Kujtohet 565-vjetori i Kuvendit të Lezhës
Në qytetin e Lezhës, aty ku më shumë se 5 shekuj e gjysmë më parë u mbajt Kuvendi i principatave shqiptare, janë organizuar disa aktivitete në kujtim të kësaj ngjarjeje historike. Më 2 mars të 1444-ës, me në krye Skënderbeun, në mbledhjen e Kuvendit të Lezhës u krijua Besëlidhja Shqiptare. Disa aktivitete i janë kushtuar 565-vjetorit të kësaj ngjarjeje. Autoritetet lokale dhe të ftuar kanë vendosur kurora lulesh tek obelisku i Kuvendit, ku është ngritur flamurit kombëtar nën ekzekutimin e himnit nga orkestra frymore, ndërkohë që nën një atmosferë festive është bërë parakalimi deri pranë memorialit të vendvarrimit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Po në këtë qytet, një sesion shkencor i është kushtuar figurës së Skënderbeut dhe Kuvendit historik të Lezhës. Ndërsa në sallën e Galerisë së Arteve të Pallatit të Kulturës është organizuar një ekspozitë me vepra kushtuar jetës dhe veprës së heroit, si dhe ekspozitë fotografike për historikun e qytetit të Lezhës. Ideja dhe nevoja për mbajtjen e një kuvendi të madh me përfaqësi nga të gjitha principatat e trojeve shqiptare erdhi fill pas fitores së madhe të vitit 1443, kur Skënderbeu filloi takimet me princër e fisnikë të tjerë shqiptarë për të gjetur rrugën e bashkimit, pa të cilën s‘mund t‘i bëhej ballë superfuqisë ushtarake dhe politike të asaj kohe, siç ishte Perandoria Osmane. Përvoja e deriatëhershme shqiptare e ballkanike, sidomos kryengritjet e viteve ‘30 në Shqipëri, kishin treguar se osmanëve nuk mund t‘u bëhej ballë pa bashkimin e forcave të brendshme politike, ushtarake dhe ekonomike, si dhe pa lidhjen e aleancave me vendet e Evropës. Mbi këtë qëllim, më 2 mars të vitit 1444, në Katedralen e Shënkollit të qytetit të Lezhës, u mbajt i pari Kuvend Kombëtar i princërve dhe i fisnikëve shqiptarë të shekullit XV, disa prej të cilëve kishin udhëhequr kryengritjet e mëdha të viteve ‘30 kundër hordhive osmane. Në Kuvend morën pjesë: Skënderbeu, Gjergj Araniti, Andrea Topia, Gjergj Strazimir-Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Teodor Muzaka i riu, Lekë Zaharia, Pjetër Spani, Lekë Dushmani, Stefan Gojcini etj.
Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte ai që mbajti fjalën e hapjes në këtë Kuvend dhe në ligjëratën e tij, ai qëllimisht u ndal në domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit politik të shqiptarëve.
Kuvendi vendosi që bashkimi të bëhej në formën e një besëlidhjeje, që nënkuptonte një aleancë ushtarake nëpërmjet drejtuesve të principatave dhe krerëve të vendit. Si kryetar i saj u zgjodh Skënderbeu.
Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte ai që mbajti fjalën e hapjes në këtë Kuvend dhe në ligjëratën e tij, ai qëllimisht u ndal në domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit politik të shqiptarëve.
Kuvendi vendosi që bashkimi të bëhej në formën e një besëlidhjeje, që nënkuptonte një aleancë ushtarake nëpërmjet drejtuesve të principatave dhe krerëve të vendit. Si kryetar i saj u zgjodh Skënderbeu.