E Shtunë, 31 Tetor 2026

OJF apo Organizata Fitimprurëse?

Pse një sipërmarrës apo individ hap një Organizatë Jofitimprurëse (OJF) në vend që të hapë një organizatë fitimprurëse (OF)? Burimet e financimit të një OJF-je, sipas ligjit shqiptar në fuqi, janë të ardhurat nga kuotizacioni kur ka të tilla, fonde, grante dhe donacionet e ofruara nga subjektet private dhe publike, si dhe të ardhurat nga veprimtaria ekonomike dhe pasuritë në pronësi të OJF-së. Por, fonde dhe subvencione mund të marrë dhe një shoqëri fitimprurëse apo biznesmen. Në fakt, ndryshimi midis OJF-së dhe OF-së gjendet vetëm te fakti se si përdoren dhe administrohen të ardhurat. Kjo formë administrimi financiar për rastin e një OJF-je lejon përdorimin e të ardhurave vetëm për përmbushjen e qëllimit dhe objektit të veprimtarisë për të cilën ajo është themeluar, si dhe për mirëmbajtje të pasurisë së OJF-së. Anëtarët e saj, si të thjeshtë, dhe ata të bordit, nuk mund të përfitojnë asnjë formë shpërndarje të ardhurash, përveç pagave që marrin sipas funksionit dhe shërbimeve për të cilat ata janë të punësuar në OJF, të sanksionuara në kontratën e punësimit.

Cikli i jetës së një OJF-je

OJF-ja, pasi regjistrohet në gjykatë, fiton një zotësi për të kryer veprimtari si person juridik, që do të thotë se është përgjegjëse ndaj të tretëve për detyrimet dhe dëmet e shkaktuara gjatë veprimtarisë së saj. Akoma më qartë ato kanë hapësirë veprimi që kufizohet lidhur me veprimtarinë e tyre, në konturet çfarë lejon statuti i tyre. Qëllimi i OJF-së është në thelb i përcaktuar në sektorët ideologjiko-filozofiko-humanitarë, ndërsa fusha e veprimtarisë shpreh paramendimin e organizatës për veprimtarinë që do të ndërmarrë për të realizuar qëllimin kryesor të saj. Çdo veprim i organizatës që kalon fushat e përcaktuara në statut konsiderohet i paligjshëm dhe si i tillë nuk ka më të bëjë me OJF. Por, a është e mundur që një person juridik apo thjesht individ që ushtron aktivitet ekonomik ta përdorë fitimin e realizuar në funksion të një veprimtarie shoqërore-humanitare?

Praktika e përditshme njeh mjaft raste donacionesh, dhurimesh dhe faljesh të pasurive, parave apo të mirave materiale në ndihmë të veprimtarive të OJF-ve. Kjo mënyrë ndërtimi marrëdhëniesh midis botës së "biznesit" dhe botës së "organizatave bamirëse" është një formë e rishpërndarjes së pasurisë nga ai që zotëron pasurinë drejt atyre që kanë nevojë për të shfrytëzuar për nevoja të komuniteteve me mungesa të caktuara. Por, ajo që ndërhyn në këtë cikël komunikimi dhe transferimi pasurie është administrata tatimore, e cila ka funksionin publik të një rrjete filtruese për të mos lejuar veprime që bien ndesh me parimet kushtetuese. Ambienti ligjor shqiptar u njeh OJF-ve të drejtën për të kryer veprimtari ekonomike, por veprimtaria ekonomike duhet të jetë në plan të dytë në raport me gjithë veprimtarinë e OJF-së, në kuptimin e një aktiviteti në ndihmë të qëllimit kryesor të saj; fitimet apo pasuritë e tyre duhet të përdoren vetëm për realizimin e qëllimeve që shkruhen në statutin e organizatës; ato nuk mund të përdoren për ndonjë qëllim tjetër nga ai që shkruhet në statut. Çdo mënyrë tjetër e përdorimit të pasurisë së OJF është në kundërshtim me legjislacionin fiskal dhe si e tillë përbën kundravajtje.

Çfarë konsiderohet Veprimtari Ekonomike?

Veprimtari Ekonomike do të quhej çdo veprimtari aktive tregtare ose biznesi, e cila kryhet në vazhdimësi dhe në mënyrë të rregullt. Megjithëse mund të ketë OJF që mund të kryejnë dhe veprimtari ekonomike pasive (qiradhënie, të ardhura nga depozitat etj.), ato do të trajtohen njësoj si individët që, edhe pse nuk janë të regjistruar në tatime, kryejnë veprimtari ekonomike pasive të këtij lloji. Në rastin e hapjes së aktiviteteve ekonomike duhet të jetë deklaruar në statutin e organizatës. Veprimtaria ekonomike nuk duhet të jetë gjithë aktiviteti apo pjesa më e madhe e aktivitetit që kryen një OJF. Në rastin e fitimit të dalë nga veprimtaria ekonomike e OJF-së duhet parë dhe kontrolluar nëpërmjet dokumentacionit që disponon OJF-ja se a shkon ky fitim për realizimin e qëllimit dhe objektit për çfarë është krijuar kjo organizatë? Në rast se një nga kriteret e mësipërme rezulton ndryshe në praktikë, atëherë është prishur integriteti që e përjashton aktivitetin ekonomik nga qenia e një subjekti si gjithë të tjerët.

Kështu, për shembull, nëse një OJF është krijuar dhe ka objekt të veprimtarisë së saj në fushën e shërbimeve të edukimit, atëherë ky aktivitet, që ka hapur kjo OJF, duhet të jetë një aktivitet jokryesor për OJF dhe pas bilancit mbi të ardhurat dhe shpenzimet ngelet të kontrollohet se a kanë shkuar në favor të qëllimit kryesor apo kanë rritur pasurinë e aseteve të OJF-së apo stafit të saj? Nëse asnjëra nuk është bërë, a mund ta quajmë më aktivitetin shkollor një aktivitet të mbrojtur nga statuti i OJF? ...Madje, ligji i jep të drejtën një OJF-je dhe pjesëmarrjen në një tender, duke i dhënë shanse njësoj si një shoqërie tregtare. OJF-së i lejohet të shpërblejë anëtarët e organeve drejtuese, por ajo duhet të ketë aftësi paguese për këtë; kur ata angazhohen fizikisht në mbledhje e impenjime të shpeshta dhe me kohëzgjatje, domethënë që këta persona harxhojnë nga koha e tyre në shërbim të shoqatës. Gjithsesi, këto momente kanë të bëjnë më shumë dhe me moralin e kredibilitetin që duhet të prezantojnë OJF-të në shoqërinë tonë.

Marrëdhëniet me administratën tatimore

OJF-ja konsiderohet si funksionale për administratën tatimore për sa kohë ajo është e mbështetur në harmoninë e tre elementëve bazë juridiko-financiarë. Mungesa e njërit element prish gjithë strukturën juridike që mban në këmbë OJF-në. Këta tre elementë janë: ekzistenca e elementit "person juridik"; ekzistenca e mjeteve pasurore për ushtrimin e veprimtarisë; ekzistenca e OJF-së si objekt i tatimeve. OJF-të, që kryejnë shërbime dhe veprimtari humanitare, bamirëse, edukative, kërkimore-shkencore ose kulturore, pavarësisht nga fakti se veprimtaria e tyre ekonomike mund të mos jetë e karakterizuar si fitimprurëse, sipas legjislacionit tatimor, gjithsesi ato i nënshtrohen detyrimit për t‘u regjistruar si entitete tatimpaguese për t‘u pajisur me certifikatë tatimore. Pasi OJF-të dhe gjithë organizimet, që krahas veprimtarisë me karakter fetar, humanitar, bamirës, shkencor ose edukativ, kryejnë edhe veprimtari të tjera, ekonomike, janë të detyruar t‘i regjistrojnë veçmas këto aktivitete në organet tatimore, njëlloj si çdo tatimpagues tjetër që ushtron veprimtari ekonomike, në përputhje me kërkesat e legjislacionit fiskal në fuqi.

Ligji është i qartë. Kush del jashtë kornizës së tij, ka prishur konkurrencën ekonomike në vend, duke shtrembëruar përbërësit e tjerë. Pra, është prekur rregulli universal i të qenit të barabartë para ligjit. Pra, atëherë pse OJF dhe jo OF? Varet nga transparenca dhe përgjegjshmëria e organizatës për të qëndruar përballë obligimeve ligjore, nga administrimi tatimor dhe nga eficenca e kontrollit fiskal. Në fund të fundit, të gjithë nuk mund të shmangemi nga ligji, por të synojmë të pajisemi me një Certifikatë Pastërtie Fiskale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›