E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Ministrat fitojnë 1.1 euro në minutë

 

Qeveritarët të gjithë sëbashku vetëm për një vit kalendarik janë pasuruar me më shumë se 1.5 milion euro

TIRANË- Shqipëria vazhdon të mbetet vendi i kontrasteve të mëdha. E ndërsa qytetarët e thjeshtë për shkak të shtrenjtimit të jetës vazhdojnë të varfërohen çdo ditë e më shumë, nga ana tjetër shtetarët tanë vijojnë të rrisin pasuritë e tyre të luajtshme dhe paluajtshme. Një ditë pasi gazeta Shekulli publikoi deklaratat e pasurisë të disa prej zyrtarëve dhe politikanëve të lartë, ka reaguar Partia Socialiste, e cila ka shprehur shqetësimin e saj për polarizimin e madh të të ardhurave të shqiptarëve. Referuar pikërisht të dhënave të Bankës Botërore dhe Bankës së Shqipërisë nga njëra anë dhe të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive nga ana tjetër, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe ka theksuar se tashmë shoqëria shqiptare ka dy pole tej mase të larguara në të ardhura. "Kemi një shkallë të re të polarizimit të shoqërisë, tashmë në dy ekstreme të reja: në ministra gjithnjë e më të pasur e në qytetarë gjithnjë e më të varfër", - u shpreh Braçe. Duke analizuar pikërisht deklaratat e pasurive të ministrave të kabinetit qeverisës, Braçe ka evidentuar se ata të gjithë sëbashku vetëm për një vit kalendarik janë pasuruar me më shumë se 1.5 milion euro. Ai nuk ka nguruar ti cilësojë këto pasuri si produkt i korrupsionit dhe shfrytëzimit të posteve të larta ministrore. "Sot, Sali Berisha, ministrat e tij, pra ati dhe bijtë e Republikës së korrupsionit na kanë dëshmuar se janë pasuruar me afro 1.5 milion euro në 365 ditë. Pra me 410 euro në ditë, 557 euro në ditë pune, 69.6 Euro për orë punë, 1.1 Euro në minutë. Sot, Sali Berisha, ministrat e tij, pra ati dhe bijtë e Republikës së korrupsionit, na dëshmuan se si ministrat përdorin gratë, vajzat, përdor babain kryeministër si lavatriçe ku lahen paratë e paligjshme të korrupsionit", -ka theksuar Braçe. Kjo për Braçen është vetëm gjysma e së keqes, pasi këta ministra, sipas tij, nga ana tjetër me politikat e tyre të gabuara kanë varfëruar edhe më tej qytetarët shqiptar. "Sot Sali Berisha, ministrat e tij, pra ati dhe bijtë e Republikës së korrupsionit, duhet të kuptojnë se me keqqeverisjen e tyre kanë krijuar në këtë vend paralel me Republikën e tyre, Republikën e Varfërisë", - u shpreh Braçe. Ndërkohë ai ka dhënë alarmin për rrezikun që i kanoset biznesit të vogël në Shqipëri, si pasojë e inflacionit dhe politikave të gabuara fiskale të qeverisë. "Inflacioni, si dhe politika fiskale e Kryeministrit Berisha, po rrezikojnë tëfalimentojnë e zhysin në varfëri mbi 40 mijë biznese të vogla dhe gjithë të punësuarit në to. Më 1 Janar, kryeministri Berisha, i vendosi ata nën regjimin e tatimit të sheshtë. Që nga 1 Janari, ata paguajnë 10 % tatim mbi të ardhurat. Kjo taksë është 5 herë më e lartë se ajo e 2005 dhe shumë larg premtimit të pa mbajtur të Sali Berishës, për përgjysmimin e tij", - theksoi Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›