OKB pranon rezolutën për përshpejtimin e ndihmës në Gaza, jo atë për armëpushim

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka votuar për një rezolutë për të përshpejtuar ndihmën për Gazën por la jashtë thirrjen për armëpushim.
Trembëdhjetë anëtarë votuan pro, ndërsa SHBA dhe Rusia abstenuan.
Votimi ndodhi pasi Amerika vuri veton ndaj një amendamenti rus për të rivendosur thirrjen për një pezullim të armiqësive.
Izraeli i cili nuk është pjesë e Këshillit të Sigurimit kishte këmbëngulur gjithashtu për të mbajtur drejtimin në inspektimin e ndihmës që shkon në Gaza.
Rezoluta synon të rrisë praninë e OKB-së në rajon dhe krijon një koordinator për të mbikëqyrur një mekanizëm të OKB-së që do të ngrihet, me synimin për të përshpejtuar dhe thjeshtuar shpërndarjen e ndihmës.
Ndërkohë Hamasi e quajti rezolutën një “hap të pamjaftueshëm”.
Antonio Guterres, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, ka paralajmëruar që Gaza përballet me një “katastrofë humanitare” dhe “një prishje të plotë të rendit publik”.
E gjithë popullsia prej 2.2 milionë banorësh të Gazës është në krizë ushqimore ose më keq dhe më shumë se 576,000 janë në pikën “katastrofike” të urisë, sipas një raporti nga 23 agjenci të OKB-së dhe humanitare.
Gati 20,000 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
/rtsh.al/