Rinia e PDK-së, feston ditën e pavarësisë së SHBA-ve

Dita e pavarësisë së SHBA-ve, 4 korriku, ishte ditë feste edhe për Rininë Demokratike të Kosovës. Me një historik të shkurtër rreth shpalljes së pavarësisë së SHBA-ve, që i shpërndahej kalimtarëve të rastit, me aktivitete rinore, muzikë, shfaqje për fëmijë, improvizime të statujës së lirisë për të bërë fotografi dhe një libër, në të cilin qytetarët kishin mundësi të shkruanin urime nga më të ndryshmet drejtuar SHBA-ve, rreth 60 të rinj të PDK-së shënuan edhe në Prishtinë ditën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një mik i madh i shtetit të Kosovës dhe miqësia me SHBA-të është vlerë, që kultivohet nga i gjithë populli ynë. Ky aktivitet është simbolik dhe përmes tij kemi dashur të nderojmë popullin amerikan, i cili në vazhdimësi e ka mbështetur krijimin e shtetit dhe fuqizimin e shtetësisë së Kosovës”, tha Leutrim Retkoceri, aktivist i RDK-së në Prishtinë.
Ndryshe, më 4 korrik 1776, Kongresi Kontinental i përbërë prej një konvente delegatësh nga trembëdhjetë kolonitë amerikane, zyrtarisht ka shpallur pavarësinë dhe ka formuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prej këtij viti, populli amerikan gjithmonë e feston Ditën e Pavarësisë me parada, karnevale, panaire, pikniqe, koncerte, lojëra bejsbolli dhe aktivitete të ndryshme për të rikujtuar historinë dhe ruajtur traditat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës./Indeksonline/