OKB: Në Siri, krime kundër njerëzimit

Forcat e sigurisë në Siri kanë kryer krime kundër njerëzimit, në shtypjen me dhunë të protestave anti-qeveritare, vlerësoi OKB në një raport të publikuar të hënën.
Studimi i një paneli të pavarur ekspertësh arriti në përfundimin se forcat e sigurisë kanë kryer vrasje, tortura dhe përdhunime mbi popullsinë civile. Autoritetet siriane mbajnë përgjegjësi direkte në këto ngjarje.
Komisioni me tre antarë lëshoi një vlerësim pre 39 faqesh, në një konferencë për shtyp të mbajtur në Gjenevë. “Ky komision është thellësisht i shqetësuar për krimet kundër njerëzimit që janë kryer në qytete të ndryshme në Siri. Sulmet e forcave të rendit mbi popullsinë dhe shkatërrimi i vazhdueshëm i pronës private nuk mund të kryhej pa bashkëpunimin e autoriteteve”, shkruhej në raport.
223 viktima të sulmeve, dëshmitarë pamorë dhe dezertorë të ushtrisë u morën në pyetje prej ekspertëve. Megjithatë, ata nuk u lejuan që të hynin vetë në Siri.