OKB: Gaza do përballet me urinë nëse vijojnë luftimet mes Izraelit dhe Hamasit

Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se Gaza është në rrezik të urisë nëse lufta mes Izraelit dhe Hamasit vazhdon. Një e katërta e familjeve, afërsisht 500.000 njerëz, po përballen me “kushte katastrofike”, tha një agjenci e OKB-së për sigurinë ushqimore.
Sipas tyre, e gjithë popullsia e territorit prej rreth 2.2 milion njerëz po vuan nga mungesa akute ushqimore.
“Askush në Gaza nuk është i sigurt nga uria. Qasja humanitare është e nevojshme tani që furnizimet të rrjedhin në të gjithë Gazën dhe që civilët të marrin në mënyrë të sigurt ndihma për shpëtimin e jetës”, tha Cindy McCain nga Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së.
Raporti u publikua të enjten nga Klasifikimi i Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar, një organ i OKB-së që vlerëson sigurinë ushqimore në vendet e prekura nga konflikti ose fatkeqësitë natyrore.
Sipas tyre, sasia e mallrave, përfshirë ushqimin, të lejuara për të hyrë në Rripin e Gazës janë kryesisht të pamjaftueshme.
Të premten, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë që synon të sjellë më shumë ndihma në Gaza, por nuk bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara abstenuan në votim, ndërsa 13 anëtarët e tjerë të këshillit e mbështetën atë./ BBC
/rtsh.al/