E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri që doli nga disa shirita magnetofoni

Për tre vjet rresht, Eqrem Çabej udhëtoi drejt Prishtinës dy herë në vit. Në maj për të dhënë leksione dhe në dhjetor për t‘i marrë studentët në provim. Për Kosovën e atyre viteve, ku kontaktet me Shqipërinë komuniste ishin të limituara, kontakti me profesor Çabejin ishte më tepër se një kontakt i thjeshtë mes studentëve dhe një profesori. Për shumë vite tezat e Çabejit për gjuhën shqipe qarkullonin në auditorët e Prishtinës dhe ato leksione që ai i dha me dashurinë që kishte për gjuhën do të incizoheshin në magnetofon për t‘u zbardhur më pas dhe shpërndarë studentëve në trajtën e një dispense të shaptilografuar. E bija e Çabejit, Brikena, e kujton plot jetë fytyrën e tij pas kthimit nga Prishtina.

Atëherë ajo ishte një gjimnaziste që zgjaste vështrimin te librat që i ati do të nxirrte nga valixhja e udhëtimit. Dhe që andej ajo do të shihte Sartrin, Prevert, apo vepra të plota të disa klasikëve shqiptarë…

Por le të kthehemi te leksionet, të cilat vijnë për herë të parë në trajtën e një libri, si gjëja e parë konkrete në 100- vjetorin e lindjes së gjuhëtarit të njohur, shpallur nga Ministria e Kulturës si "Viti i Çabejit".

Sigurisht për t‘i sjellë këto leksione nga një zë i thjeshtë në magnetofon në një libër nuk ka qenë e lehtë. Në parathënien e këtij botimi, Brikena tregon se si fillim u mendua për redaktime gjuhësore, e cila më pas u la mënjanë. "Rezultati i këtyre ndërhyrjeve na dha të kuptojmë se leksionet nuk e pranonin këtë redaktim. Ai i hiqte tharmin stilit të autorit, pa i shtuar ndonjë gjë librit. Pra u pa e udhës të ktheheshim te teksti bazë dhe idealisht, te burimi fillestar: zëri i incizuar", thotë Brikena. Në shtëpi ruante disa shirita magnetofoni, njëri prej të cilëve e dinte se vinte nga Prishtina në vitet ‘70, por që nuk e merrte guximin t‘i dëgjonte për vetë emocionin që mund të mbarte një "takim" i tillë. "Këto incizime, për të cilat duhen aparatura speciale të vjetra për t‘i dëgjuar sot, u hodhën në një CD dhe njëri syresh doli se ishte shiriti i leksioneve të Prishtinës. Mirëpo cilësia e dëgjimit për arsye objektive të hedhjes së zërit nga një incizim në tjetrin ishte thuajse e papërdorshme. Do përmendur këtu se incizimet në Prishtinë ishin bërë atëherë pa mëtime cilësore, thjesht si dispensë mbështetëse për studentët. Mirëpo kur pamë se mund të mbështeteshim te zëri për zgjidhjen e disa ‘enigmave‘ të tekstit, duhej bërë gjithçka për ta pasur atë domosdo", thotë ajo. Një studio në Paris do ta ndihmonte atë t‘i pastronte zhurmat nga këto shirita, që zëri të dilte i qashtër. Është një përpjekje e gjatë që Brikena ka bërë për të zbardhur këto leksione, të cilat tashmë mund të lexohen në këtë libër. Gjuhëtarja Ledi Shamku Shkreli, që është autore e parathënies së këtij botimi dhe një kontribuuese bashkë me Brikenën, që këto leksione të merrnin sërish jetë, e konsideron këtë botim si "librin më të mirë teoriko-analitik të gjuhësisë shqiptare deri më sot". "Përmes tij, Çabej është i pari ndër gjuhëtarët shqiptarë që e harton dhe e ofron të plotë mendimin mbi shkencën e indoevropianistikës. Duke e krahasuar këtë tekst me modelet e botuara në Evropë në gjysmën e parë të shekullit XX, vihet re se ky shkencëtar luminar, i qartë se metodikat gjuhësore sui generis po e nxirrnin shqipen jashtë interesit shkencor ndërkombëtar, vijon t‘i përmbahet strukturës së atyre modeleve, të cilat kishin filluar të konsideroheshin të papërshtatshme nga ‘shkenca e re shqiptare‘", thotë Ledi Shamku Shkreli. "Me botimin dhe divulgimin e kësaj vepre-traktat, që nuk është një doktrinë e përfunduar, por zanafillë e një doktrine të re, për Çabejin vlen të thuhet sot pikë për pikë ajo çka tha Benveniste në pesëdhjetëvjetorin e botimit të Kursit të F.De Saussure: "Ai po gatitet të ketë një jetë të dytë, e cila do të gërshetohet pashmangësish me tonën". Ndërsa bën pyetjen se ç‘përfaqëson Eqrem Çabej në mendimin tonë filozofiko-gjuhësor, ajo citon fjalën e Justin Rrotës, njërit prej kontribuuesve të shquar në procesin e selitjes së gjuhës letrare shqipe, i cili në dorëshkrim kishte këtë kushtesë: "Prof. Eqrem Çabejt, Albanistit ma të madhit kombëtar, këto hulumtime nxanësësh. Gjithë motin e jetës mirënjohtës për kontributin e vlefshëm dhe bujarisht të huajtun në gavor të këtyne fletëve". Një kushtesë kjo e lënë jashtë në botimin që Akademia e Shkencave përgatiti për kolanën françeskane.

Sigurisht Çabej është më i madhi albanist kombëtar. Këtë gjuhëtar fati e vendosi në një vend komunist si Shqipëria, ku ishin të pashmangshme "muret" e sistemit. Çabej ishte vetëm 59 vjeç kur u largua nga mësimdhënia në universitet, pikërisht në kulmin e aktivitetit të tij shkencor e pedagogjik. Në një intervistë më poshtë, e bija, Brikena, që ka trashëguar dashurinë e pafund për librat nga i ati, (ajo drejton botimet Çabej) tregon diçka më tepër për "Hyrje në indoevropianistikë"…

Sapo është vënë në qarkullim, për herë të parë në Shqipëri, libri "Hyrje në indoevropianistikë" i Eqrem Çabejit, që mban nëntitullin "Leksionet e Prishtinës". Si është historia e tij?

"Leksionet e Prishtinës" është nëntitulli që i kam vënë unë librit me titull "Hyrje në indoevropianistikë". Ai, në të vërtetë, përfshin ligjëratat e folura, por kurrë të shkruara, mbajtur nga Çabej në vitet shkollore 1970-1973 në Universitetin e Prishtinës, për studentët e ciklit pasuniversitar. Tre vjet rresht ai udhëtoi në Prishtinë dy herë në vit, në maj për të dhënë leksione e në dhjetor për të marrë studentët në provim. Këto leksione janë incizuar në magnetofon, janë zbardhur atë kohë dhe u janë shpërndarë studentëve në trajtën e një dispense të shaptilografuar. Kjo zbardhje e zërit të incizuar ka meritën se e shpëtoi nga bjerrja këtë vepër. Pra, Prishtina ishte zanafilla e këtij libri dhe gjithashtu ajo që e ruajti atë.

Si ishte e mundur udhëtimi e mbajtja e leksioneve në Jugosllavinë e Titos?

Në fillim të viteve ‘70, për rreth një dekadë, ka pasur një liri relative për institucionet shqiptare në Kosovë, e cila u pasqyrua mes të tjerash me një pranverë në marrëdhëniet kulturore mes Prishtinës e Tiranës. Në Universitetin e Prishtinës u dërguan një sërë pedagogësh për lëndë të ndryshme për të dhënë leksione. Nuk di nëse përzgjedhja e tyre u bë me kërkesë të kosovarëve, por kam përshtypjen se po. Shumë personalitete të kulturës shqiptare të kohës, jo vetëm nga universiteti, shkuan atëherë në Kosovë. Edhe artistë gjithashtu. Natyrisht këto udhëtime bëheshin vetëm në kuadër institucional, por ato ishin mjaft të shpeshta. Dhe atmosfera që përçonin këto shkëmbime përçonte një ndjenjë të gëzueshme lirie në Tiranën e mbyllur thuajse hermetikisht të kohës. Unë isha atëherë nxënëse në gjimnaz dhe mbaj mend harenë që kisha kur mbërrinte im atë nga Prishtina, përherë me një valixhe plot me libra. Këto libra ishin për një pjesë autorë bashkëkohorë të ndaluar në Shqipëri, si p.sh. Sartre, Prevert etj. Në anën tjetër veprat e plota të disa prej klasikëve shqiptarë, në botime luksi, me lidhje të bukura e dinjitoze, që mjerisht sot nuk i kemi arritur ende, as këndej as andej kufirit.

Në parathënie të librit shkruani se Çabej pati dëshirë t‘i jepte këto leksione në Tiranë, por nuk mundi...

Po, kishte vërtet dëshirë të madhe. E di mirë që u ofrua t‘i mbante këto leksione edhe për studentët e këtushëm, por nuk ia dhanë këtë mundësi. Më duket se justifikimi i radhës ishte se këto ishin leksione pasuniversitare dhe këtu s‘kishte studime të tilla. Por kjo s‘ka shumë rëndësi, sepse natyrisht ishte vetëm justifikim. E vërteta ka qenë se qysh në vitin shkollor 1967, kur ashtu si në Kinë edhe në Shqipëri shpërtheu revolucioni kulturor, Çabejin e larguan nga universiteti. Ishte koha e fletërrufeve sipas modelit kinez të të ashtuquajturave "dacibao". Çabejit i vunë dy të tilla, të gjata sa një bojë njeriu, të cilat u mbajtën varur për më se një vit rresht në hyrje të Fakultetit Filologjik, ku e kishte selinë atëherë Instituti i Gjuhësisë. Madje, kur u transferuan zyrat e Institutit, nga Fakulteti në godinën ku është sot, bashkë me orenditë, skrivanitë dhe raftet me libra, u morën me vete edhe fletërrufetë kundër Eqrem Çabejit, të cilat u vendosën me kujdes në muret e Institutit të ri, prej ku u hoqën fizikisht mbas ndonjë viti. Por realisht ato nuk u hoqën kurrë.

Pra, Çabej ishte vetëm 59 vjeç kur u largua nga universiteti e nga mësimdhënia, në një moshë kur ishte në kulmin e aktivitetit të tij shkencor e pedagogjik. Besoj se kjo ka qenë një nga keqardhjet e mëdha të tij, për të cilën, si e kishte zakon, nuk fliste e nuk ankohej kurrë. Por mësimdhënia, pedagogjia ka qenë pjesë e rëndësishme e punës së tij. Ai e pat nisur karrierën si mësues në vitet ‘30 dhe profesionin e mësuesit e shihte si punë misionari. Kishte nderim të madh për mësuesit e të gjitha niveleve. Sidomos për ata të shkollave të vogla nëpër katunde të largëta të vendit. Mbante lidhje me mësues të pasionuar të gjuhës shqipe nga të katër anët e vendit, një pjesë të të cilëve i kishte pasur nxënës. Mbaj mend se ka shkuar njëherë, në mes të dimrit, në shkollën 8-vjeçare të Pukës, ku disa mësues të pasionuar organizuan një sesion shkencor për gjuhën shqipe, në vitet ‘70, kur udhëtimi nëpër Shqipëri ishte aq i vështirë.

Ky libër botohet për herë të parë në Shqipëri. Pse kjo vonesë?

Ky libër nuk është i pari i vonuar i Çabejit në botimet shqiptare. Të botosh do të thotë ta bësh publike. Në këtë kuptim, një pjesë e madhe e veprës së Çabejit mund të thuhet se nuk është e botuar. Shumica e studimeve të rëndësishme të tij për shkencën shqiptare e për kulturën kombëtare është thuajse e pamundur të gjenden sot. Ato janë botuar vetëm një herë në periodikët shkencorë të kohës, "Buletin i Universitetit të Tiranës", apo "Studime Filologjike" etj., botime që kanë pasur qarkullim të kufizuar mes specialistësh. Kjo ka qenë në rastin më të mirë. Ndërsa në rastin më të keq studimet e tij janë "sekuestruar". Po përdor një fjalë ekstreme, por nuk di të gjej një më të butë për qëndrimin që është mbajtur p.sh. ndaj njërës prej "veprave të jetës" të Çabejit: "Meshari i gjon Buzukut", LIBRI i PARË SHQIP. Studimit të kësaj vepre me rëndësi themelore për kulturën shqiptare ai i kushtoi nja pesëmbëdhjetë vjet pune të pareshtur. Kjo punë u kurorëzua me një botim çuditërisht cilësor në Shqipërinë e mesviteve ‘60, sepse u shtyp në Rumani, në dy vëllime të bukura. Puna e autorit u vlerësua madje edhe me Çmimin e Republikës. Ndërsa libri vetë u mbyll në depot e Institutit të Gjuhësisë dhe u kalb atje, në kuptimin literal të fjalës. U kalb nga lagështira dhe nuk u qarkullua kurrë. Justifikimi: ishte libër fetar. Pra, në një anë shteti i varfër shqiptar investonte valutë për ta shtypur librin jashtë shtetit dhe nderonte me çmim autorin, në anën tjetër ndalonte librin! Mistere të tilla të shoqërisë shqiptare, mbase jo vetëm të asaj kohe, shpresoj të vijë dita të zbërthehen ndonjëherë. Dua të shtoj këtu se ka qenë meritë e botimeve kosovare që vlerësuan e nxorën në dritë veprën e Eqrem Çabejit, me botimin e kompletit të veprave në tetë vëllime. Po mjerisht ato nuk qarkulluan në Shqipëri, ku hynë vetëm si dhuratë në pak kopje.

Jeni shprehur diku se do të hidhni në shtyp edhe sonetet e dashurisë të shkruara nga Çabej? Pas kaq vitesh ju zbuloni dhe një Çabej poet? Ǒmund të na thoni më tepër për këtë?

Sonetet, që janë të pakta në numër, vetëm 18, janë shkruar në vitet 1949-‘50, kur është njohur me nënën time. Ato janë sonete dashurie në këtë kuptim, se kanë marrë shkas e janë shkruar për gruan që njohu në moshë të pjekur, 41-vjeçare dhe që ishte gruaja me të cilën lidhi jetën, pra për gruan e jetës. Janë të përkryera për nga forma, sipas të gjitha rregullave klasike të tingëllimës, janë të gjithësishme, hapësinore e të rënda njëherësh, po aq poezi për dashurinë sa dhe për vdekjen. Kam bindjen se kur të botohen do të jenë një kontribut i vyer e një risi në poezinë shqiptare, duke e pasuruar e plotësuar atë me një kryevepër të një fare, një lloji, që i mungon. Këtë pohim e bëj duke e parë me syrin e ftohtë të lexuesit e të botuesit, e jo me syrin e bijës për veprën e t‘et. Botimi a më mirë mosbotimi i tyre deri më sot, gati gjashtëdhjetë vjet pasi u shkruan, ka një histori të veçantë e tipike për karakterin e rezervuar të autorit, të cilën do ta sqaroj në një pasthënie të botimit, i cili do të dalë në dritë së shpejti, muajt e ardhshëm.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›