E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-kryeministri britanik Tony Blair, viziton sot Kosovën

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe dhe një prej përkrahësve kryesorë të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Tony Blair, do të vizitojë sot Prishtinën.

Ish-kryeministri realizon këtë vizitë përmes fondacionit të tij, “Faith Foundation”, ndërsa është konfirmuar se ai do të mbajë një fjalim në një prej universiteteve me qëllim promovimin e tolerancës dhe debatit kritik për rolin e feve në shoqëritë demokratike.

Charlotte Keenan, drejtoreshë ekzekutive e fondacionit, tregoi për të përditshmen “Express”: “Europa Lindore dhe Ballkani kanë parë ndryshime të mëdha politike, ekonomike dhe sociale gjatë tri dekadave të fundit, si dhe konflikte të tmerrshme. Në këtë kontekst, fondacioni beson se duhet hulumtuar me përfshirjen e institucioneve akademike dhe arsimore të kuptuarit e forcave kryesore sociale dhe fetare”.

“Tony Blair ka edhe një marrëdhënie historike me Kosovën e rajonin dhe është kjo dëshirë e përbashkët me popullin e Kosovës për paqe të qëndrueshme dhe zhvillimin e vazhdueshëm të një shteti të ri që përfaqëson me frymën e duhur qëllimin e vetë fondacionit”, shtoi Keenan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›