OKB: 800 mijë refugjatë gjatë vitit 2011

Raporti i publikuar të hënën nga Komisionari i Lartë për Refugjatë i OKB-së thekson se nga konfliktet në mbarë botën, gjatë vitit 2011 numërohen 800 mijë refugjatë të rinj. Kjo është shifra më e madhe që nga viti 2000, kur numri i refugjatëve ishte 822 mijë.
Megjithatë, rreth 3.2 milionë persona janë kthyer në shtëpitë e tyre në vitin 2011, duke zvogëluar totalin e refugjatëve dhe personave të zhvendosur në nivelin global në 42.5 milionë.
Numri i madh i refugjatëve në vitin 2011 u atribuohet kryesisht konflikteve në Libi, Sudan dhe Somali.
Afganistani është burim kryesor i refugjatëve që përbëjnë 2.7 milionë.
Publikimet vijnë në prag të 20 qershorit, kur shënohet Dita Botërore e Refugjatëve.