ODIHR sqaron pozicionin për numërimin elektronik: Po mundët, bëjeni! Volfarth kundërshton: Ska kohë
ODIHR sqaron publikisht pozicionin e tij ndaj numërimit elektronik të votave në Shqipëri. Duke qenë se kjo reformë që ka të bëjë me përdorimin e teknologjisë ka qenë rekomandim i ODIHR, rezervat e shprehura prej tyre kanë të bëjnë me kohën dhe aftësinë implementuese të administratës zgjedhore. Por nëse kjo është përgjegjësi e palës shqiptare, ODIHR nuk ka asgjë kundër.
Thomas Rymer, zëdhënësi OSBE-ODIHR-it në Varshavë, në një intervistë telefonike për Top Channel, nuk i kundërshton propozimet për numërimin elektronik.
Ndërkohë që ekspertët e ODIHR në Tiranë i kanë rekomanduar Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore se përdorimi teknologjisë në zgjedhjet e 2013-tës duhet nisë si një projekt pilot. Sipas Thomas Rymer, ky proces duhet të ndodhë gradualisht.
Në raportin e fundit që kemi publikuar për zgjedhjet në Shqipëri, në lidhje me praktikat e mira për zgjedhje demokratike, ne kemi rekomanduar se sjellja e teknologjive të reja, siç është edhe numërimi elektronik duhet të prezantohet me cilësi dhe gradualisht. Kjo do të thotë jo përnjëherë. Varet se si do të bëhet prezantimi. Ajo që ne kemi thënë është se duhet të realizohet me cilësi, duke u siguruar se është funksionale sipas standardeve demokratike të zgjedhjeve. Nëse do të realizohet cilësisht, pse jo, tha Rymer.
Zoti Rymer ka dhënë këtë përgjigje kur e pyetëm se përse ekspertët e ODIHR në Tiranë janë shprehur kundra numërimit elektronik. Kemi të bëjmë me një qëndrim personal të ekspertëve të ardhur në Tiranë apo qëndrim zyrtar?
“Këtu nuk kemi të bëjmë me pyetjen duhet apo nuk duhet të përdoret. Në takimin e ekspertëve tanë javën e shkuar, sikurse në tryezën e marsit për përdorimin e teknologjisë, kjo është ajo që kemi thënë, pra është një qëndrim i pandryshuar”, thotë Rymer.
Zëdhënësi i OSBE-ODIHR ka hedhur poshtë akuzat e djeshme të Skënder Gjinushit dhe Paskal Milos se zyra e OSBE-ODIHR në Tiranë është vënë në shërbim të kryeministrit Sali Berisha.
“Çfarë është bërë në Shqipëri deri më tani dhe çfarë do të bëjmë në të ardhmen, gjatë të gjithë takimeve që kemi pasur është në përputhje me mandatin e OSBE-ODIHR”, thekson Rymer.
Dyshimet në Tiranë janë shtuar për faktin se Berisha u pa i gëzuar ditën e hënë në mbledhjen e grupit parlamentar pas zërave se ODIHR është kundër numërimit elektronik. Ai bile shprehu dhe opinionin e tij se kishte qenë kundër që në fillim, por e kishte lënë opozitën të propozonte çfarë të donte dhe pastaj do bënte çfarë thoshte ODIHR.
Por, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, duke folur në një intervistë për AS, ka thënë se numërimi elektronik i votave për zgjedhjet e vitit 2013 nuk mund të realizohet, për shkak të efektit kohë.
Kur fut në përdorim një sistem të ri që kërkon marrjen e hapave kompleksë, këtyre hapave u duhet dhënë koha e nevojshme, duke krijuar kështu gradualisht edhe kapacitetet për instalimin e një sistemi të tillë kompleks. Dhe koha për këtë, duke iu kthyer sërish akrepave të orës, po ecën, gjërat po ndryshojnë dhe duhen ndërmarrë shumë hapa finalizues për vënien në zbatim të këtij sistemi edhe këtu në Shqipëri, tha Volfarth.