E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Ti vëmë fre inercisë së politikës së vjetër

 Kryesocialisti vijoi turin e tij me banorë të fshatrave të komunës Gur i Zi, Velipojë e Postrribë

SHKODËR- Shkodra ka qenë stacioni i radhës, ku kryetari i PS-së Edi Rama ka bashkëbiseduar në kuadër të "Dialogut me Shqipërinë". Ai ka bashkëbiseduar me banorë të fshatrave të komunës Gur i Zi, Velipojë e Postrribë, si dhe është takuar me një grup sipërmarrësish shkodranë, me drejtues të strukturave të PS në Shkodër dhe me anëtarë e simpatizantë të kësaj force politike. Në këto takime, Rama ka theksuar rëndësinë që ka ky proces bashkëbisedimi në hartimin e programit të ardhshëm politik dhe qeverisës të Partisë Socialiste. Kontakti me njerëzit është, sipas tij, pjesë përbërëse e asaj që ai gjatë gjithë turit të tij nëpër Shqipëri e ka cilësuar si politika e re. "Politika është mision, pasion, hapësirë që na jep mundësi të bashkohemi për të shpresuar e realizuar një jetë më të mirë. Politika ka në esencën e vet energji e shumë force njerëzore për të lëvizur në drejtimin e duhur, për ti bërë komunitetet që të gjejnë rrugën e duhur për zhvillim e mirëqenie, për ti bërë të sigurojnë rrugët ku do duhet të shkelin nesër fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë", - u shpreh Rama gjatë fjalës së vet në takimin që zhvilloi në komunën Guri i Zi. Për të vënë në jetë pikërisht këtë politikë të re dhe për ti dhënë një herë e mirë fund politikës së vjetër, Rama ka shtruar si domosdoshmëri bashkimin e të gjithë shqiptarëve përtej kufijve të partive politike. "Në këtë aspekt duhet të vazhdojmë të ndërtojmë një urë të re komunikimi, ti vëmë fre inercisë së politikës së vjetër që na mban të ndarë për të na sunduar më lehtë, që na mban të përçarë për të pasur më të lehtë tregtinë e interesave personale. Politika e vjetër i përket atyre që kanë ndërtuar atë shfaqje që shohim sot në ekranet e televizorëve e që prodhon pasiguri", - u shpreh më tej Rama. Është pikërisht kjo politikë e vjetër, ka vazhduar më tej kryesocialisti, ajo që ka krijuar kudo në Shqipëri pasiguri për të sotmen dhe të ardhmen njëkohësisht. "Sot mund të vdesësh kudo, në rrugë, ujë etj dhe askush nuk mban përgjegjësi. Prandaj ka ardhur momenti ti japim jetë një bashkimi të ri, ku socialistët e demokratet e thjeshtë ti shtrijnë dorën njëri -tjetrit", - theksoi kryesocialisti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›