ndryshimi në mënyrën sesi secili nga këta dy rivalë e parashtroi dhe e argumentoi vizionin e tij për Tiranën dhe tiranasit. Përshtypja ime është se zoti Basha iu drejtua gjithë tiranasve, pa dallim partiak, ndërsa zoti Rama, në mos hapur, të paktën midis rreshtave, iu drejtua më shumë popullit të tij të dashur opozitar, të majtë. Te ligjëratat e zotit Basha spikatnin natyrshëm mirësia dhe dashuria për njeriun e përditshëm, kurse ato të zotit Rama ishin ngritur vetëdijshëm mbi themele agresiviteti, urrejtjeje e dasie. Nga ana tjetër, një shije shumë të keqe më la incidenti i shpërthimit të një shashke në koshin e plehrave fare pranë çadrës elektorale të zotit Rama, te lulishtja e vëllezërve Frashëri: automatikisht mu kujtua atentati me bombë kundër Ambasadës Sovjetike në Tiranë këtu e 60 vjet të shkuara. Por nuk dua ta lodh më gjatë lexuesin tim me ndryshimet midis dy sallatave zgjedhore që na ofrohen sot. Sigurisht, në politikë nuk ka kurrë sallata të përkryera: në meny, çdo gjellë, çdo sallatë të duket e mirë, e shijshme kur lexon përbërësit e saj konkretë, pastaj varet sesi e përgatit atë kuzhinieri, por, ama, një gjë dihet: kur kuzhinieri i vjetër jep shenja lajthitjeje duke menduar shumë për vete, pak për ndihmësit e tij dhe fare pak ose aspak për klientët, atëherë është më i besueshëm një kuzhinier i ri që mendon, para së gjithash, për klientët.
Por le të kthehemi te fjala sallatë. Nëse do të kërkonte në Fjalorin e gjuhës shqipe (Tiranë, 2006) shprehjet e figurshme që kanë për vatër pikërisht fjalën sallatë, lexuesi im i duruar do të gjente grij sallatë dhe ia bëj mendjen (trurin, kokën) sallatë. Dy shprehje fantastike që ilustrojnë, gjithmonë sipas meje, atë çka zoti Rama ka bërë gjatë fushatës së tij zgjedhore. Po, ai griu e griu sallatë për tua bërë mendjen sallatë shqiptarëve në përgjithësi dhe tiranasve në veçanti, por ndryshe nga çndodh me sallatën marule (një lloj sallate jeshile shumë e kërkuar për vlerat e saj), që merr një shije të papërsëritshme kur përzihet me pak uthull balsamike, sallata tij, pra, sallata ramule, pavarësisht erëzave, vajrave e uthullave që ai i hedh pareshtur me retorikën e tij bajate, bie erë jo uthull balsamike, por balsamosje. Balsamosje si tek mumjet e faraonëve të Egjiptit, shumë nga të cilët quheshin Ramses.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›