E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestojnë djemtë: Vetëm ne lajmë dhe gatuajmë

Diskutime deri edhe debate me tone të larta kanë përfshirë shtëpinë e "Big Brother". Ethet e nominimit dhe mundësia për t‘u eliminuar i ka shtyrë disa nga banorët, e veçanërisht Qetsorin, që të mendojnë për strategji loje. Kur ditët kalojnë, djemtë janë shprehur të pakënaqur nga vajzat. Sipas tyre, gjithë punët e shtëpisë po i bëjnë ata: gatimin, të larin, enët...

"Aleancë kundër të dobtëve!"

"Nëse loja bëhet vetëm, digjesh!", ka thënë Qetsori. Sipas tij, nëse do të sulmosh një person, duhet ta sulmosh në grup, nga të gjitha anët, kështu, ai që ishte "më i lehtë" në peshë, do të dilte jashtë loje. Frika e të dalit në nominim e deri edhe jashtë shtëpie ka bashkuar Zhuljetën, Qetsorin dhe Aidën. Sipas tyre, ajo që po bëhej më e dallueshme dita-ditës ishte se konkurrentët më të fortë, ata që debatojnë më shumë, duke dhuruar kështu edhe emocione për publikun, po dalin në nominim. Ndërsa ata që rrinin apo flinin gjithë ditën, s‘po i gjente gjë. Sipas Qetsorit, duhet gjetur një zgjidhje, që ata, më të fortit, të mos dalin në nominim, por të nominohen pikërisht më të dobëtit. Sipas tij, rreziku ishte që duke u përplasur dy "të fortë", do të digjnin njëri-tjetrin, e çmimin do ta merrte ndonjë që "palosej andej-këtej" nëpër divane. "Duhet të japim një shkëndijë të fuqishme, ndryshe do të digjemi njëri pas tjetrit!", ka thënë ai. Edhe sipas Zhuljetës dhe Aidës, ishte e patolerueshme që më të mirët po dilnin në nominim. Lidhur me këtë, Aida tha: "Vetë u keni dhënë krahë! Shkurtojuani krahët që u keni dhënë".

"Duhet të rrish larg meje!"

"Do të vish të kërcejmë?", i ka thënë Adelajda Bjordit. Ai nuk ka pranuar dhe i ka thënë që më mirë të rrinin të dy ulur. Ajo ka ngulur këmbë, duke i thënë se ishte më mirë të argëtohej, sesa të rrinte shtrirë në divan. Bjordi ia ka kthyer duke i thënë se ajo mund të mos e dinte kush ishte më e mira për të, por duke theksuar se me këtë që i thoshte, nuk donte aspak ta ofendonte. Adela ka këmbëngulur dhe më në fund të dy u janë dorëzuar tingujve të muzikës që Vëllai i Madh kishte vënë për ta.

Adela i ka thënë Bjordit se duhej të përpiqej të bënte gjërat që e bënin të ndihej më mirë, kështu nuk do të mërzitej. "Duhet të fillosh të rrish larg meje, i ka thënë ajo Bjordit, teksa kërcenin, në mënyrë që të kesh mundësi të rrish me persona të tjerë". "Po pse nuk mund të rri më afër me ty?", e ka pyetur ai. Adelajda i është përgjigjur se nuk e dëshiron këtë, të paktën jo në mënyrën që do ai të rrinë afër.

Aida dhe Qetsori debatojnë!

Aida dhe Qetsori "janë përplasur në një debat që ka përfshirë më pas të gjithë banorët e shtëpisë, në lidhje me vendin ku ishin vendosur fotografitë e banorëve të larguar. Për Aidën, vendi dhe mënyra e vendosjes së tyre tregonte mungesë respekti karshi banorëve në foto, prandaj ajo donte që të hiqeshin, ose të paktën të vendoseshin diku tjetër. Qetsori e ka kundërshtuar hapur, duke thënë se atij i pëlqenin aty ku ishin dhe nuk donte t‘i hiqnin. Sipas tij, këtë duhet ta vendoste kujdestari i shtëpisë, domethënë Dritani. Por duke qenë se Dritani kërkoi të mos përfshihej në këtë çështje, Aida dhe Qetsori kërkuan ta hidhnin në votë. Me shumicë votash, edhe pse Arjoni dhe Republika abstenuan, "fitoi" Aida. Ajo vazhdoi të ishte e revoltuar me këtë veprim, ndërkohë që Qetsori qeshte. "Ti je dallaveraxhi!", i tha atij Republika. Aida i kërkoi Qetsorit që t‘i hiqte, por ai i tha se nuk do ta bënte, po të donte t‘i hiqte, le t‘i hiqte vetë. Dhe ajo kështu bëri. Lidhur me debatin në fjalë, kryesisht Adelajda, por edhe Bjordi, ishin kundër zhvillimit të tij. Sipas saj, ky lloj diskutimi nuk kishte kurrfarë vlere e kurrfarë kuptimi". Ndërsa Mesida, kur ishin jashtë, i ka thënë Aidës se ishte shumë dakord me atë që bëri ajo.

Pavlini është egërsuar!

Të ulura jashtë në oborr, Aida, Zhuljeta, Lirita dhe Mesida kanë diskutuar në lidhje me Pavlinin, i cili këtë javë është në nominim së bashku me Aidën dhe Arjonin. Sipas Zhuljetës, ai është shumë i stresuar, është shumë ndryshe nga ç‘e kishin njohur deri tani dhe nuk po bën më asnjë shaka. Ndërsa sipas Aidës ai është jo thjesht i stresuar, por i inatosur dhe i egërsuar.

"Do të të votoja të rrije!"

Qetsori, Pavlini dhe Zhuljeta kanë diskutuar në lidhje me debatin e Aidës me Qetsorin, për fotografitë e banorëve të larguar, në lidhje me të nominuarit dhe strategjitë e secilit për të njohur banorët e tjerë. Sipas Zhuljetës dhe Qetsorit, njerëzit duhen testuar në situata ekstreme, ku tensioni është i lartë, për t‘i kuptuar me të vërtetë. Zhuljeta u tregoi atyre se të njëjtën gjë i kishte bërë dhe ajo Adelajdës. Më pas, Qetsori tha se po nuk doli Aida, femrat do të merrnin shumë fuqi dhe ata, meshkujt, nuk do të dinin ku të futeshin. Për Pavlinin, Aida ishte një sfidë e fortë dhe ai do të kishte preferuar të përballej vetëm me të, pa qenë në mes edhe Arjoni. Qetsori i tha Pavlinit se ai e shihte si konkurrent të fortë, se nuk duhet të kishte frikë dhe nëse ai do të kishte qenë jashtë, do ta kishte votuar të qëndronte, sepse, sipas tij, një tip si i Pavlinit, i duhej shtëpisë.

"Më ka marrë malli për motrat!"

Duke folur me Adin, Mimoza i ka thënë atij se e ka marrë shumë malli për mbrëmjet që kalonte me motrat dhe do të donte të ishte bashkë me to për të dalë e biseduar. Ajo i ka thënë atij se motrat i ka më të mira e më të bukura se vetja, por ai nuk e ka besuar. Mimoza ka treguar gjithashtu edhe interesimin e Arjonit për t‘i njohur ato.

Kivi për patate!

Qetsori ka gjetur disa kivi të bashkuara me patatet. Menjëherë ka filluar të tallet e të thotë se në shtëpinë e "Big Brother" ka ende njerëz që kivit u duken si patate. Ndërsa për Adin "këtu kishte dorë armiku i klasës". Sipas Qetsorit, ishte për të ardhur keq, se mirë që kushtonin shumë, por edhe ishin prishur.

"Nuk jam shërbëtorja e Qetsorit!"

Lirita ka thënë se Qetsori nuk ka të drejtë ta ngrejë zërin me të. Nëse do të donte të fliste, atëherë le të uleshin në tavolinë e të diskutonin tamam. Në fakt, Qetsori i ka thënë Liritës, në dukje me shaka, se nëse ajo do ta pengonte ndonjë nga vajzat që t‘i rregullonte krevatin atij, atëherë Lirita dhe ai do të kishin probleme personale. Debati ka nisur nga Qetsori, sipas të cilit, djemtë në këtë shtëpi po bënin gjithçka, po lanin, po shpëlanin, po gatuanin, ndërsa vajzat nuk e merrnin mundimin as t‘u rregullonin ndonjëherë krevatin. "Edhe në ëndërr më duket sikur e kam sfungjerin në dorë", ka thënë ai. "Unë s‘jam shërbëtorja e Qetsorit", ka thënë Lirita. Aida i ka thënë të mos ia vërë veshin fare e të mos merret me të.

Djemtë protestojnë!

Qetsori që në mëngjes ka filluar të thotë se djemtë në shtëpi janë të persekutuar. Sipas tij, ata po i bëjnë të gjitha punët, po lajnë enët, po lajnë shtëpinë, po gatuajnë. Sipas tij, ata po paragjykohen nga miqtë apo njerëzit jashtë shtëpisë, sepse gjithmonë, sipas tij, ata jetojnë në shoqërinë shqiptare, ku punët i bëjnë femrat dhe jo meshkujt. Ndërsa këtu ata po bëjnë gjithçka e vajzat asgjë. Edhe Pavlini e Arjoni janë bashkuar me të. "S‘po merret vesh kush janë femrat e kush janë meshkujt, ka thënë ai. Nesër do të veshim funde!" Lirita, Aida dhe Zhuljeta i kanë kundërshtuar, madje Lirita i ka përjetuar shumë keq fjalët e tij. Ajo ka thënë se nuk ka pse t‘i rregullojë krevatin një njeriu që ka duar e këmbë e mund t‘i bëjë vetë. Dritani dhe Qetsori kanë marrë edhe shembullin e Republikës që është gjithmonë ajo që i lan enët. Republika e ka pranuar këtë, por ka thënë se pavarësisht, nuk ishte dakord me të. "Ti a e ke rregulluar dy javë rresht?", e ka pyetur ajo. "Ǒtë gjeti të vazhdosh ta bësh?!"

"Kush fitoi? Unë apo ti?"

"Ti po bën një lojë të paparë", i ka thënë Bjordi Qetsorit. Qetsori ia ka kthyer duke i thënë se atij (Bjordit) nuk i takonte të fliste fare, se kishte lënë nam duke vrapuar pas vajzave. "Çfarë mashkulli je ti ore?!", i ka thënë ai Bjordit. Qetësisht Bjordi ia ka kthyer: "Lava ndonjëherë unë? E rregullova ndonjëherë unë krevatin tim? Kush fitoi, unë apo ti"?



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›