Në Haiti kanë vdekur 61 punëtorë të OKB-së
Numri i punëtorëve të vdekur të OKB-së, si pasojë e tërmetit në Haiti, është ngritur në 61, e që është numri më i madh i punëtorëve, të cilët i ka humbur organizata botërore si pasojë e një katastrofe natyrore.
Në mesin e punëtorëve të OKB-së, të cilët humbën jetën si pasojë e tërmetit që goditi Haitin më 12 janar, kanë humbur jetën 25 civilë, 24 ushtarë dhe 12 policë, deklaroi zëdhënësi i OKB-së, Farhan Hak.
Në ndërkohë, me fillimin e arritjes së ndihmave në Haiti, qeveria e këtij vendi tani do të përballet me sfidën e jashtëzakonshme për të ushqyer dhe strehuar me qindra mijëra të mbijetuar të tërmetit, të cilët jetojnë ende në rrugët e mbushura me gërmadha të kryeqytetit Port Au Prince.
Më shumë se 1.5 milionë banorë të Haitit kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Ata kanë nevojë për ushqim dhe ujë, ndërsa shumë prej tyre edhe për trajtim mjekësor.
Qeveria e Haitit njoftoi se mbi 400 mijë të mbijetuar do të zhvendosën në fshatra të reja, të cilat do të ndërtohen jashtë kryeqytetit të shkatërruar. Aktualisht vlerësohet se si pasojë e tërmetit kanë humbur jetën së paku 200 mijë persona.