Gjergji: Qeveria ka nevojë për ndryshime
TIRANË- Një president i zgjedhur nga populli, do t'i shërbente interesave të të gjithë shqiptarëve. Me këtë argument, deputeti i Partisë Demokratike, Sami Gjergji argumenton qëndrimin e tij kundër sanksionimit në Kushtetutë të zgjedhjes së kreut të shtetit me 70 plus 1 për qind të votave. Në një intervistë për "Shekullin", ai flet dhe për marrëdhëniet brenda kampit blu, ku mohon që të ketë grupime. Ndërkohë Gjergji thekson nevojën e përmirësimit të qeverisjes, sidomos në drejtim të parandalimit të rritjes së mëtejshme të çmimeve, politikat e agrobiznesit etj.
Zoti Gjergji, Kuvendi sapo ka miratuar një sërë ndryshimesh të rëndësishme në Kushtetutë. Si do t'i vlerësonit ato?
Kushtetuta është ligji themeltar i shtetit dhe si i tillë, vjen si rezultat i njohjes dhe përfaqësimit të kushteve dhe rrethanave të veçanta politike, ekonomike dhe shoqërore të një vendi. Në këtë kontekst, pas paketës kushtetuese me të cilën u operua deri në vitin 1998 kur me referendum u miratua Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (Ligji Nr.8417, datë 21.10.1998) ka kaluar një kohë e gjatë, kohë gjatë së cilës u vërtetua se diçka nuk shkonte në raport me kushtet dhe rrethanat e reja politike, ekonomike dhe shoqërore. Pra, si rezultat i ndryshimeve, kishte lindur domosdoshmëria e disa ndryshimeve. Në këtë këndvështrim, ndryshimet e miratuara do t'i shërbejnë interesave të së ardhmes.
Ju keni qenë një nga deputetët e maxhorancës që disa prej këtyre ndryshimeve i votuat kundër. Pse ky qëndrim?
Nuk do të thosha se kam votuar kundër, por kam përçuar vullnetin e zgjedhësve që më kanë sjellë në Kuvend. Në këtë kuptim, vota ime, të cilën ju e konsideroni si votë kundra, nuk ishte gjë tjetër veçse shprehja e vullnetit të elektoratit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës direkt nga populli, sepse përfaqëson unitetin e popullit, ndërsa formula 70 + 1 e cenon përfaqësimin e tërë popullit në raport me një pjesë të tij, aq më shumë të asaj pjese që fiton zgjedhjet, gjë që prek balancën kushtetuese ndërmjet Presidentit dhe përgjegjësive të tij kushtetuese; prek gjithashtu parimin numër një të demokracisë, mbrojtjen e interesave të shumicës, duke favorizuar pakicën që përfaqësohet nga një parti ose koalicion partish në pushtet, çka është themeli i të qenit të Shqipërisë Republikë Parlamentare. Zgjedhja e Presidentit direkt nga populli, do t'i shërbente interesit të mbarë popullit dhe do të përputhej plotësisht me një cilësi më të lartë të paketës, me qëllim që të motivonte edhe më shumë pjesëmarrjen e popullit në zgjedhje, duke zbutur konfliktin që ndeshet në praktikë ndërmjet deputetit dhe zgjedhësve. Kuptohet se zgjedhja e Presidentit direkt nga populli, do t'i shërbente edhe më mirë seriozitetit në emërimin e Kryeministrit, ndërmjetësimit dhe zgjidhjes së krizave politike, ose gjithçkaje që flet për një demokraci të zhvilluar.
Ju u bëtë pjesë e një liste të gjatë deputetësh të cilët firmosët një amendament shtesë për nenin 87, sipas të cilit, Presidenti të zgjidhej nga populli. Pse këmbëngulët në këtë pikë dhe si do ta vlerësonit vendimin e Kuvendit për të mos e paraqitur këtë amendament për votim?
Jeta parlamentare është jo vetëm një përfaqësim, thjesht, të një partie, të një koalicioni, por edhe përfaqësim individual. Ndodh që bindja e një individi të përkojë me atë të një ose më shumë individëve të tjerë, por ajo që ju e quani listë, në rastin konkret, ishte shprehje e demokracisë nëpërmjet përfaqësimit individual të një ideje të arsyeshme. Kjo është diçka krejt tjetër me përfaqësimin e interesit partiak ose të koalicionit, çka mendoj se do ta shpjegonte mjaft mirë shkakun përse amendamenti ynë nuk u paraqit për votim. Kompromisi dhe konsensusi, janë mjete me të cilat operon politika në kuptimin e mirëfilltë të vendimmarrjes. Çdo mjet tjetër që do të shkonte kundër kësaj logjike, të çon në një rreth vicioz shkak-pasojë, i cili ka më shumë kosto sesa përfitime.
Në vijim të pyetjes së mësipërme, desha t'ju pyes pse u reduktua kaq shumë grupi i deputetëve mbështetës të këtij amendamenti në Kuvend?
Më duhet të bëj një sqarim në lidhje me këtë pyetje, sidomos përsa i përket fjalëve "grupi i deputetëve", sepse më lart, ngjizja e një ideje të arsyeshme tek disa individë në mënyrë të pakushtëzuar nga njëri-tjetri, si rezultat i të menduarit dhe të shprehurit të vullnetit të zgjedhësve, nuk do të thotë se këta njerëz i bashkon një qëllim i paracaktuar për të cilin bien në ujdi që të përdorin të njëjtin mjet, në rastin konkret zgjedhjen e Presidentit direkt nga populli. Nëse veprimtarinë tonë politike si deputetë, në kuadër të amendamentit që nuk u paraqit e identifikoni me një grup interesi, ky do të ishte një paragjykim, sepse në rast se nuk mendojmë ndryshe në grup do të ishte edhe emri i kryeministrit Berisha, i cili ka deklaruar publikisht në favor të zgjedhjes së Presidentit nga populli.
Si pjesëtar i grupit parlamentar të PD- së, si e shikoni krijimin dhe përplasjen e grupeve brenda PD-së?
Më lejoni që këtë herë të pranoj fjalët "grupit parlamentar të PD-së" dhe të mos pranoj fjalët "grupet brenda PD-së", sepse në vetvete krijojnë një qasje aspak realiste që të çon në perceptimin e përplasjeve për çështje të mëdha parimore, kur në fakt përpjekjet për të afruar rrugëzgjidhje më efektive dhe më efikase për vendimmarrje politike që do t'i qëndronin gjatë rrjedhës së erozionit të kohës nuk janë e njëjta gjë, pikërisht sepse në thelb të grupit të deputetëve të PD-së qëndronte konsensusi i gjerë në favor të reformës zgjedhore. Kjo është një çështje tipike e të gjykuarit të raporteve ndërmjet interesit të veçantë dhe interesit të përgjithshëm, ku prioritet i është dhënë këtij të fundit.
Presidenti i Republikës i ka cilësuar këto amendamente si një përpjekje për të vënë në konflikt jo vetëm grupime politike, por edhe institucione e larta të shtetit, siç mund të ishte Kuvendi, Presidenti apo dhe Këshilli i Ministrave. A ishte beteja për amendamentin një shfaqje e hapur e kësaj përplasje?
Para së gjithash, pyetja merr përsipër të faktojë thëniet e Kryetarit të Shtetit, duke i komentuar ato jashtë kontekstit të përgjithshëm në të cilat ato janë shprehur. Për më tepër marrëdhëniet e një deputeti me Presidentin e Republikës janë marrëdhënie të zakonshme politike dhe ligjore për çdo deputet të Kuvendit të Shqipërisë, çka verifikohet nëpërmjet veprimtarisë të secilit institucion sipas kompetencave që përshkruan Kushtetuta. Çdo koment tjetër, jashtë etikës politike dhe ligjore që përcaktohet në Kushtetutë, mund të jetë një subjekt shumë i mirë për biseda të lira sipas hobit që ka çdo qytetar.
Si do ta vlerësonit mënyrën e qeverisjes së deritanishme të së djathtës dhe ku mendoni se duhet të përmirësohet?
Ka dy mënyra për të vlerësuar një qeverisje. E para, ta vlerësosh nëpërmjet këndvështrimit kritik, duke nxjerrë në pah vetëm të metat dhe duke i rreshtuar atë si gurët në një tabelë shahu. E dyta, ta vlerësosh nëpërmjet këndvështrimit favorizues, duke bërë një "paradë" suksesesh. Unë nuk do të preferoja asnjërën nga të dyja, por do t'i jepja rëndësi atyre problemeve që vazhdojnë të jenë shqetësimi i përhershëm i qytetarëve. Për shembull, do të kërkoja vëmendjen e qeverisë në lidhje me përpjekjet për të zvogëluar efektet e rritjes së çmimeve, krijimin e një klime të favorshme për zhvillimin e biznesit, sidomos të agrobiznesit, heqjen e barrierave dhe zvarritjeve të panevojshme administrative dhe shmangien e sjelljeve abuzive dhe arbitrare me biznesin siç mund të jetë problemi i kreditimit dhe rimbursimit të TVSH-së, rritjen e transparencës me biznesin dhe publikun dhe sidomos intensifikimin e luftës kundër korrupsionit. Tragjedia e Gërdecit, pavarësisht trajtimit të saj nga strukturat e drejtësisë, kërkon një analizë të veçantë të punës në segmente të ndryshme të qeverisë.
A ka nevojë për ndryshime kabineti qeveritar dhe nëse po, kur?
E kam thënë edhe më parë se, qeveritë janë si veshjet e stinës. Në këtë simbolikë, do të desha t'i drejtoheshit kryeministrit Berisha për ta pyetur nëse e sheh të arsyeshme që të mbante ende në pranverë, verë dhe vjeshtë veshjen e dimrit, sepse "veshjet" e çdo stine kushtëzohen nga problemet për të cilat shqetësohen qytetarët dhe jo politikanët, sepse janë këta të fundit ata që kanë marrë përsipër të zgjidhin shqetësimet e qytetarëve. Kriza e energjisë që provuam gjatë vitit 2007 nuk duhet të përsëritet në formën e një krize me një emër tjetër si për shembull, kriza e rritjes së çmimeve, etj. Ajo që ka rëndësi për ndryshimet e mundshme të një qeverie është që këto ndryshime të mos jenë makiazh, por përpjekje serioze që shërbejnë për krijimin në opinionin publik të një imazhi ndryshe për qeverisjen, sidomos në këtë periudhë të shkurtër që ka mbetur deri në zgjedhjet e vitit 2009.
-----Kompromisi dhe konsensusi, janë mjete me të cilat operon politika në kuptimin e mirëfilltë të vendimmarrjes. Çdo mjet tjetër që do të shkonte kundër kësaj logjike, të çon në një rreth vicioz shkak-pasojë, i cili ka më shumë kosto sesa përfitime.
Do të kërkoja vëmendjen e qeverisë në lidhje me përpjekjet për të zvogëluar efektet e rritjes së çmimeve, krijimin e një klime të favorshme për zhvillimin e biznesit, sidomos të agrobiznesit, heqjen e barrierave dhe zvarritjeve të panevojshme administrative dhe shmangien e sjelljeve abuzive dhe arbitrare me biznesin siç mund të jetë problemi i kreditimit dhe rimbursimit të TVSH-së, rritjen e transparencës me biznesin dhe publikun dhe sidomos intensifikimin e luftës kundër korrupsionit. Tragjedia e Gërdecit, pavarësisht trajtimit të saj nga strukturat e drejtësisë, kërkon një analizë të veçantë të punës në segmente të ndryshme të qeverisë.
Ajo që ka rëndësi për ndryshimet e mundshme të një qeverie është që këto ndryshime të mos jenë makiazh, por përpjekje serioze që shërbejnë për krijimin në opinionin publik të një imazhi ndryshe për qeverisjen, sidomos në këtë periudhë të shkurtër që ka mbetur deri në zgjedhjet e vitit 2009.------