Dialogu Kosovë-Serbi, Prishtina mbetet kundër vazhdimit

Akuzat e ndërsjellta në trekëndëshin Prishtinë-Bruksel- Beograd rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë të jenë të pranishme. Ato do të karakterizohen me fjalët “nuk keni bërë asgjë”, deri te fajet konkrete për mosimplementimin e shtatë marrëveshjeve të arritura në mars të këtij viti.
Të enjten ndërmjetësi i dialogut Robert Cooper do qëndrojë në Prishtinë, mirëpo autoritetet kosovare janë kundër vazhdimit të dialogut.
“Ne nuk duam vazhdim të dialogut derisa marrëveshjet nuk implementohen, e Serbia lobon fuqishëm kundër anëtarësimit të Kosovës nëpër organizata rajonale”, ka thënë një pjesëtar i qeverisë Thaçi, shkruan “Zëri”.
Zyrtarët evropianë në Bruksel thonë se edhe nëse Thaçi nuk e takon ndërmjetësin e dialogut, kjo nuk është ndonjë gjë e madhe, pasi jo gjithmonë kur Cooper ka qënë për vizitë në Kosovë, ai është takuar me kryeministrin e Kosovës.